Ndërlidhjet

Thirrje për drejtësi të papolitizuar


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës u kanë bërë sërish thirrje organeve të drejtësisë që të vazhdojnë punën, pa ndërhyrje dhe presione politike, kur bëhet fjalë për hetimet mbi korrupsionin. Opozita, ndërkaq, akuzon Qeverinë se, "po dirigjon me krimin e organizuar dhe korrupsionin".


Hetimet e misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX, ndaj disa zyrtarëve të lartë qeveritarë, nën dyshimet se ata mund të jenë implikuar në korrupsion dhe krim të organizuar, kanë bërë që opozita të ashpërsojë edhe më tutje gjuhën politike në raport me Qeverinë aktuale.

Në anën tjetër, përfaqësues të pozitës i bëjnë thirrje Prokurorisë dhe organeve tjera të drejtësisë që pa presion dhe ndikime të vazhdojnë punën deri në zbardhjen e rasteve nën hetime.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe se secili rast duhet të ndriçohet.
Fatmir Sejdiu



“Unë asnjëherë nuk flas me shifra, flas me bindjen se ligji duhet të zbatohet dhe është mbi të gjithë. Pra, është në sistemin prokurorial, në sistemin gjyqësor të bëjnë punën e tyre dhe të jepet drejtësia tamam si drejtësi në zërin fundamental në bazë të parimeve të drejtësisë për secilin rast veç e veç dhe asnjëherë nuk dua të krijoj, ta zëmë, në shikimin tim se duhet të ndiqet ky apo ai person”
, tha Sejdiu.


Përderisa presidenti Sejdiu inkurajoi drejtësinë në kryerjen e përgjegjësive kushtetuese e ligjore, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se situata e krijuar në Kosovë që nga koha e bastisjeve të EULEX-it në Qeveri e këndej, është pasojë e mungesës së kapaciteteve vendore të drejtësisë që t’i kryejnë punët e veta.

“Është fatkeqësi për institucionet dhe qytetarët e Kosovës që sistemi vendor i drejtësisë nuk ka ndërtuar kapacitete të mjaftueshme që t’i kryejë përgjegjësitë e veta mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve që janë në fuqi”.

“Ne do të dëshironim që edhe EULEX-i të jetë në mbështetje të sundimit të rendit dhe ligjit, por këtë ta bëjë mbi bazën e fakteve e dëshmive, pa e politizuar në asnjë formë procesin e drejtësisë”
, u shpreh Krasniqi.


Kritikat e opozitës

Ndërkohë, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Naser Rugova, e akuzoi ashpër Qeverinë e Kosovës për përfshirje dhe dirigjim të krimit të organizuar, duke kërkuar që kjo qeveri të largohet sa më shpejt nga pushteti.

“Kjo qeveri po e fundos vendin, ku qeveria, mafia, krimi i organizuar dhe gjyqësia dirigjohen nga një qendër e vetme. Lidhja Demokratike e Dardanisë inkurajon Prokurorinë e shtetit, mekanizmat relevant të Policisë së Kosovës dhe gjyqësorin që të qëndrojnë, mos të përkulen para këtyre qeveritarëve të korruptuar, të cilët shumë shpejt do të përballen me drejtësinë”
, theksoi Rugova.

Zotimet e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, se ai do të marrë rolin udhëheqës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe inkurajimin që u ka dhënë organeve përkatëse për hetimin e 111 rasteve nga vitit 1999 e këndej, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i sheh si farsë politike.

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, tha në një konferencë për media se EULEX-i duhet të vazhdojë punën prijëse në luftimin e krimit dhe korrupsionit, duke dhënë pëlqimin që, nëse ka të dyshuar, të hetohen edhe zyrtarë të AAK-së.

Ramadani theksoi se nga viti 1999 e këndej, ishte Hashim Thaçi si ish-kryeministër i Qeverisë së atëhershëm të përkohshme, që instaloi në pushtet strukturën sekrete të Partisë Demokratike të Kosovës, të njohur si SHIK (Shërbimi Informativ i Kosovës), i cili me veprimet e veta, sipas tij, po e dëmton Kosovën dhe imazhin e saj.

“Kryeministri aktual ka nisur të tentojë të marrë pronësinë e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, gjë e cila është jo vetëm e habitshme, por edhe fyese për të gjithë ata që e kanë të qartë se vetë kryeministri aktual, Hashim Thaçi, është në krye të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë”,
u shpreh Ramadani.

Edhe Aleanca Kosova e Re, nëpërmjet një deklarate për shtyp, vlerësoi se “institucionet qeverisëse në Kosovë kanë dëshmuar se luftën kundër korrupsionit e kanë vetëm në retorikë”.

Sipas kësaj partie, “është përgjegjësi morale e institucioneve të Kosovës që të japin dorëheqje dhe t’i lënë hapësirë krijimit të një qeverie teknike, e cila do ta qeverisë vendin deri në zgjedhje të parakohshme”.

Sidoqoftë, kryeministri Hashim Thaçi e ka thënë publikisht se hetimet mund të zhvillohen edhe ndaj zyrtarëve të qeverisë aktuale, si edhe ndaj atyre të qeverive paraprake.

Ai, megjithatë, nuk ka pranuar të deklarohet nëse do t’i shkarkojë apo jo ministrat nën hetime, por ka premtuar se do të bashkëpunojë, pa ndërhyrë në çështjet e drejtësisë për luftimin e dukurive negative.

Lexoni edhe këto: Thirrjet për sforcim të sundimit të ligjit
GNK: Kosova ta luftojë korrupsionin dhe të bëjë reforma

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG