Ndërlidhjet

Thirrjet për sforcim të sundimit të ligjit


Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka tërhequr vërejtjen se suksesi i EULEX-it për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë varet edhe nga mbështetja unike prej komunitetit ndërkombëtar dhe Qeveria e Kosovës. Analistët rekomandojnë që vërejtjet e raportit të fundit të shqyrtohen me seriozitet.


Komuniteti ndërkombëtar nuk po tregohet unik në përkrahjen që duhet t’i japë misionit për sundim të ligjit – EULEX, ka thënë sot në Prishtinë, Marko Prelec, drejtor i Projektit për Ballkanin i Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Këto komente Prelec i ka bërë gjatë prezantimit të raportit më të ri, i cili analizon gjendjen e policisë dhe gjykatave në Kosovë. Grupi Ndërkombëtar i Krizave u ka bërë thirrje autoriteteve vendase e ndërkombëtare në Kosovë që të punojnë më shumë për luftimin e korrupsionit, si dhe ka kërkuar zbatimin e reformave në sistemin e drejtësisë.

Sistemi i drejtësisë në Kosovën e pavarur vlerësohet se ka një gjyqësor të dobët, ndërkaq është kërkuar që sundimi i ligjit të shtrihet në mbarë territorin e Kosovës.

“Mendojmë se komuniteti ndërkombëtar është disi i ndarë në përkrahjen për EULEX-in dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që EULEX-i të mbështetet, jo vetëm në angazhimet dhe hetimet rreth luftimit të krimit të organizuar, por edhe në angazhimet për sundim të ligjit në veri”
, ka thënë Prelec.

Në anën tjetër, Karin Limdal, zëdhënëse e EULEX-it në Prishtinë, ka thënë se për këtë mision e rëndësishme është që mandati i tij është i mbështetur nga 27 vendet anëtare të BE-së dhe kjo i mjafton EULEX-it të punojë në kuadër të mandatit për forcimin e sundimit të ligjit.

“Ne kemi mbështetjen e plotë nga vendet që na dërguan në Kosovë, që të zbatojmë mandatin që ka të bëjë me monitorimin, mentorimin dhe këshillimin e institucioneve për forcimin e sundimit të ligjit, ku kemi edhe funksione të limituara ekzekutive, të cilat i kemi shfrytëzuar gjatë hetimeve të fundit”
, është shprehur Limdal.

Ndërkohë, duke iu referuar hetimeve ndaj Ministrisë së Transportit dhe zyrtarëve të lartë qeveritarë, Marko Prelec ka theksuar se kryeministri dhe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës fillimisht patën reaguar me një retorikë jo inkurajuese, por ai ka shprehur besimin se Qeveria megjithatë nuk do të përzihet në vazhdimin e këtyre hetimeve.

“Reagimet e këqija ishin një retorikë, e cila mendojmë se duhet të ndalet dhe do të duhej të kishte përkrahje rreth vazhdimit të hetimeve”,
ka theksuar Prelec, duke parapëlqyer që të pritet edhe pak kohë e të shihet nëse deklaratat e Qeverisë ishin vetëm retorikë politike.

Ndërsa, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nuk kanë dashur të komentojnë asgjë në lidhje me këtë raport të Grupit të Krizave.

Mirëpo, analisti Ramush Tahiri i k sugjeruar Qeverisë që t’i marrë seriozisht vërejtjet në raportin e fundit, ngase ato, sipas tij, kanë për qëllim përmirësimin e gjendjes në fushën e sundimit të ligjit, që si rezultat do të sillnin efekte pozitive për vendin.

“Duhet të merret me dashamirësi ky vlerësim i gjendjes, sepse është në të mirën e Kosovës që të ketë një gjyqësor të pavarur, që të ketë sistem efikas të policisë, gjyqësisë. Gjithashtu është në interes të Kosovës që të bashkëveprojë me EULEX-in në luftimin e trafikimit dhe krimit të organizuar”,
ka vlerësuar Tahiri.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka tërhequr vërejtjen se pa luftimin e korrupsionit, reformimin e gjyqësorit dhe pa forcim të sundimit të ligjit, Kosova rrezikon të mbetet një vend i varfër, i izoluar, ku do të ngecë zhvillimi ekonomik, ku nuk do të ketë investime nga jashtë, përderisa numri i njohjeve ndërkombëtare dhe procesi i integrimeve do të jetë shumë i ngadalshëm.

“Jemi mjaft të brengosur dhe nuk shohim ndonjë të dhënë në Qeveri që dëshmon se ka vullnet dhe është e gatshme të lejojë një gjyqësor të pavarur dhe të zbatojë sundimin e ligjit në Kosovë”,
është shprehur Prelec.

Vazhdimësia e një gjendjeje të tillë, sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave, rrezikon Kosovën që të bëhet një vend transit për grupe që merren me aktivitete kriminale të trafikimeve dhe drogës.

Përderisa ka rekomanduar reforma në gjyqësor, Grupi i Krizave i ka propozuar edhe EULEX-it që të gjejë një kompromis për caktimin e numrit të ulëseve për gjyqtarët serbë dhe shqiptarë në veri, ndërsa nga policia ka kërkuar që të veprojë kundër shkelësve të ligjit në atë pjesë të Kosovës.

Lexoni edhe këtë: GNK: Kosova ta luftojë korrupsionin dhe të bëjë reforma.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG