Së shpejti, në sistemin e drejtësisë mund të përfshihen dhe juristë të rinj, që sapo kanë dhënë provimin e jurisprudencës.
Ky zotim është dhënë nga përfaqësues të institucioneve të drejtësisë. 1267 kandidatë kanë marrë sot certifikatat e provimit të jurisprudencës, gjë që u mundëson atyre të aplikojnë për ushtrimin e detyrës së gjykatësit apo prokurorit.
Ishte vetë presidenti Fatmir Sejdiu, ai që inkurajoi juristët e rinj, duke thënë se tashmë ekziston një bazë e mirë e legjislacionit për inkuadrimin e tyre në sistemin e drejtësisë.
“Vërtet përballemi me një situatë jo edhe të lehtë, sepse një vakuum i gjatë kohor ka bërë që fondi të zvogëlohet. Ka një brez të njerëzve që kanë qenë profesionalisht të përgatitur, kanë kryer punën me sukses dhe janë para pensionimit... Por, tash është një hap i mirë dhe mendoj se me këtë po hyjmë në rrafshin më komod të mundësive, për përzgjedhje për të gjitha këto nivele”, tha Sejdiu.
Premtime kanë ardhur edhe nga ana e Qeverisë së Kosovës. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi siguroi kandidatët që kanë dhënë provimin e jurisprudencës, se Qeveria do të krijojë bazë të mirë të legjislacionit për funksionimin e duhur të punës nga ana e institucioneve të drejtësisë.
“Qeveria e Kosovës do t’i garantojë tri parakushte. I pari do të garantojë vullnetin e vet politik për fuqizimin e rendit dhe ligjit".
“I dyti do të krijojë infrastrukturë të domosdoshme ligjore, duke përfshirë ligjet që tashmë i kemi miratuar: atë për gjykatat, këshillin prokurorial, për prokurorët dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe shumë shpejt besoj se do të bëhet amendamentimi edhe i kodit penal dhe i procedurës penale, që do të jenë një bazë e mirë e punës suaj. I treti - fuqizimi i kapaciteteve njerëzore”, tha Kuçi.
Sistemi i drejtësisë është ndër më të kritikuarit nga raporte të ndryshme ndërkombëtare. Ministri i Drejtësisë, Haki Demolli, pranoi se edhe vetë populli i Kosovës, në vitet e fundit, ka humbur besimin në këtë sistem.
Ai tha se juristët e rinj, duke respektuar ligjin dhe duke punuar drejt, do të mund ta kthejnë besimin e humbur.
“Shkalla e besimit të popullatës sonë ndaj sundimit dhe zbatimit të ligjit në Republikën e Kosovës, sidomos në vitet e fundit, është luhatur në masë të madhe, duke rënë në një nivel tejet të ulët. Pra, ju jeni ata që mund ta përmirësoni dhe ta rrisni këtë shkallë të besimit ndaj administratës dhe gjyqësisë në përgjithësi”, tha Demolli.
Nga ana tjetër, Enver Peci, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me rastin e ceremonisë së ndarjes së certifikatave për provimin e dhënë të jurisprudencës, ftoi juristët që të bëhen pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës.
“Me reforma jemi duke bërë edhe përzgjedhjen dhe ripërzgjedhjen e kandidatëve që do të ushtrojnë funksionin e gjyqtarit dhe të prokurorit në këto institucione të reformuara. Ju ftoj që t’i bashkoheni sistemit të drejtësisë, që të punojmë dhe ta avancojmë atë bashkërisht”, tha Peci.
Sido që të jetë, përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe njohës të drejtësisë thonë se mungesa e ligjeve për gjykata si dhe pagat e ulëta bëjnë që në sistemin e drejtësisë në vend, të ketë më pak përfshirje të juristëve të rinj.
Po sot, Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi i Kuvendit të Kosovës ka shqyrtuar çështjen e Projektligjit për Gjykatat. Anëtari i këtij komisioni, Armend Zemaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se ligji aktualisht është në fazën e shqyrtimit dhe, sipas tij, shumë shpejt do të përfundojë puna e fundit për amendamentimin e tij.
“Ne jemi në përfundim të amendamentimit të këtij projektligji, për organizimin, funksionimin dhe reduksionin e gjykatave në territorin e Kosovës. Jemi në fazën e finalizimit në komisionin për legjislacion dhe gjyqësi dhe pritet që në afatin sa më të shpejtë kohor, gjatë këtij muaji, gjatë seancave të ardhshme, të miratohet edhe në leximin e dytë”, tha Zemaj.
Në Kosovë ka filluar reformimi i sistemit të drejtësisë. Por, në fazën e parë, respektivisht në procesin e emërimit dhe të riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve, ka kritika se nuk janë përfshirë pothuajse fare juristët e rinj.
Lexoni edhe këto:
Telashet e gjyqësorit
A do të ndryshohet Kodi Penal?