Ndërlidhjet

Foshnjat luftojnë me të ftohtit


Foshnjat e porsalindura...
Foshnjat e porsalindura...
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ekzistojnë dy reparte të neonatologjisë: i pediatrisë dhe i gjinekologjisë. Mungesa e ngrohjes në këtë institucion paraqet vështirësi të shumta për nënat dhe foshnjat e porsalindura.

Pacientja Hajrije Smakiqi tregon se si ka arritur t’i përballojë kushtet aty:

“Kushtet janë shumë të vështira, s’ka ngrohje, është shumë ftoftë. Foshnja e ka përballuar si ka mundur. Ia kemi vendosur pranë disa shishe me ujë të nxehtë”.

Mynavere Hoxha, shefe e repartit të neonatologjisë, pranon se kjo klinikë punon me kushte të limituara. Probleme shtesë, sipas saj, kanë paraqitur dhe kushtet e ftohta atmosferike dhe mungesa e ngrohjes.

Hoxha thotë se po përdoren metodat alternative, të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në mënyrë që foshnjat t’iu shpëtojnë pasojave, që herë-herë, sipas saj, mund të jenë edhe fatale.

“Temperaturat janë vërtet të ulëta këtu. Po mundohemi të gjejmë metoda alternative për të mbijetuar foshnjat, e sidomos ato të lindura para terminit. Po shfrytëzojmë metodën lëkurë-lëkurë, duke ofruar foshnjën afër nënës, në mënyrë që ta zbusim situatën e krijuar në këtë klinikë”, thotë Hoxha.

Shpend Fazliu, zëdhënës në Qendrën Klinike Universitare, tregon për hapat që do të ndërmerren në drejtim të përmirësimit të gjendjes aktuale.

“Jemi institucion shëndetësor dhe specifikat e punës janë të tilla që ka nevojë për ngrohje 24 orë. Po shpresojmë që dy klinikat e neonatologjisë janë pajtuar që së bashku të funksionalizojnë një shërbim që do ta zbuste në masë të madhe apo do ta zgjidhte në tërësi çështjen”, thotë ai.

Sipas tij, falë përkushtimit të stafit, janë arritur rezultate dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë dështim, për shkak të mungesës së kushteve.

Lexoni edhe këtë:
Cilat duhet të jenë prioritetet?
XS
SM
MD
LG