Ndërlidhjet

Opozita kërcënon me Gjykatë Kushtetuese


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Menjëherë pas zgjedhjes së presidentit dhe votimit të kabinetit të ri qeveritar, përfaqësuesit e partive politike opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë hedhur kritika të ashpra për koalicionin dhe zgjedhjen e presidentit. Sipas tyre, me Behxhet Pacollin president dhe Qeverinë “Thaçi 2”, qytetarët e Kosovës, nuk do të përfitojnë asgjë. Madje, LDK-ja dhe AAK-ja, kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të shpjeguar se a është shkelur Kushtetuta, apo jo, gjatë zgjedhjes së presidentit.


Përfaqësuesit e partive politike opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për të kërkuar mendimin e saj se a është shkelur Kushtetuta apo jo, gjatë seancës së zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se në bazë të zhvillimit të seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës, ku është votuar për presidentin, “është shkelur Kushtetuta e Kosovës”.

Kujtim Shala përgjegjës për informim i kësaj partie, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se LDK-ja, votimin e djeshëm e konsideron si jokushtetues.

Lidhja Demokratike e Kosovës

“LDK-ja, institucionet e dala nga seanca e djeshme, i konsideron jolegjitime. Për këtë ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për të kërkuar mendimin e kësaj gjykate se a është shkelur Kushtetuta apo jo. Ky është qëndrimi ynë dhe ne do t’i përfillim të gjitha procedurat dhe do t’i përmbushim të gjitha kriteret për të kërkuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese”
, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, Kujtim Shala.

Shala nuk ka saktësuar se kur do t’i bëhet kjo kërkesë Gjykatës Kushtetuese.

Nga ana tjetër, Glauk Konjufca, anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se lëvizja e tyre ende nuk ka një vendim të prerë se a do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, por, sipas tij, një gjë është e sigurt - se Kushtetuta e vendit është shkelur në Kuvendin e Kosovës.

“Ne ende nuk kemi marrë vendim. Por, ajo që ne jemi të sigurt është se gjithsesi që Kushtetuta është shkelur, aq më tepër që mënyrë të hapur dhe publike është pranuar nga kryeparlamentari”
, është shprehur Konjufca.

Konjufca ka deklaruar, po ashtu, se Vetëvendosja është duke mbledhur edhe fakte të tjera të shkeljes së Kushtetutës nga ana e zyrtarëve të institucioneve të vendit dhe më pas, ka thënë ai, do të vendoset se çka do të bëhet me ato dëshmi.

Glauk Konjufca, Lëvizja Vetëvendosje

“Konsiderojmë se shkelje ka pasur që prej 18 shkurtit, kur jashtë ligjit është emëruar Hashim Thaçi si mandatar - gjë që mendojmë se edhe aty është shkelur Kushtetuta. Edhe shkeljet e seancës që kanë ndodhur dhe të gjitha këto do t’i procedojmë edhe do të marrim vendim se a do të shkojmë në fazën e Gjykatës Kushtetuese apo jo
”, ka thënë Konjufca.

Për Konjufcën, Pacolli si president dhe po ashtu edhe Thaçi si kryeministër nuk janë në politikë për të mirën e Kosovës, por të dy, sipas tij, janë e keqja e Kosovës në rrafshin politik e ekonomik.

“Behxheti i frikësohet Thaçit, kurse Thaçi i do paratë e Behxhet Pacollit. Hashim Thaçi gjatë fushatës zgjedhore thoshte se nuk do të bënte koalicion me titistë, por në fund ai bëri koalicion me të vetëquajturin Tito i Kosovës. Vetëvendosje është kundër Titos dhe kundër kryeministrit të Titos”
, ka deklaruar Konjufca.

Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka paralajmëruar, po ashtu, se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, sa më shpejt që të jetë e mundshme, për mënyrën e votimit të presidentit.

Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, ka thënë se “ngjarjet e djeshme në Kuvendin e Kosovës i kanë dhënë një hije të keqe jo vetëm institucionit, por edhe asaj për çka kemi luftuar dhe punuar tash e një dekadë.

“Ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, sepse me këtë ne mendojmë që i shërbejmë vendit, i shërbejmë edhe demokracisë, të cilën duhet ta kemi për qytetarët e Kosovës. Dhe, këtë do ta bëjmë sa më shpejt që të jetë e mundur”,
ka pohuar Isufi nga AAK-ja.

Në një takim me gazetarët, zoti Isufi ka theksuar se në këtë formë është dhunuar demokracia në Kuvend dhe se AAK-ja nuk do të lejojë, siç është shprehur ai, diktaturë në vend, e as imponime e dirigjime në Kuvendin e Kosovës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

“AAK-ja do t’i përdorë të gjitha metodat demokratike për të treguar para qytetarëve të Kosovës dhe para botës demokratike se nuk lejon diktaturë në vend, nuk lejon imponime në Kuvend, sepse e dini që tre vjet me radhë dikush e ka dirigjuar nga prapaskena Kuvendin”
, ka thënë Isufi.

Zyrtarët e Institutit Demokratik të Kosovës, institut ky që monitoron punën e Kuvendit, kanë reaguar duke thënë se gjatë votimit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, është shkelur Kushtetuta dhe Rregullorja e punës së Kuvendit.

Driton Selmanaj ka nënvizuar:

“Ne konsiderojmë se liria e shprehjes dhe e qasjes së deputetëve është cenuar dhe mënyra se si është ndërprerë seanca plenare, na bën të besojmë që deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk ndihen të lirë për të votuar për preferencat e tyre politike”.


Të tri partitë politike opozitë, LDK, Vetëvendosje dhe AAK, kanë braktisur sallën e Kuvendit gjatë procedurave të votimit për zgjedhjen e presidentit dhe Qeverisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG