Ndërlidhjet

Shërimet brenda dhe jashtë vendit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Dy milionë euro të ndara për programin e trajtimit të pacientëve për shërim jashtë vendit, si dhe në spitalet private në vend, nuk po mjaftojnë për mbulimin e kërkesave të të gjithë të sëmurëve që aplikojnë në Ministrinë e Shëndetësisë. Kërkesa nga Qeveria e Kosovës për të rritur fondet për këtë program, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë, është e parealizueshme, sidomos në këtë kohë kur, sipas tyre, është një presion jashtëzakonisht i madh edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.


Shërbimet shëndetësore, të cilat nuk kryhen në sektorin publik, do të ofrohen nga spitalet private për pacientët që cilët aplikojnë në programin e Ministrisë së Shëndetësisë për trajtimin e tyre falas.

Por, për shërbimet që nuk kryhen në të dy sektorët, pacientëve u mbetet të trajtohen jashtë vendit.

Zyrtarë shëndetësorë thonë se trajtimi jashtë vendit vazhdon të bëhet, por që ka mungesa të mëdha buxhetore.

Ilir Tolaj, sekretar permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se kërkesat për trajtim jashtë vendit janë të llojllojshme, kryesisht janë sëmundje malinje, intervenime kirurgjike e transplantime të ndryshme të organeve.

Buxheti për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore është unik. Këtë vit janë ndarë dy milionë euro për këtë trajtim, dhe nuk ka ndarje se sa do të shkojnë në vend dhe sa jashtë vendit. Në përgjithësi, përmes institucioneve private mbulohen disa shërbime, por që shumica e rasteve të rënda do të mbeten për trajtim jashtë vendit”, sqaron Tolaj.

Këtë vit janë të ndara dy milionë euro për këtë trajtim, dhe nuk ka ndarje se sa do të shkojnë në vend dhe sa jashtë vendit
Sipas zotit Tolaj, përparësia për të udhëtuar jashtë vendit për shërim varet nga urgjenca që ka pacienti.

Sa i përket prioritetit të pacientëve për trajtim jashtë vendit, kjo rregullohet me një udhëzim administrativ, dhe aty bën pjesë mosha e pacientit, ku përparësi kanë fëmijët, pastaj kategoritë e caktuara si invalidët e luftës dhe rastet sociale” thotë ai.

Sipas Tolaj, përkundër përpjekjeve për t’i respektuar këto kritere, ndonjëherë mund të bëhen lëshime për shkak të kërkesave të mëdha dhe buxhetit mjaft të limituar.

E pacientët të cilët konsiderohen se duhet të kenë operacione që janë të ndërlikuara, e nga disa mjekë, u preferohet të shërohen jashtë vendit, disa nga ta, prapë e zgjedhin Qendrën Klinike Universitare, për shkak të mungesës së mjeteve financiare.

Njëri nga pacientët është edhe Sali Bajcinca, i cili vuante nga një sëmundje në veshkë, dhe pas shumë pritjeve për të udhëtuar jashtë vendit për shërim, është operuar në QKUK dhe ka rezultuar me sukses.

Kam qenë i sëmurë dhe kam vuajtur rreth 2 vjet. Jam operuar në QKUK nga veshkat, operacioni ka zgjatur shumë, por ka pasur sukses. Më nuk kam pasur dhimbje dhe as nuk kam nevojë për barëra”, tregon Bajcinca.

Ndërkaq, mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve private shëndetësore, tashmë është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit, dhe sipas punëtorëve shëndetësorë, kjo konsiderohet si një veprim i qëlluar.

Bekim Dula, kardiokirurg në njërin nga spitalet private në vend, tha për radion Evropa e Lirë se me këtë marrëveshje është bërë një hap pozitiv në shëndetësinë kosovare.

Kjo është një gjë shumë pozitive, sepse për herë të parë në Kosovë pacienti nuk do të paguajë për shërbimet të cilat i ofrojnë spitalet private. Operacioni kushton shumë, por pacientët do të përfitojnë, sepse Ministria e Shëndetësisë i paguan këto shërbime, kështu që pacienti do të operohet brenda vendit dhe nuk do të paguajë para”, thotë Dula.

Por, edhe pse kërkesat e pacientëve janë shumë më të mëdha se shërbimet që ofron ministria e shëndetësisë, zoti Tolaj shprehet skeptik se do të mund të rriten fondet për këtë program, edhe pse shumë herë pa pasur kërkesa nga ministria te Qeveria e Kosovës.

Ne kemi raste ku komisionet vlerësuese i kanë aprovuar trajtimet jashtë vendit të shumë pacienteve, por që janë raste të ftohta e që mund të presin, por për shkak të mungesës së mjeteve e kanë ndaluar trajtimin e tyre, kështu që mjetet financiare shtesë janë të domosdoshme, por që në rrethanat ekzistuese nuk lejojnë, sidomos tash kur është një presion jashtëzakonisht i madh edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar që mund të bëhet ndonjë rritje buxhetore në këtë aspekt”, shpjegon Tolaj.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë, gjatë vitit 2011 kanë aplikuar 300 pacientë,derisa 150 prej tyre kanë përfituar shërimin jashtë vendit deri tani.
XS
SM
MD
LG