Ndërlidhjet

Gazetarët kundër krimit


Prishtinë
Prishtinë
Gazetarë nga Kosova dhe Serbia po diskutojnë në Prishtinë për bashkëpunimin e tyre në gazetarinë hulumtuese.

Sipas pjesëmarrësve në seminarin “Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, të iniciuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë dhe ajo në Serbi, krimi i organizuar në mes të dy vendeve i ka kaluar kufijtë.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, Arben Ahmeti, ftoi gazetarët nga Serbia që të bashkëpunojnë me kolegët e tyre në Kosovë, në mënyrë që të ndihmojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ata janë duke bashkëpunuar shumë mirë mes vete dhe janë tepër të organizuar. Neve, si gazetarë, nuk na mbetet gjë tjetër, veç të bashkëpunojmë, ndoshta jo sa ata, sepse nuk e kemi të njëjtin interes që e kanë ata, por të mundohemi që, me mundësitë dhe kapacitetet tona, të bashkëpunojmë, të organizohemi dhe t’u përgjigjemi në të njëjtën mënyrë”, deklaroi Ahmeti.

Dragana Nikolliq Sollomon, drejtoreshë e zyrës për media të OSBE-së në Serbi, theksoi rëndësinë për komunikimin rajonal të gazetarëve. Siç u shpreh ajo, një komunikim i tillë ekziston në raste të rralla. Si shembull të mirë, Sollomon përmendi Radion Evropa e Lirë dhe Rrjetin Ballkanik Hulumtues.

“Për profesionistët e mediave është i nevojshëm bashkëpunimi për çështje të ndryshme. Ne kemi vërejtur që pas takimit të parë në Beograd, kolegët nga Kosova i kanë ndihmuar ata nga Beogradi për të caktuar intervista, ndërsa gazetarët nga Beogradi i kanë ndihmuar ata në Kosovë për të kontaktuar disa politikanë në Serbi”, tha Sollomon.

Maria Stojanoviq, gazetare e së përditshmes beogradase “Blic”, tha se sa më i madh të jetë bashkëpunimi i dyanshëm, aq më shumë informata do të qarkullojnë.

“Diskutimi dhe takimet janë shumë të rëndësishme. Shpresoj se do të jetë i suksesshëm ky seminar, në kuptimin që do të mundësohet të krijohet një sistem për të shkëmbyer informacione”, tha Stojanoviq.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Uerner Almhofer, premtoi se do të ndihmojë në organizimin e takimeve të tilla, që, sipas tij, forcojnë bashkëpunimin mes gazetarëve.

Përndryshe, krimi i organizuar dhe korrupsioni janë probleme me të cilat po përballet Kosova. Edhe organizatat vendore, edhe ato ndërkombëtare kanë konkluduar se këto dukuri po shënojnë rritje në vend.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG