Ndërlidhjet

Imazhi i dëmtuar


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Imazhi i Kosovës në botë është dëmtuar me procesin e fundit zgjedhor dhe me vonesën e formimit të institucioneve të reja në vend, thanë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe analistët politikë.


Formimi i institucioneve të reja të Kosovës do të vonojë edhe më shumë sesa që ishte paraparë, për shkak të përsëritjes së procesit të votimit edhe në pesë komuna.

Kosova që nga 2 nëntori vazhdon të qeveriset me institucione në dorëheqje, me Parlament të shkarkuar, si dhe me ushtrues detyre të presidentit.

Ky i fundit, Jakup Krasniqi, shpjegoi ndikimet që do të kenë zvarritjet në emërimin e institucioneve të reja.

“Sigurisht që ky proces i lënduar demokratik e dëmton imazhin e Republikës së Kosovës dhe tani kemi këtë realitet që kemi dhe duhet ta kalojmë, por me mjete ligjore”,
tha Krasniqi.

Krasniqi theksoi se konstituimi i institucioneve do të bëhet vetëm atëherë kur procesi zgjedhor të jetë i pranueshëm për të gjithë.
Do të ishte më mirë që të shtyhet pak konstituimi i Kuvendit dhe institucioneve të tjera, sesa të kemi një kontestim të vazhdueshëm nga subjektet e ndryshme politike.

“Defektet që dolën më 12 dhjetor, na obligojnë që institucionet e pavarura t’i kryejnë të gjitha detyrat dhe obligimet sipas ligjit, në mënyrë që konstituimi i Kuvendit dhe institucioneve të dalë pas një procesi zgjedhor të pranuar për të gjitha subjektet politike që ishin në zgjedhje. Realisht, do të ishte më mirë që të shtyhet pak konstituimi i Kuvendit dhe institucioneve të tjera, sesa të kemi një kontestim të vazhdueshëm nga subjektet e ndryshme politike”,
theksoi Krasniqi.

Analisti Migjen Kelmendi konsideroi se procesi i votimit demokratik në Kosovë është dëmtuar rëndë.

Sipas tij, imazhi i Kosovës edhe me vonesën e krijimit të institucioneve të reja, por edhe me qeverisjen e deritashme, është shumë i brishtë.
Një shoqëri që e respekton së pari veten, i jep shumë domethënie imazhit që mund të transmetohet në rajon dhe më gjerë.

“Një shoqëri që e respekton së pari veten, i jep shumë domethënie imazhit që mund të transmetohet në rajon dhe më gjerë. Por, a mendoni se ky imazh yni është imazh i një shoqërie të zhvilluar, ose i një shoqërie premtuese? Sipas të gjitha raporteve që flasin për mënyrën se si është qeverisur dhe për Kosovën sot, imazh më të keq Kosova nuk mund të ketë sa e ka pasur dhe se sa ndihmuam ne ta ketë. Imazhi tashmë është i dëmtuar gati, gati fatalisht”,
pohoi Kelmendi.

Kelmendi, madje, tha se me mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit, janë shkelur rëndë të gjitha procedurat demokratike.

“Unë do ta vija theksin te ligji, te respektimi i votës dhe te procedurat demokratike, të cilat kam një përshtypje, sipas të gjitha indikacioneve, që janë shkelur dhe janë dhunuar me këtë proces zgjedhor. Prandaj, mungesa e institucioneve për mua nuk ka domethënie, sa ka domethënie vetë demokracia dhe liria e shprehjes së votës në një shoqëri”,
u shpreh Kelmendi.

Sa më shumë që vonohet konstituimi i institucioneve kryesore të vendit, aq më shumë do të ketë kundër-produktivitet për Kosovën në shumë aspekte, vlerësoi analisti tjetër politik, Driton Lajçi.

“Natyrisht që do të ketë ndikime, sidomos në ato obligime, të cilat i ka marrë Kosova në sferën ndërkombëtare. Nuk do të mund të fillojnë bisedimet për normalizim të raporteve me Serbinë. Qeveria nuk mund të funksionojë me kapacitete të plota. Kështu që dëmi është multidimensional”,
vlerësoi Lajçi.

Megjithatë, kritikat për manipulim të votës, janë të ndërsjella midis partive politike dhe analistëve e shoqërisë civile. Në këtë rrafsh, Jakup Krasniqi, ushtrues detyre i presidentit të Kosovës, dha një kritikë të veçantë për komisionerët e partive politike dhe për shoqërinë civile.

“Komisionerët e partive politike dhe të shoqërisë civile, që ishin në këto zgjedhje, sikur janë marrë vesh që pas ndarjeve të votave të subjekteve politike, të bëjnë dhe një parregullsi tjetër, duke luajtur me vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur për kandidatët e partive politike",
përfundoi Krasniqi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG