Ndërlidhjet

Fluks i papërballueshëm pacientësh


Qendra Emergjente
Qendra Emergjente

Në Qendrën Klinike Universitare, përkatësisht Qendrën Emergjente, e frekuentojnë rreth 200 pacientë vetëm brenda 24 orëve. Kjo, sipas zyrtarëve shëndetësorë, ngarkon stafin e kësaj klinike tej mase dhe vështirëson punën e tyre.

Problemi qëndron te sistemi i referimit, ku pacientë nga të gjitha anët e Kosovës, qofshin raste emergjente apo jo, dëshirojnë të trajtohen në këtë vend.

Basri Lenjani, ushtrues detyre i drejtorit në Qendrën Emergjente, thotë për Radion Evropa e Lirë se rreth 80 për qind e rasteve që dërgohen në këtë qendër, shkojnë aty pa ndonjë kriter.

“Qendra Emergjente ballafaqohet me sfida dhe me raste të natyrave emergjente dhe 80 për qind e rasteve dërgohen në qendrën emergjente pa ndonjë kriter. Këtë fluks të pacientëve nuk kemi mundur ta ndalim, për shkak se nuk kemi sistem të referimit të adresuar me udhëzim administrativ nga Ministria e Shëndetësisë. Po të kishim sistem të tillë, mjekët e tillë do të penalizoheshin”, thotë Lenjani.

Por, Lulzim Emini, ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, thotë se mbajnë kontakte të vazhdueshme me të gjithë drejtorët e spitaleve regjionale dhe të qendrave të mjekësisë familjare, në mënyrë që të ndalet fluksi i madh pacientëve në QKUK dhe rastet e ftohta, siç i quan ai, të trajtohen në spitalet përkatëse.

“Ne jemi munduar që të ndikojmë në referimin e pacientëve në spitalet regjionale dhe nga qendra tjera të mjekësisë familjare përmes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kontakteve të drejtpërdrejta me drejtorë të spitaleve dhe mendoj që ia kemi arritur, por ende nuk jemi të kënaqur”, thekson Emini për Radion Evropa e Lirë.

Mirëpo, sipas Lenjanit, për Qendrën Emergjente është sfidë dhe ballafaqim detyrimi që të merren me këtë patologji, derisa të rregullohet sistemi i referimit.

“Gjatë ditës, brenda 24 orëve lëvizin deri 200 pacientë, derisa 30 për qind prej tyre hospitalizohen. Ky është një angazhim dhe një përkushtim i stafit mjekësor, e angazhimi për raste joemergjente është problem dhe ngarkesë për vetë stafin”, shprehet Lenjani.

Ai shton se shpeshherë duhet harxhuar material shpenzues për rastet joemergjente, e gjithashtu shteren kapacitetet dhe resurset humane, duke u ngarkuar tej mase me fluks të papërballueshëm pacientësh gjatë ditës, derisa, siç thotë ai, nuk mund të ofrohet ndihma adekuate për rastet emergjente.

Kurse, barnat dhe materiali shpenzues, Emini thotë se është prioritet i Qendrës Emergjente.

“Furnizimi me barna dhe material shpenzues i Qendrës Emergjente është prioritet i menaxhmentit dhe më së pari gjithmonë furnizimi ka shkuar së pari në këtë njësi”, bën të ditur Emini.

Ndërkaq, sa i përket stafit mjekësor në Qendrën Emergjente, Emini thotë se kjo njësi gjithmonë ka qenë prioritare si në trajnimin e stafit shëndetësor, po ashtu edhe në fuqizimin e rolit të tyre.

“Sa i përket ndikimit të menaxhmentit në punën e Qendrës Emergjente është ajo që ne e kemi fuqizuar rolin e mjekut emergjent në kozoliumet multidisiplinare që bëhen për trajtimin pacientëve. Më herët një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, shton Emini.
XS
SM
MD
LG