Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë vendim për anulimin e votimeve në Drenas, Skënderaj, Deçan, në një qendër votimi në Lipjan dhe një tjetër në Malishevë.
Ky vendim, sipas kryesuesit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Shukri Sylejmani, ka ardhur pasi që nga dëshmitë e dorëzuara nga partitë politike janë gjetur shkelje të mëdha gjatë procesit të votimit.
“Kemi marrë vendimin e lartpërmendur për shkak të shkeljeve dhe parregullsive serioze që janë bërë me rastin e votimit të qytetarëve nëpër vendvotime të ndryshme”, ka thënë Sylejmani.
Me qëllim që zgjedhjet të jenë fer dhe demokratike, si dhe të evidentohen parregullsitë dhe dilemat eventuale, PZAP-i ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të përsërisë votimin sipas dispozitave ligjore.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas këtij urdhri, ka miratuar vendimin e tij, që në këto komuna, më 9 janar, të ripërsëriten votimet.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se vendim për përsëritjen e votimit në 5 komuna është marrë pas vendimit të PZAP-it, dhe raportit të QNR-së për parregullsi.
“Në bazë të vendimi të PZAP-it, me të cilin është urdhëruar KQZ-ja që të ndërrohen komisionarët e qendrave të votimit, ne gjithsesi do ta procedojmë të gjithë materialin, me emrat të komisioneve e personave, të cilët kanë qenë atë ditë në ato qendra të votimit dhe i tërë ky material do të dërgohet në Prokuroritë përkatëse”, ka bërë të ditur Daka.
Nga ana tjetër, anëtari i KQZ-së, Blerim Burjani, përfaqësues nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e ka kundërshtuar vendimin e PZAP-it, duke e cilësuar atë si të pabazë kur është bërë krahasimi i komunës së Skënderajt e Drenasit me atë të Deçanit.
“Unë konsideroj që PZAP-i ka nxjerrë një vendim, për të cilin ka tentuar në një farë mënyrë të bëjë një balancim pa fakte dhe argumente të qarta, meqenëse nga KQZ-ja është kërkuar material zgjedhor për tri qendra votimi në komunën e Deçanit, unë nuk e kam të qartë në cilat fakte dhe argumente shtesë dhe ku i ka marrë ato materiale?!”.
“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nuk ka kërkuar materiale shtesë për 5 qendra, por ka kërkuar për 3 qendra. Ne konsiderojmë se ky vendim është i pabazë dhe do të bëjmë ankesë në Gjykatën Supreme”, është shprehur Burjani.
Mirëpo, kryesuesi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Shukri Sylejmani, ka theksuar se të gjitha vendimet janë marrë në bazë të fakteve dhe dëshmive shtesë.
“Ne konsiderojmë se kemi pasur prova të fuqishme për marrjen e vendimit të tillë. Provat materiale janë në rast se ndodh një gjë e tillë, në Gjykatën Supreme do t’i ofrojmë provat, me të cilat disponojmë”, ka theksuar Sylejmani.
Sido që të jetë, kryesuesi i PZAP-it, ka thënë se të gjitha 171 ankesat janë shqyrtuar dhe për to është vendosur.
Ndërkaq, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se me kohë do të arrihet që të përgatitet për të gjitha komunat që do të shkojnë në përsëritjen e votimit.
Sipas Dakës, pas rezultateve të këtyre votimeve, do të dilet me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, ku më pas do të mund të bëhet edhe konstituimi i institucioneve të reja.