Ndërlidhjet

Politika - larg reformave gjyqësore


Gjykata në Mitrovicë
Gjykata në Mitrovicë
Përfaqësues të sistemit gjyqësor të Kosovës thanë se deri në fund të këtij viti pritet ta përfundojnë riemërimin e gjykatësve e prokurorëve. Njohësit e çështjeve ligjore, theksuan se politika duhet të mbetet larg procesit të reformave gjyqësore në përgjithësi.


Reformimi i sistemit gjyqësor dhe rifunksionalizimi i gjykatave në veri të vendit, do të jenë prioritetet e punës së mekanizmave përgjegjës të sistemit gjyqësor në muajt e ardhshëm, thanë përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Në kuadër të reformave gjyqësore thuhet se, ndër të tjera, hyn zbatimi i legjislacionit për gjykata dhe riemërimi i gjykatësve e prokurorëve - gjë që pritet të mbështetet financiarisht me rreth 17 milionë euro dhe 24 milionë dollarë.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, dha për Radion Evropa e Lirë detaje për këto mjete financiare:

“Për këtë vit në dëgjim buxhetor deri diku na është aprovuar një shumë e mjeteve - diku 14 milionë euro; rreth 24 milionë dollarë do t’i investojë USAID-i përmes Shteteve të Bashkuara të Amerikës për katër vitet e ardhshme pikërisht vetëm për sistemin gjyqësor. Diku rreth 3 milionë euro do të vijnë nga Komisioni Evropian dhe besojmë se me këto mjete buxhetore që ne i kemi, do t’ia arrijmë ta bëjmë disi këtë riorganizim”
, tha Enver Peci.

Mirëpo, ekspertët ligjorë në Prishtinë thanë se përvoja e së kaluarës ka dëshmuar se në Kosovë mungon vullneti politik për të reformuar sistemin gjyqësor.

Analistja për çështje të sundimit të ligjit në Institutin Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, Ariana Qosaj-Mustafa, tha se ndërhyrjet politike janë një ndër problemet më të mëdha, me të cilat mund të sfidohet procesi i reformimit të sistemit gjyqësor të Kosovës.

Salla e gjykimeve (Gjykata e Qarkut, Mitrovicë)

“E kemi pasur riemërimin e fundit të gjykatësve që ka ndodhur në muajin tetor, ku e kemi parë ushtruesin e detyrës së presidentit duke ndërhyrë në listën finale, duke bërë ndryshim prej tre deri në pesë për qind të kandidatëve, të cilët ishin emëruar prej Këshillit Gjyqësor. Mendoj se kjo do të jetë prapë një prej sfidave”, u shpreh Ariana Qosaj- Mustafa.

Procesi i riemërimit të gjykatësve e prokurorëve në Kosovë kishte nisur më 2008 nga Komisioni i Pavarur për Gjyqësi dhe Prokurori – mekanizëm, ky i cili brenda 30 muajve të funksionimit thuhet se ka emëruar më shumë se 345 kandidatë.

Në tetor të vitit të kaluar, Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori përsipër kompetencat e këtij komisioni me detyrën që të përfundojë riemërimin edhe për 120 pozitat e mbetura.

Zoti Enver Peci bëri të ditur se bazuar në Ligjin e ri për gjykata që nga 1 janari, përveç Këshillit Gjyqësor, për procesin në fjalë do të jetë përgjegjës edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës. Riemërimi i gjykatësve, sipas tij, do të bëhet varësisht kërkesave të gjykatave.

“Faktikisht, nga Komisioni i Pavarur kanë mbetur të pambuluara edhe 120 vende për gjyqtarë e prokurorë. Përafërsisht aty duhet të dalin - jo gjysmë për gjysmë, por ne jemi duke i bërë analizat. Duhet të shikojmë se sa janë të ngarkuara gjykatat në secilin regjion, sa ka nevojë për gjyqtarë në bazë të numrit të rasteve që janë nëpër gjykata”,
theksoi kryetari Enver Peci, duke shprehur bindjen se procesi i riemërimit të gjykatësve mund të përfundojë deri në fund të këtij viti.

Analistja e KIPRED-it, Ariana Qosaj-Mustafa, tha se procesi i riemërimit të gjykatësve e prokurorëve është vetëm një segment i reformimit të sistemit gjyqësor. Ajo shprehu bindjen se procesi i reformave në tërësi nuk mund të përfundojë para vitit 2013.

“Viti 2013 është vit kur do të fillojë sistemi i ri i gjykatave që është i paraparë me ligjet e reja, do të thotë me Ligjin mbi gjykatat, ndërsa Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës do ta vazhdojnë punën e tyre dhe kanë mjaft sfida në emërimin dhe rimemërimin e gjykatësve e prokurorëve. Mirëpo, se sa do të kenë kapacitete për të garantuar profesionalizimin e gjyqtarëve e prokurorëve, mbetet për t’u parë”,
nënvizoi Ariana Qosaj-Mustafa.

Sistemi gjyqësor i Kosovës dhe fusha e sundimit të ligjit në përgjithësi, deri më tani, kanë qenë në qendër të kritikave në raportet e organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare.

Lexoni edhe këto:

Telashet e gjyqësorit
Peci: Sistemi gjyqësor, në gjendje të keqe

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG