Ndërlidhjet

Dilemat mbi pushimin e lehonisë


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Nataliteti në Kosovë ka shënuar rënie shqetësuese në vitet e fundit dhe sipas ekspertëve të shëndetësisë, Ligji për lehoninë ka qenë një prej faktorëve të cilësuar si shkaktarë të kësaj dukurie.

Në anën tjetër, më 2 nëntor, qeveria tashmë në dorëheqje ka miratuar Ligjin e punës, në bazë të të cilit pushimi i lehonisë zgjat 12 muaj. Por, vetë gratë mendojnë se ky ligj ka të mirat dhe të metat e veta.

Arlinda Syla, qytetare nga Prishtina, thotë se pushimi i lehonisë prej një viti është një përparësi e madhe për nënat. Por, megjithatë, ajo flet edhe për të metat e ligjit.

“Miratimi i Ligjit të punës për ne gratë është një gjë e mirë dhe i ka përparësitë e veta, sepse fëmijët që do të lindin tani, do ta kenë kujdesin e nënave 9 muaj, ashtu siç është thënë, me mundësi vazhdimi edhe për 3 muaj pa pagesë”.

“Ligji i ka edhe mangësitë e veta, pasi që sektori privat mund të mos punësojë femra të reja që janë fertile dhe pritet të lindin”,
thotë ajo.

Fadil Rracaj, nga Ministria në dorëheqje e Punës dhe Mirëqenies Sociale, jep më shumë hollësi rreth Ligjit të punës dhe pushimit të lehonisë.

“Pushimi i lehonisë zgjat 12 muaj; 6 muajt e parë, pushimin e paguan punëdhënësi në kompensim prej 70 % të pagës bazë; 3 muajt vijues i paguan Qeveria e Kosovës në bazë të pagës mesatare në Kosovë, ndërsa 3 muajt e fundit janë pa pagesë. Pra, femra ka mundësi ta zgjasë pushimin e lehonisë pa pagesë”, thotë Rracaj.

Sektori privat, që deri më tani është konsideruar si fushë problematike për mundësinë e zbatimit të këtij ligji, përfshihet në këtë mekanizëm ligjor.

Margarita Kadriu është udhëheqëse e një mediumi privat në Kosovë. Ajo thotë se Ligji i punës dhe ligjet tjera janë shumë të domosdoshme.

Zonja Kadriu thotë se kompania e saj nuk do të ketë ndonjë vështirësi në zbatimin e Ligjit të punës.

“Te ne ky mund të implementohet pa problem. Unë jam nënë e dy fëmijëve dhe e di se çfarë do të thotë të jesh nënë dhe të bësh karrierë. Janë disa profesione më specifike, ku të mungosh një vit është pak e vështirë për femrën, por jo edhe për punëdhënësin. Sido që të jetë, kjo është 6 plus 6 dhe femra ka mundësi të zgjedhë”, thotë Kadriu.

Sipas ekspertëve shëndetësorë, rënia e natalitetit ka shënuar shifra shqetësuese. Shefqet Lulaj, drejtor i klinikës gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se në 10 vjetët e fundit janë raportuar 27.8% lindje më pak, krahasuar me vitin 2000.

Nëse shifrat krahasohen me ato të vendeve evropiane, sipas tij, rënia e natalitetit bëhet edhe më brengosëse.

“Nëse krahasohet me vendet e tjera, është e lartë. Për shembull, në Gjermani, për 10 vjet, ka një rënie të numrit të lindjeve për 15%, në Austri 13 për qind, në Zvicër 5.6 për qind, ndërsa në Kosovë 27.8 për qind”, thekson Lulaj.

Lexoni edhe këtë:
Ligji i punës: Sa do të gjejë zbatim?
XS
SM
MD
LG