Ndërlidhjet

Rezultate të varfra anti-korrupsion


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Drejtuesit e gjykatave, Policisë së Kosovës, dhe ata të shoqërisë civile, përsëritën qëndrimet e tyre se institucionet e vendit duhet që sa më parë të miratojnë ligjin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe atë anti-mafi.

Ata u pajtuan se në Kosovë ka krim të organizuar dhe njerëz që pasurohen, siç u tha, brenda natës.

Në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, me temën “Krimi i organizuar dhe pasuria e paligjshme, pengesë për zhvillimin e Kosovës", u tha se imazhi i shtetit është dëmtuar rëndë nga mungesa dhe përkushtimit i institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, shprehu brengën e tij për nivelin e luftimit të krimit të organizuar. Sipas tij, ligji anti-mafia mund të ndihmojë në luftën kundër krimit të organizuar.

“Ne kemi shprehur gatishmërinë që të luftohet kjo formë e krimit që paraqet pengesë për zhvillimin e shtetit të Kosovës. Mirëpo, rezultatet në praktikë janë të varfra. Në këtë drejtim unë konsideroj se vendet në rajon kanë shkuar një hap para nesh, për faktin se kanë nxjerrë ligje speciale, me emërime të ndryshme, si: ligji anti-mafia, ose ligji për konfiskimin e dobisë pasurore të përfituar me vepre penale”, deklaroi Hasani.

Ligjet, të cilat janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës, nuk janë të mjaftueshme për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, tha Ismet Kryeziu, drejtor i Institutit Demokratik të Kosovës. Sipas tij, vonesa e miratimit të ligjit anti-mafia do ta vështirësojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovës.
Ligji anti-mafia dhe Ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, janë shtyrë në vazhdimësi nga Kuvendi dhe nga Qeveria e Kosovës.


“Ligji anti-mafia dhe Ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, janë shtyrë në vazhdimësi nga Kuvendi dhe nga Qeveria e Kosovës. Edhe sot tentativa e Qeverisë së Kosovës për t’i bashkuar këto dy ligje në një ligj, do të na provojë konfuzion dhe vështirësi në implementimin e këtyre dy ligjeve”, theksoi Kryeziu.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, Behar Selimi, tha se në Kosovë, teza se mungon legjislacioni për ta luftuar korrupsionin, nuk qëndron. Ai, madje, shton se ka edhe vullnet dhe përkushtim të institucioneve për ta luftuar korrupsionit dhe krimin e organizuar.

“Ka legjislacion të mjaftueshëm, ka norma të mjaftueshme për ta luftuar krimin e organizuar, sidomos në pjesën që flet për konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë së paligjshme”, u shpreh Selimi.

Kurse, George Mills nga EULEX-i, tha se në Kosovë nuk është problemi te mungesa e ligjeve, por zbatimi i tyre.

“Shumë nga ju ndoshta pajtohen me pikëpamjet e mia se nuk është problemi këtu te legjislacioni, por te zbatimi i tij. Një gjë duhet ta merrni parasysh se nuk është vetëm Kosova vendi që përballet me dukurinë e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Krimi i organizuar është problem që e shqetëson gjithë botën”, tha Mills.

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Reshat Maliqi, foli për implementimin e strategjisë shtetërore për luftimin e krimit të organizuar, si dhe përmendi format më të shpeshta të krimit, me të cilat ballafaqohet institucioni që ai drejton.

Sipas Maliqit, format më të shpeshta të krimit të organizuar janë: trafikimi me narkotikë, trafikimi me qenie njerëzore, me armë. Ai, po ashtu, deklaroi se me gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës, ka një koordinim të mirë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndryshe, autoritetet e vendit deklaruan se në mungesë të Ligjit për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, një veprim i tillë mund të zbatohet me Kodin Penal të Kosovës.

Por, sipas ekspertëve të drejtësisë, kjo mund të ndodhë vetëm nëse personi i caktuar shpallet fajtor për vepër penale, përmes së cilës vërtetohet se ka pasur përfitime materiale.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile u shprehën optimistë se ky ligj do të miratohet, pasi që, siç thanë ata, kjo çështje është ngritur edhe nga Komisioni Evropian në Raportin e Progresit dhe nga vetë shoqëria civile.

Lexoni edhe këtë:
TI: Mungesë përparimesh

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG