Ndërlidhjet

EULEX: Po e përmbushim mandatin


EULEX
EULEX
Përfaqësuesit e EULEX-it thanë se debati i së premtes në Kuvendin e Kosovës, gjatë të cilit ky mision u vu në qendër të kritikave, është pjesë e çdo demokracie parlamentare. Ata theksuan përkushtimin e misionit për shtrirjen e sundimit të ligjit në veri - përkushtim të cilin e vënë në pikëpyetje analistët politikë në Prishtinë.


Kritikat në rritje të autoriteteve vendore ndaj misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, duket se nuk kanë shqetësuar këtë mision, përfaqësuesit e të cilit ritheksuan përkushtimin e EULEX-it për shtrirjen e sundimit të ligjit në veri.

Njëri nga zëdhënësit e këtij misioni, James Nichols, i tha Radios Evropa e Lirë se EULEX-i është duke e përmbushur mandatin e tij në pjesën veriore të Kosovës, ndërsa përmendi disa nga sukseset e misionit që nga vendosja e tij në atë pjesë.
EULEX-i dëshiron të ritheksojë se është i pranishëm në pjesën veriore të Kosovës dhe se është duke e përmbushur mandatin e tij.

“EULEX-i dëshiron të ritheksojë se është i pranishëm në pjesën veriore të Kosovës dhe se është duke e përmbushur mandatin e tij. Një nga shembujt e suksesit të tij është se që nga rihapja e Gjykatës së Qarkut në veri, gjykatësit e EULEX-it kanë marrë 34 vendime”.

“Qëndrimi i EULEX-it mbetet i njëjtë: gjykatësit e prokurorët vendorë duhet të kthehen në gjykatë. Doganierët e EULEX-it janë të pranishëm në pikat doganore 1 dhe 31 në çdo kohë për të regjistruar veturat, mallrat dhe për të skanuar dokumentet - punë që i kontribuon zvogëlimit të kontrabandimit në këtë pjesë të Kosovës”
, deklaroi për Radion Evropa e Lirë, Nichols.

Komenti i tij pason debatin e fundit në Kuvendin e Kosovës, gjatë të cilit misioni evropian u akuzua për, siç thuhet, përdorimin e standardeve të dyfishta lidhur me sundimin e ligjit në veri.

Deputetët kosovarë thanë se EULEX-in po toleron krimin e kryer nga serbët në veri, e, në anën tjetër, po ndjek për krime lufte pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shefi i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Bekim Baliqi, foli për ngjashmëritë ndërmjet punës së administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe EULEX-it, i cili, sipas tij, po e vazhdon status-quo në veri.

“Ata po tregojnë se nuk do të hyjnë në një konflikt të mundshëm me këdo. Prandaj, kjo gjendje po i konvenon; po e zgjat mandatin e tyre pa pasur probleme apo pa u ballafaquar me problemet e mundshme. Kjo normalisht që po ia zgjat mandatin EULEX-it, por ne nuk po shohim rezultate konkrete”,
vlerësoi Baliqi.

Këto rezultate, sipas Baliqit, po mungojnë sa u përket gjykatave, doganave dhe policisë në pjesën veriore të Kosovës. Ai tha se nuk është e mjaftueshme vetëm një prani e EULEX-it në veri.
Ne, thjesht, nuk po e shohim sundimin e ligjit dhe nuk po e shohim atë për çfarë ka ardhur - jo vetëm në pjesën veriore, por edhe në tërë Kosovën.


“Ne nuk po shohim se atje po sundon ligji; ne nuk po shohim se po ndalet kontrabandimi; ne nuk po shohim se gjykatësit janë kthyer në gjykatat në Mitrovicë. Ne, thjesht, nuk po e shohim sundimin e ligjit dhe nuk po e shohim atë për çfarë ka ardhur - jo vetëm në pjesën veriore, por edhe në tërë Kosovën. Ne e dimë që janë proklamuar disa herë lufta me peshqit e mëdhenj dhe të tjera, që ishte më shumë një ‘teatër mediatik’, sesa vërtet një luftë kundër krimit”, theksoi Baliqi.

Mandati i EULEX-it e përcakton atë si mision monitorues, mentorues dhe këshillues për institucionet vendore në fushën e drejtësisë me fuqi ekzekutive në disa segmente.

Ai buron nga plani i Ahtisaarit, ftesa e Prishtinës zyrtare për instalimin e misionit në vend dhe miratimi i punës së këtij misioni nga Brukseli zyrtar.

Lexoni edhe këto:
BE-ja t’i heqë dilemat për Kosovën
Lehtë vendosen e vështirë largohen

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG