Ndërlidhjet

Nevoja për drejtësi të pastër


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Për të tretin vit me radhë Kosova po shënon Ditën Nacionale të Drejtësisë. Në një konferencë për media, përfaqësuesit e institucioneve vendore e ndërkombëtare folën për të arriturat në fushën e drejtësisë, por përmendën edhe një varg sfidash, me të cilat ballafaqohet vendi në këtë drejtim.


Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjitha nivelet shtetërore, shtrirja e sundimit të ligjit në të tërë territorin e Kosovës, zbatimi i reformave gjyqësore dhe forcimi i një gjyqësori të paanshëm janë veprimet kryesore që duhet të ndërmerren për të përmirësuar sistemin e drejtësisë në Kosovë, vlerësuan autoritetet vendore e ndërkombëtare në Prishtinë.

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se drejtësia kosovare duhet ta përbëjë hallkën kryesore në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
Kosovës më shumë se kurrë i duhet një drejtësi kredibile, e pastër moralisht, profesionale dhe efektive.

“Kosovës më shumë se kurrë i duhet një drejtësi kredibile, e pastër moralisht, profesionale dhe efektive. Ajo duhet të përbëjë hallkën kryesore të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të çdo natyre. Këtë luftë ajo duhet ta nisë që nga radhët e veta, për t’i mbrojtur organet e drejtësisë nga dukuri korruptive e kriminale”
, tha Krasniqi.

Krimi i organizuar dhe korrupsioni, edhe sipas raporteve të ndryshme ndërkombëtare, vazhdojnë ta cenojnë funksionimin e shtetit të së drejtës në Kosovë.

Zyrtarët e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit vlerësuan se këto dy çështje mbesin, ndër të tjera, në kuadër të sfidave që duhet t’i trajtojnë autoritetet përgjegjëse kosovare.

Zëvendëskryesuesi i komponentës së drejtësisë në EULEX, Bernard Rabatel, shpjegoi më shumë:
Disa sfida të rëndësishme mbesin për t’u trajtuar...


“Disa sfida të rëndësishme mbesin për t’u trajtuar, si: korrupsioni dhe krimi i organizuar në të gjitha nivelet, garantimi i pavarësisë së gjyqtarëve dhe autonomisë së prokurorëve, vendosja e një sistemi multi-etnik, të paanshëm dhe profesional të drejtësisë të bazuar mbi parimet transparente dhe të qëndrueshme të sundimit të ligjit”
.

Rabatel foli edhe për të arriturat e EULEX-it që nga vendosja e tij në Kosovë. Ai tha se që nga vendosja e misionit evropian në vend janë shqiptuar më shumë se 160 verdikte dhe janë mbajtur mbi 1000 seanca gjyqësore nga panelet e përziera nga gjyqtarët evropianë dhe ata kosovarë.

Puna e përbashkët e misionarëve evropianë dhe punonjësve vendorë të drejtësisë, megjithatë, nuk po zbatohet në gjykatat në veri të Mitrovicës.

Që nga marsi i 2009-s këto institucione funksionojnë vetëm bazuar në punën e gjyqtarëve e prokurorëve të EULEX-it dhe pa praninë e atyre vendorë.
Zgjidhja e problemit rreth gjykatave në veri thuhet se duhet të gjendet ndërmjet Prishtinës e Beogradit zyrtar.

Mirëpo, ushtruesi i detyrës së sekretarit të përhershëm në Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë, Sylejman Sopa, kërkoi ndihmën e EULEX-it për shtrirjen e gjyqësorit kosovar edhe në veri të Mitrovicës.

“Misioni evropian për sundimin e ligjit-EULEX duhet të ndihmojë shtrirjen e pushtetit të drejtësisë në tërë vendin - pra, edhe në veri të Kosovës
”, theksoi Sopa.

Lexoni edhe këto:

Thirrje për drejtësi të papolitizuar
GNK: Kosova ta luftojë korrupsionin dhe të bëjë reforma

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG