Ndërlidhjet

Flamuri i Kosovës - simbol i shtetësisë


Foto arkivi
Foto arkivi
Festa e 28 Nëntorit, e cila në Kosovë për vite të tëra është shënuar si Dita e Flamurit, që nga shpallja e pavarësisë, me Kushtetutë është e definuar si Ditë e Shqiptarëve. Çdo vit, kjo çështje nxit debate nga më të ndryshmet.

Disa thonë se emërtimi i kësaj feste si Ditë e Shqiptarëve i ka humbur kuptimin festës, kurse të tjerët pohojnë se me shpalljen e pavarësisë, Kosova ka flamurin e vet dhe ditën e pavarësisë së saj për të festuar.

Jakup Krasniqi, ushtrues detyre i presidentit të Kosovës, njëkohësisht edhe historian, pranon faktin se tradita e shqiptarëve ka qenë emocionalisht dhe shpirtërisht e lidhur në shumë aspekte me flamurin kuq e zi. Por, është flamuri i kaltër ai që simbolizon shtetësinë e Kosovës.
...elementi i shtetësisë në këtë rrafsh e ka shumë vështirë ta zëvendësojë flamurin historik, flamurin e kombit.

“Në këtë rrafsh, realisht edhe flamuri i ri, që është miratuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me ngjyrën e kaltër, me hartën e Kosovës, është element i shtetësisë. Kështu që, elementi i shtetësisë në këtë rrafsh e ka shumë vështirë ta zëvendësojë flamurin historik, flamurin e kombit, flamurin me të cilin njerëzit janë të lidhur edhe shpirtërisht, edhe emocionalisht”
, shprehet Krasniqi.

Duke u nisur pikërisht nga ky fakt, ai pohon se flamuri shtetëror është ambientuar në nivel të mirë në Republikën e Kosovës.

Krasniqi shpreh bindjen se në raport me shtetësinë e Kosovës, flamuri shtetëror që mban ngjyrën e kaltër, të verdhë dhe të bardhë, ka arritur të afirmohet, nisur nga përfaqësimi shtetëror që i bëhet Kosovës brenda dhe jashtë territorit të saj.

“Një gjë duhet ta kemi të gjithë parasysh: 28 Nëntori është një ditë e veçantë e popullit shqiptar, jo vetëm që lidhet me 28 Nëntorin e vitit 1912, por lidhet edhe më nëntorët e kthimit të Gjergj Kastriot Skënderbeut në Krujë”.

“Nëse e kemi parasysh këtë histori tepër të gjatë, qytetarët shqiptarë të Kosovës nuk do të ndahen në asnjë mënyrë nga elementi kombëtar, nga elementi që ka prodhuar nëntori si festë kombëtare”
, thotë Krasniqi.

Ai rikujton edhe aranzhimet që kanë iniciuar shtetësinë e Kosovës dhe rrjedhimisht edhe simbolet e saj shtetërore.
Flamuri i Kosovës është i vetmi, i cili e identifikon shtetin dhe kombin e Republikës së Kosovës.

“Realisht, ka mbetur nga dëshira, ose më mirë të themi nga ato tri parimet e Grupit të Kontaktit që Kosova të mos kthehet në vitin ‘99. Përpjekja ishte që Kosova t’i krijojë festat e veta, duke e lënë një ditë të rëndësishme si Ditë të Shqiptarëve, por pa atë anën zyrtare që zakonisht e ka pasur kjo festë”, thotë Krasniqi.

Nga ana tjetër, analisti politik, Halil Matoshi, lidhur me këtë çështje shpjegon:

“Objektivisht, flamuri kuq e zi i përket kombit shqiptar të Republikës së Shqipërisë. Atë flamur, deshëm apo nuk deshëm ne, mund ta kujtojmë me emocione të fuqishme. Mirëpo, flamuri i Kosovës është i vetmi, i cili e identifikon shtetin dhe kombin e Republikës së Kosovës”.

“Ky konfuzion është pasojë e teorive ideologjike për kombin, prandaj edhe po krijon konfuzione të mëtutjeshme”
, deklaron Matoshi.

Ai po ashtu thotë se Kosova synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, andaj edhe duhet të identifikohet me flamurin dhe simbolet e saj.

“Kosova është shtet i njohur nga 72 shtete të botës dhe përfundimisht duhet të identifikohet me flamurin e saj - e ky flamur është blu e verdh. Ndërkaq, edhe zyrtarisht, 28 Nëntori nuk është festë zyrtare e Kosovës, po hyn në atë korpusin e festave ceremoniale ose private”
, thekson Matoshi.

Lexoni edhe këtë: Dita e Flamurit apo Dita e Shqiptarëve(?)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG