Ndërlidhjet

Regjistrimi i popullsisë: sukses apo dështim?!


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Në Kosovë, të mërkurën, pritet që të publikohen rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, bëjnë të ditur zyrtarë qeveritar. Përderisa autoritet kompetente, procesin e regjistrimit e quajnë të suksesshëm, njohës të demografisë e quajnë të dështuar dhe të dëmshëm për vendin.

Rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave do të publikohen nesër, tregon ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar.

Por, këtyre rezultateve do t’i mungon numri i saktë i banorëve serb, që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, pasi që ata kanë kundërshtuar pjesëmarrjen në këtë proces.

Megjithatë, ministri Jagxhillar e quan të suksesshëm procesin e regjistrimit të popullsisë.

Sa i përket procesit, unë e konsideroj të suksesshëm. Sa i përket rrethanave edhe objektivave reale në pjesën veriore, ne në bisedime edhe me UNOPS-in edhe me Komisionin Evropian , nuk kemi gjetur situata për regjistrimin e popullsisë".

Por, ne kemi vlerësime për pjesën veriore. Sigurisht që më vonë do t’i plotësojmë të gjitha të dhënat dhe do të jetë një informatë e kompletuar për gjithë territorin e Kosovës” deklaron Jagxhillar.

Ai thotë se nuk do të ketë regjistrim të popullsisë në pjesën veriore të Kosovës, pasi do të përdoret metoda e vlerësimit, për të kuptuar se sa është numri i saktë i banorëve në atë pjesë.

Në anën tjetër, ekspertë të demografisë, e quajnë të dështuar dhe të dëmshëm regjistrimin e popullsisë, për shkak të mos regjistrimit të popullsisë në veri të Kosovës dhe mos përfshirjes se qytetarëve kosovar që jetojnë në vende të ndryshme të botës.

Mimoza Dushi, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, thotë se procedura e vlerësimit në vend të regjistrimit, paraqet hendikep në këtë proces.

Zonja Dushi thotë se mospërfshirja e serbeve lokal që jetojnë në Mitrovicë, ka bërë që të zvogëlohet territori i Kosovës, ndërsa mos regjistrimi i diasporës ka rezultuar më zvogëlimin e numrit të banorëve.

Ky proces ka dështuar, rrjedhimisht, ky regjistrim i ka sjellë një dëm të madh Kosovës. E para është se nuk është përfshirë i tërë territori i Kosovës, pasi nuk është regjistruar popullata serbe, dhe nuk është regjistruar diaspora kosovare”.

Kjo i ka bërë dëme shumë të madha popullatës- si popullatë, dhe i ka bërë dëm territorit -si territor. Më popullatën serbe është zvogëluar territori, ndërkaq mos përfshirja e popullatës shqiptare ka zvogëluar numrin e banorëve në Kosovë” shprehet Dushi.

Sipas disa të dhënave të Entit të Statistikave të Kosovës, që posedon zonja Dushi, rreth 2 milion është numri i banorëve që do të publikohet nesër nga autoritete kompetente.

Duke e konsideruar absurde këtë shifër, profesoresha Dushi, thotë se është e palogjikshme që numri i popullatës të jetë përafërsisht i njëjtë më atë të para 30 vitesh, kur regjistrimi është realizuar nga autoritete e atëhershme serbe.

Në bazë të disa informatave që kam marrë nga Enti i Statistikave, pritet me dalë prej 1 milion e 900 mijë deri në 2 milion banorë. Por,nëse e përcjellim një statistikë shumë të thjeshtë, 30 mijë banorë lindin mesatarisht për çdo vit në Kosovë, ndërsa vdesin prej 2000 deri në 3000 banorë, sepse në atë shifër jemi, pasi jemi popullatë shumë e re”.

edhe nëse nuk e përfshijmë diasporën, ne duhet të kemi prej 2.5 milion deri në 2.7 milion banorë, në bazë të statistikës vitale që posedojmë
Atëherë, del se brenda këtyre 30 vitesh, ne duhet të shtohemi të paktën për rreth 1 milion banorë. Por, edhe nëse nuk e përfshijmë diasporën, ne duhet të kemi prej 2.5 milion deri në 2.7 milion banorë, në bazë të statistikës vitale që posedojmë” vlerëson zonja Dushi.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë, është zhvilluar nga 1 deri më 15 prill.

Ky proces është kundërshtuar nga serbët lokal që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, të cilët kanë thënë se do të respektojnë vetëm regjistrimin e popullsisë nga Qeveria e Serbisë, gjë që është paralajmëruar se do të bëhet në tetor të këtij viti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG