Ndërlidhjet

Ekspertët: Votimet e shpeshta - demotivuese


Prishtinë
Prishtinë
Ekspertët e fushave të sociologjisë dhe psikologjisë, thonë se ky vit ka qenë i lodhshëm për qytetarët duke pasur parasysh se gjatë gjithë vitit ka pasur procese zgjedhore, ndërkaq, një gjë e tillë pritet edhe në fillim të vitit të ardhshëm. Sociologu Shemsi Reçica thotë se nëse kompetentët nuk do të marrin masa ligjore për keqpërdorimet në votime, qytetarët do të humbin besimin se vota e tyre ka vlerë. Ndërkaq, psikologu Dashamir Bërxulli, thotë se dalja e shpeshtë e qytetarëve në zgjedhje, është demotivuese për pjesëmarrjen e tyre në jetën publike.


Zgjedhjet me balotazh në disa komuna, në fillim të vitit, zgjedhjet e mëvonshme për kryetarë të komunave në Istog dhe Rahovec, si dhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në dhjetor, kanë bërë që qytetarët e Kosovës ta kenë vëmendjen gjatë gjithë vitit në proceset zgjedhore, thonë ekspertët e fushave të sociologjisë dhe psikologjisë.

Sipas tyre, parregullsitë e evidentuara në disa komuna dhe për pasojë edhe përsëritja e zgjedhjeve parlamentare në mënyrë të përgjithshme në 3 komuna dhe në 2 qendra votimi në dy komuna tjera, do të vazhdojnë të mbajnë pezull vëmendjen e qytetarëve.

Sociologu Shemsi Reçica, profesor në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se kjo situatë mund të reflektojë në dy mënyra te qytetarët në përgjithësi.

“Një vit i tërë dhe fillimi i vitit të ardhshëm në zgjedhje është, në një masë shumë të madhe, punë shumë e lodhshme për qytetarin e Kosovës. Mirëpo, unë shpresoj që këto e kanë edhe anën pozitive, për arsye se për herë të parë në Kosovë, ka filluar të shikohet më me vëmendje procesi i zgjedhjeve. Unë besoj që ky është një shans i mirë që njerëzit, në përgjithësi, por sidomos organet kompetente, të jenë më të vëmendshme për procesin zgjedhor”,
thotë Reçica.

Ndërsa, psikologu Dashamir Bërxulli, vlerëson se preokupimi në vazhdimësi i qytetarëve me zgjedhjet, mund të reflektojë pasoja negative.
Të qenët në zgjedhje, në vazhdimësi, e demotivon qytetarin e Kosovës që të marrë pjesë në jetën publike...


“Zgjedhjet në vazhdimësi, për popullatën e Kosovës, seriozisht mund të krijojnë tërheqje të vëmendjes nga aktivitetet tjera të rëndësishme për ta. Të qenët në zgjedhje, në vazhdimësi, e demotivon qytetarin e Kosovës që të marrë pjesë në jetën publike, që të jetë pasiv, mos të jetë shumë aktiv dhe natyrisht, të ketë probleme me vetë perceptimin e tij individual, por edhe shoqëror, se në cilën shoqëri jeton, se me çfarë fenomene përballet shoqëria. Natyrisht se kjo nuk është më pozitive në raport me zgjedhjet”,
vlerëson Bërxulli.

Ndryshe, këta ekspertë të fushave përkatëse vlerësojnë se qytetarët në të shumtën e rasteve kanë qenë të zhgënjyer me efikasitetin e të zgjedhurve të tyre në të kaluarën. Sipas tyre, nëse gjithë kësaj i shtohen edhe dështimet apo parregullsitë në disa komuna apo qendra të votimit gjatë zgjedhjeve parlamentare të sivjetme, kjo te qytetarët do të reflektojë në mënyrë tejet dekurajuese dhe negative.

Sociologu Reçica vlerëson se kompetentët duhet të marrin të gjitha masat, në mënyrë që qytetarëve të mos u krijohet bindja se vota e tyre është e pavlerë.
Nëse nuk do të ketë kurrfarë procedimi në gjykata, atëherë njerëzit, përfundimisht, mund ta humbin besimin në zgjedhje...

Natyrisht edhe tash janë shumë të zhgënjyer me atë që ka ngjarë deri më tash, por në qoftë se fillojnë që të marrin masa ndaj atyre që i kanë keqpërdorur kutitë e votimeve, sepse këto janë shkelje drastike, atëherë mund të kthehet besimi te zgjedhjet. Por, nëse nuk do të ketë kurrfarë procedimi në gjykata, atëherë njerëzit, përfundimisht, mund ta humbin besimin në zgjedhje dhe mund të ketë reflektime shumë negative te qytetarët e Kosovës”, thekson Reçica.

Ndërkaq, psikologu Bërxulli thotë se në rastin e zgjedhjeve parlamentare ka qenë e vërejtshme se qytetarët dëshirojnë që të jenë aktiv dhe që demokracinë në Kosovë ta bëjnë të shëndetshme.

Por, sipas Bërxullit, kompetentët duhet ta respektojnë dëshirën e qytetarëve, nëse nuk dëshirojnë të ballafaqohen në të ardhmen me, siç e quan ai, përtacinë e qytetarëve për të dalë në zgjedhje.

“Në rastin kur zgjedhjet keqmenaxhohen apo del një perceptim i gjymtuar i asaj çka qytetari mendon për veten dhe shoqërinë e vet, normalisht që atë do ta bënte edhe përtac, në afat të nesërm. Gjithashtu, do ta bënte që të mendonte disa herë që cilave grupe t’u bashkëngjitet. Por, në anën tjetër, do ta bënte që të ndihej i pasigurt në ambientin e tij”
, përfundon Bërxulli.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG