Ndërlidhjet

Serbët para zgjedhjeve


Pano elektorale në Graçanicë.
Pano elektorale në Graçanicë.
Subjektet politike serbe, që do të garojnë në zgjedhjet e 12 dhjetorit, kanë prezantuar disa nga orientimet e tyre programore, si dhe qëllimet e daljes në zgjedhje. Gjatë një konference të mbajtur në Media Qendër në Çagllavicë, përfaqësuesit serbë kanë ritheksuar se e shohin Kosovën si pjesë të Serbisë, që administrohet nga Kombet e Bashkuara.


Të bindura se pjesëmarrja, e jo bojkoti, është në interesin e serbëve të Kosovës, subjektet politike nga ky komunitet kanë prezantuar pikëpamjet e tyre në prag të zgjedhjeve të 12 dhjetorit.

Bëhet fjalë për subjekte politike që nuk përfaqësojnë serbët e veriut, por ata të viseve tjera, pasi që në veri, si edhe në të kaluarën, strukturat e pushtetit paralel sikur e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e kësaj pakice në zgjedhjet dhe institucionet e Kosovës.

Nebojsha Llekiq, nga Partia për Kosovë e Metohi, tha se do të angazhohet për mirëqenien e komunitetit serb në Kosovë.

“Qëllimet e fushatës sonë bazohen në paqe, siguri, në të drejtën e lëvizjes dhe të gjitha të drejtat tjera njerëzore në Kosovë... një sistem i avancuar i arsimit dhe sistem më i mirë shëndetësor”, tha Llekiq.

Sllavisha Petkoviq, kryetar i Partisë Socialdemokrate Serbe, tha se partia e tij do të angazhohet kundër majorizimit të bashkësisë serbe në Kosovë, siç ka ndodhur, siç tha ai, në Shqipëri.

“Po përpiqen të ndryshojnë programin arsimor, kanë ndryshuar targat e veturave... Po t’i dëgjoni premtimet e partive shqiptare gjatë fushatës, vetëm pesë për qind nëse i zbatojnë, atëherë e kuptojmë se para nesh do të kemi një periudhë shumë të vështirë”, tha Petkoviq.

Nga ana tjetër, Radomir Dimiq, kryetar i Nismës Qytetare Krahu i Popullit, tha se angazhohet për kthimin e të zhvendosurve në Kosovë, pavarësisht përkatësisë etnike, si dhe për pajtimin ndërmjet komuniteteve.

“Përcaktimi ynë është ndërtimi i vlerave shumetnike evropiane, të bazuara në sistemin e pavarur të sundimit të ligjit”, tha Dimiq.

Këto qëllime, ai tha se do të realizoheshin përmes institucioneve.

Sasha Gjokiq, kryetar i Partisë Demokratike Serbe për Kosovën, tha se serbët, deri më tani, nuk kishin përfaqësues të denjë në institucione, andaj nuk kanë arritur të sigurojnë ekzistencën dhe kthimin e tyre. Ai u angazhua po ashtu për pajtim me shumicën.

“Sa u përket shqiptarëve, Partia Demokratike Serbe angazhohet për paqe dhe pajtim. Ne e shtrijmë dorën e pajtimit”, u shpreh Gjokiq.

Shumica e përfaqësuesve serbë kanë kritikuar Partinë e Pavarur Liberale, si pjesë e Qeverisë së Kosovës, aktualisht në dorëheqje, se ka harxhuar fondet e destinuara për kthimin e serbëve dhe nuk ka arritur rezultate.

Por, Dalibor Jevtiq, nga Partia e Pavarur Liberale, iu kundërpërgjigj kritikave, duke thënë se ishte meritë e partisë që përfaqëson ai, që serbët sot jetojnë më mirë.

“Partia e Pavarur Liberale është fajtore për atë se në mjediset serbe tash punohet diçka dhe se serbët në këto mjedise po jetojnë më mirë”, tha Jevtiq.

Gjatë debatit, shumica e subjekteve serbe që do të garojnë në zgjedhjet e 12 dhjetorit, thanë se e konsiderojnë ende Kosovën si pjesë të Serbisë që administrohet nga Kombet e Bashkuara përmes Rezolutës 1244.

Por, përfaqësimin e tyre në Parlamentin e Republikës së Kosovës, ata thanë se e shohin si të domosdoshëm për t’i mbrojtur interesat e serbëve që jetojnë në Kosovë.

Nga 29 subjektet e paraqitura për pjesëmarrje në zgjedhje, 8 prej tyre janë nga radhët e komunitetit serb.

Lexoni edhe këtë:
(S')do të ketë votime në veri!

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG