Ndërlidhjet

Politikat kundër asimilimit


Mitrovicë
Mitrovicë
Përfshirja e romëve në jetën shoqërore e institucionale dhe zbatimi i politikave për integrimin e tyre, u përmendën si disa nga sfidat për autoritetet qendrore dhe lokale në konferencën “BE-ja dhe integrimi i romëve, ashkalinjve dhe egjiptasve në Kosovë”. Përfaqësues të Bashkimit Evropian, ata të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të komunitetit rom diskutuan rreth mënyrave për përmirësimin e jetës së komunitetit rom në Kosovë.


Krijimi i një strategjie eksplicite për integrimin e romëve, përfshirja e tyre në fushat kryesore të shoqërisë, bashkëpunimi i autoriteteve lokale dhe shoqërisë civile në krijimin dhe zbatimin e politikave për integrim dhe pjesëmarrja e romëve në këtë proces, janë parimet kryesore në procesin e integrimit të komunitetit rom, tha drejtori për Ballkanin Perëndimor në Departamentin për Zgjerim të Komisionit Evropian, Pier Mirel.

Në konferencën “BE-ja dhe integrimi i romëve, ashkalinjve dhe egjiptasve në Kosovë”, Mirel i vlerësoi pozitivisht dokumentet e krijuara deri më tani për integrimin e romëve në jetën shoqërore e institucionale në Kosovë, por theksoi rëndësinë që ato të gjejnë zbatim edhe në praktikë.

“Ne mendojmë se strategjia, plani i veprimit dhe korniza ligjore, të cilën e ka miratuar Kosova, janë dokumente e instrumente të mira. Çështja tani ka të bëjë me zbatimin e financimin e masave dhe me më shumë vullnet nga ana e komunave”
, tha Mirel.

Përfaqësuesit e romëve thanë se problemi kryesor, me të cilin ballafaqohen ata, janë arsimimi dhe varfëria, që, sipas tyre, po rrisin rrezikun për asimilim e këtij komuniteti. Shqetësim tjetër për romët, sipas deputetit nga radhët e Partisë së Bashkuar të Romëve, Albert Kinolli, është kthimi i romëve nga vendet evropiane.

“Nuk jemi përkrahës të kthimit të dhunshëm dhe me mënyrat e dëbimit, siç ka ndodhur me romët e Rumanisë apo të Bullgarisë nga Franca, sepse mendojmë se ekzistojnë disa parakushte për kthimin e tyre të qëndrueshëm, siç janë kthimi i pronave, ndërtimi i shtëpive të tyre. Kurse, për aftësime profesionale për të kthyerit, investimi nga Bashkimi Evropian në Kosovë për biznese të voglave për mundësinë që të punësohen këta persona në të ardhmen e afërt”
, theksoi Kinolli.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, bëri të ditur se në bashkëpunim me autoritetet lokale, ekzekutivi kosovar ka krijuar disa projekte, të cilat synojnë përmirësimin e jetës së romëve.

Kuçi shprehu bindjen se në bashkëpunim me përfaqësues të komunitetit rom që jetojnë në Kosovë, do të ndërtohen, siç i quajti ai, modele të vlerave dhe integrimit evropian ku, sipas tij, bën pjesë dhe arsimi.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, po ashtu, ka punuar në krijimin e infrastrukturës së nevojshme ofrimin e shkollimit fillor dhe të mesëm në gjithë Kosovën, ofrimin e materialeve shkollore për të gjitha nivelet pa pagesë dhe kompletimin e kurikulumit shkollor në gjuhën rome”
, u shpreh Kuçi.

Vlerësohet se rreth 10-12 milionë romë jetojnë në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Diskriminimi, margjinalizimi dhe përjashtimi i romëve nga jeta sociale përmenden si disa nga sfidat, me të cilat ata ballafaqohen.
XS
SM
MD
LG