Ndërlidhjet

A do të betohen serbët?


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Përfaqësuesit e zgjedhur serbë për Kuvendin e Kosovës thonë se nuk do t’i shmangen procedurës së dhënies së betimit në institucionin më të lartë ligjvënës të vendit. Por, ata kanë qasje të ndryshme lidhur me këtë procedurë.

Sllobodan Petroviq, lider i Partisë së Pavarur Liberale, e cila në Kuvendin e Kosovës do të ketë tetë deputetë, thotë se për përfaqësuesit e kësaj partie, dhënia e betimit për t’u bërë deputet në Kuvendin e Kosovës nuk është asgjë e re, duke pasur parasysh se një gjë e tillë tashmë ka ndodhur në mandatin e kaluar.

“Sa i përket Partisë së Pavarur Liberale, për ne kjo nuk është hera e parë. Kjo është hera e dytë që marrim pjesë në Kuvend. Do të thotë, kjo nuk është risi. Mund të flas në emër të partisë sime, se nga pikëpamja jonë një gjë e tillë është normale”.

“Në anën tjetër, nga ajo që kemi mundur të dëgjojmë edhe nga 4 përfaqësuesit tjerë nga kuota e deputetëve serbë, mund të them se edhe ata janë të vetëdijshëm se duhet ta bëjnë këtë. Thjesht, kjo nuk duhet të vihet në pikëpyetje. Ne, sipas këtij sistemi, edhe kemi marrë pjesë në procesin zgjedhor dhe kjo për mua është diçka e ditur”,
thotë Petroviq.

Por, Rada Trajkoviq, përfaqësuese e Listës së Përbashkët Serbe, e cila në Kuvendin e Kosovës do të ketë katër deputetë, nuk e sqaron krejtësisht se cili do të jetë veprimi i deputetëve të kësaj liste gjatë procedurës së dhënies së betimit.

“Jo, nuk do ta jap betimin, por do ta mbështes atë me të gjithë deputetët. Më duhet të them se nuk e kam ditur fare që një gjë e tillë është e parashikuar me rregullore. Megjithatë, kur e kam lexuar atë, në betim fare nuk përmendet decidivisht pavarësia. Kjo vetëm është një pikë e rregullores, e cila nuk paraqet ndonjë problem të madh që të thuhet zëshëm”, thotë Trajkoviq.

Procedura e betimit për t’u bërë deputet në Kuvendin e Kosovës është e rregulluar sipas nenit 70 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës.

Sipas ligjit, ata që nuk e bëjnë betimin, nuk mund të jenë deputetë në këtë kuvend.

Por, Trajkoviq thotë se dhënia e betimit nga deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës nuk nënkupton që ata po u betohen institucioneve të shtetit të pavarur të Kosovës.

“Të gjithë e dimë se ato institucione nuk janë të pranuara në Këshillin e Sigurimit dhe nisur nga ky fakt, institucionet e Kosovës nuk mund të trajtohen ligjërisht si institucione të Kosovës së pavarur”.

“Por, në institucionet, në të cilat duhet të punohet për ligjet, që duhet të sjellin deri te afrimi i serbëve dhe shqiptarëve, nuk është fare problem që të punohet. Unë them se në esencë, në këtë moment, hapësira e Kosovës nuk është as shtet i pavarur dhe fatkeqësisht as pjesë e Serbisë”,
thekson Trajkoviq.

Petroviq e sheh si periferike çështjen e dhënies së betimit në institucionin më të lartë ligjvënës të Kosovës.

Ne jemi parti për zgjidhjen e problemeve dhe jo për krijimin e tyre. Para së gjithash, ne merremi me një politikë reale dhe me problemet që i kanë njerëzit që na kanë zgjedhur. Të gjitha të tjerat absolutisht për ne janë periferike”.

“Mandati që kemi nga qytetarët, përmes zgjedhjeve, është që t’i mbrojmë interesat e tyre dhe të përpiqemi që, nga pozitat ku jemi, t’ua përmirësojmë kushtet e jetës. Ky është motivi ynë më i madh që kemi, nëse flitet për pjesëmarrjen tonë në jetën politike. Të gjitha të tjerat janë gjëra, të cilat janë krejtësisht logjike”,
shprehet Petroviq.

Me pjesëmarrjen në procesin zgjedhor, bashkësia serbe në Kosovë, përmes subjekteve politike, ka siguruar 13 përfaqësues në Kuvendin e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG