Ndërlidhjet

Riatdhesimi para liberalizimit të vizave


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Me qëllim të koordinimit dhe komunikimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, në procesin e ri-integrimit të personave të riatdhesuar, që ka të bëjë me plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave, ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, po vazhdon aktivitetin e saj duke vizituar komunat e Kosovës.

Çitaku i tha Radios Evropa e Lirë, se nga vizitat e bëra deri më tash, në terren vërehen përparime në plotësimin e kërkesave të nevojshme.

Unë gjatë tërë muajit qershor do t’i vizitoj të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, në mënyrë që nga afër të bisedoj me përfaqësuesit komunalë për përmbushjen e detyrimeve që kemi ne si institucion edhe në nivelin qendror dhe në atë lokal për liberalizimin e vizave”, deklaroi Çitaku.

Gjatë këtyre vizitave, Çitaku tha që është e informuar rreth gjendjes aktuale të procesit të riatdhesimit nëpër këto komuna dhe se janë diskutuar modalitetet për një ri-integrim sa më të suksesshëm të qytetarëve të riatdhesuar.

“Ne duhet të jemi jashtëzakonisht të përgatitur për komisionin vlerësues nga Komisioni Evropian, që pritet të vizitojë Kosovën në shkurt, dhe të inspektojë prezantimin e zyrtarëve komunalë për ri-integrimin e personave të riatdhesuar”.

Ne duhet të jemi shumë të përgatitur që t’i përmbushim kriteret në mënyrë që të kemi argumente pozitive edhe për komisionin, edhe për vendet mbështetëse në Bashkimin Evropian, në mënyrë që ta shtyjmë përpara agjendën evropiane për Kosovën”, tha Çitaku.

Vlora Çitaku, Ministre e Integrimit Evropian
Edhe njohësit e proceseve integruese e konsiderojnë si shumë të rëndësishëm procesin e ri-integrimit të qytetareve, të cilët janë kthyer nga vendet e Bashkimit Evropian.

Eksperti për këtë çështje, Fatmir Curri, thotë se në këtë drejtim janë vërejtur disa lëvizje, por, sipas tij, ende ka shumë punë për t’u bërë, ashtu siç kërkon Komisioni Evropian.

“Jemi ndoshta në një pozitë të mirë sa i takon shumicës së shërbimeve publike, si për shembull shkollimit, pasi që është pa pagesë në Kosovë. Mund të bëhet ri-integrimi i personave të kthyer. Por, ajo çka mbetet shqetësuese është niveli i përgatitjes së stafit administrativ dhe i kuadrove në nivel të komunave, që është në nivel jo të kënaqshëm për këtë punë”, theksoi Curri.

Ndërkaq, ministrja Çitaku u shpreh se është gatshme që personalisht të përkujdeset që komunat të kenë mbështetjen maksimale nga Qeveria e Kosovës rreth përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga procesi i liberalizimit të vizave.

Si çështje kryesore, që janë plotësuar, Çitaku përmendi pajisjen e qytetarëve me dokumentet e gjendjes civile, regjistrimin e fëmijëve të riatdhesuar në sistemin shkollor, ofrimin në qasjen e skemave sociale, si dhe ofrimin e vendbanimeve të përkohshme.

Për ministren Çitaku, sfiduese mbetet çështja e ofrimit të kurseve të veçanta të gjuhës për fëmijët që nuk flasin asnjërën nga gjuhët zyrtare në Kosovë.

Megjithatë, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, tha se pret që BE-ja shumë shpejt t'i nisë bisedimet me autoritetet e Kosovës, si për liberalizimin e vizave, po ashtu edhe për marrëveshjet tjera kontraktuase me Kosovën. Ajo pohoi se të gjitha institucionet e vendit janë të angazhuara në këtë drejtim.

Angazhime serioze ka dhe unë shpresoj që progresi do të arrihet dhe do të evidentohet edhe nga ana e Komisionit Evropian”, shtoi Çitaku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG