Ndërlidhjet

Komunave u kërkohet më shumë punë


Kryeministri Hashim Thaçi
Kryeministri Hashim Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shfrytëzuar fillimin e “Javës së Komunave” dhe shënimin e dhjetëvjetorit të Asociacionit të Komunave, për të përcjellë drejtpërdrejt porosinë dhe përgjegjësitë që kanë krerët e komunave në procesin e liberalizimit të vizave.

Javën e kaluar, vetëm 12 nga 37 kryetarë të komunave i ishin përgjigjur pozitivisht një ftese që qeveria u kishte bërë, për të marrë pjesë në një konferencë për liberalizimin e vizave.

Thaçi ka ritheksuar se ndër prioritetet kryesore të qeverisë mbetet procesi integrues evropian. Ai ka thënë se edhe e pushteti lokal duhet t’i përmbushë obligimet e veta.

“Kryeprioritet edhe për ju, edhe për ne, mbetet riatdhesimi i qytetarëve. Ju e keni këtë mandat me Kushtetutë, me ligj dhe legjitimitet të fituar nga qytetarët. Secili duhet ta kryejë punën e vet në përputhshmëri me përgjegjësitë në nivelin qendror dhe atë lokal”.

“Ju falënderoj për punën e bërë, por ju ftoj të bëni edhe më tepër, në mënyrë që me rastin e vizitës së Komisionit Evropian të dëshmohet puna juaj, sepse, kryekëput, procesi i dialogut për procesin e liberalizimit të vizave varet nga kjo e arritur”
, ka thënë Thaçi, i cili njëherësh ka ofruar mbështetjen e tij për komunat që të bëjnë përparime në këtë drejtim.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq, ka thënë se fokusi i kësaj ministrie është në vlerat evropiane.

Petroviq ka deklaruar se ministria që ai drejton, ka për detyrë zbatimin e procesit të decentralizimit, çfarë, sipas tij, nënkupton edhe krijimin e komunave të reja në veri të Kosovës.

Për këtë të fundit, ai ka kërkuar edhe ndihmën e kryetareve të komunave ekzistuese dhe të atyre të rejave që janë formuar.

“Unë edhe një herë do të shpreh bindjen time se qeveria do të përqendrohet në prioritetet dhe do të lehtësojë anëtarësimin në familjen evropiane. Ne do t’i trajtojmë këto prioritete si qeveri dhe ministri. Ajo çfarë na duhet është mbështetja juaj, posaçërisht në realizimin e rezultateve të mira”, ka thënë Petroviq.

Në aktivitetin e sotëm të Asociacionit të Komunave të Kosovës, veç kryetarëve të komunave, kanë marrë pjesë edhe drejtues të asociacioneve evropiane të pushtetit lokal.

Keit Uajtmor, president i Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Evropës, ka vlerësuar bashkëpunimin me Asociacionin e Komunave të Kosovës. Ai, pos tjerash, ka theksuar se bashkëpunimi ndërkomunal është shumë i rëndësishëm.
Çështja e bashëkpunimit ndërkomunal është me rëndësi për zhvillimin e komunave dhe një mundësi për shkëmbimin e ideve, përvojave, por edhe praktikave më të mira.

“Ne në Kongres jemi shumë të kënaqur që po ia japim Asociacionit statusin e vëzhguesit. Çështja e bashëkpunimit ndërkomunal është me rëndësi për zhvillimin e komunave dhe një mundësi për shkëmbimin e ideve, përvojave, por edhe praktikave më të mira".

"Gjithashtu, mirëpres përpjekjet e juaja për përfshirjen e të gjitha komuniteteve në Kosovë në procesin e ndërtimit të demokracisë dhe në kthimin e besimit në nivelin lokal - e posaçërisht të komunitetit serb. Ne këtë drejtim duhet të ketë përpjekje më të mëdha”
, ka thënë Uajtmor.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Bajrush Xhemajli, pasi ka folur për të arriturat e asociacionit në 10 vjet, ka thënë se objektiv kryesor i tij mbetet që edhe në të ardhmen të jetë një zë i fuqishëm në mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave të komunave.

Asociacioni i Komunave të Kosovës është formuar më 30 qershor, 2001, pas zgjedhjeve të para komunale në Kosovën e pasluftës. Ndër sfidat kryesore të këtij asociacioni thuhet të jetë mbrojtja e decentralizimit të kompetencave te niveli lokal dhe respektimi i autonomisë së komunës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG