Ndërlidhjet

Margjinalizimi i romëve


Mitrovicë
Mitrovicë
Dita Botërore e Romëve, këtë komunitet në Kosovë e gjen mjaft të margjinalizuar, thonë përfaqësues të organizatave që merren me këtë çështje.

Komuniteti rom ballafaqohet me probleme nga më të ndryshmet, duke filluar nga arsimi e deri te punësimi.

Osman Osmani, qytetar rom, njëherësh udhëheqës i organizatës joqeveritare rome ”Iniciativa 6”, numëron sfidat me të cilat përballen romët.

Arsimi, punësimi, shëndetësia, strehimi janë çështje me të cilat në vazhdimësi ballafaqohet komuniteti rom. Papunësia është njëra nga çështjet brengë. Shumë pak është punuar në këtë drejtim, që të përmirësohet pozita e tyre”, thotë Osmani.

Por, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës e thonë të kundërtën. Habit Hajredini, nga Zyra për Qeverisje të Mirë, thotë se ka përparim të dukshëm sa i përket integrimit të komunitetit rom. Sipas tij, qeveria ka hartuar politika adekuate për përmirësimin e jetës së tyre dhe integrimin në përgjithësi.

Në Fushë Kosovë...
Është duke u punuar shumë në mirëqenien sociale, edukimin, shëndetësinë, kthimin dhe jodiskriminimin në përgjithësi. Tani jemi në finalizim të një raporti njëvjeçar, për të parë se sa po zbatohen këto strategji dhe sa kanë efekt. Shumë donatorë, përfshirë Komisionin Evropian, USAID-in, UNDP-në, por edhe institucionet vendore, shohin një lëvizje për të mirë dhe një progres në aspektin e integrimit dhe përmirësimit të gjendjes së kësaj kategorie të shoqërisë”, thotë Hajredini.

Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë në vazhdimësi është marrë me projekte të ndryshme për përmirësimin e gjendjes së komunitetit rom.

Skender Syla, udhëheqës i kësaj organizate, thotë se së bashku me agjenci të tjera të Kombeve të Bashkuara që veprojnë në Kosovë, është hartuar një plan i veprimit, ku temë boshte është përfshirja sociale e grupeve të margjinalizuara.

Ne duhet sa më tepër t’i përfshijmë këto grupe që të kenë avancim të vazhdueshëm edhe shëndetësor. Në këtë kuadër kemi përkrahur aktivitetet në Mitrovicë, që kanë pasur të bëjnë me ndotjen me plumb. Kemi punuar me institucione shëndetësore, që të ngremë kapacitete, që të jetë në dispozicion trajtimi i rasteve që kanë qenë të prekura me plumb në gjak”, shpjegon Syla për Radion Evropa e Lirë.

Por, Bekim Syla, nga organizata joqeveritare e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, thotë se kjo kategori e shoqërisë është e lënë pas dore. Ai përmend arsimin si problem kryesor, duke numëruar edhe sfida të tjera:

“Ata kanë probleme me shkollim, shëndetësi, nuk janë të barabartë në punësim… Gjendja e tyre nuk ka ndryshuar për të mirë, është pothuajse e njëjtë me përpara. Sfidë kryesore e kanë shkollimin. Varet nga lokacioni ku jetojnë dhe në atë gjuhë shkollohen”.

Sipas zyrtarëve të organizatave joqeveritare, 98 për qind e komunitetit rom janë të papunë dhe jetojnë nga asistenca sociale. Në Kosovë jetojnë gjithsej 18 mijë romë, ndërsa 32 mijë janë egjiptas dhe ashkalinj.
XS
SM
MD
LG