Pak orë pas vendimit të Aleancës Veri-Atlantike për reduktimin e mëtejmë të trupave të KFOR-it në Kosovë, komandanti i këtij misioni, Erhard Byhler, shpjegoi në një konferencë për media, se si do të duket kalimi në planin e ashtuquajtur operacional “Porta dy”.
Byhler bëri të ditur se, bazuar në këtë plan, deri në pranverën e vitit të ardhshëm, përveç rreth 5000 trupave që do t’i ketë misioni i NATO-s në Kosovë, në gjendje gatishmërie do të jenë dhe tri batalione jashtë vendit.
Byhler ritheksoi se vendimi i NATO-s për reduktimin e trupave në Kosovë është bazuar mbi vlerësimet që flasin për përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë dhe forcimin e kapaciteteve të mekanizmave të tjerë të sigurisë në vend.
Komandanti gjerman tha se me trupat, të cilat do të veprojë KFOR-i në Kosovë, do t’i mundësohet këtij misioni të përqendrohet në zonat më shqetësuese në aspektin e sigurisë, ndërsa përjashtoi mundësinë që për shkaqe të ndryshme të ketë trazira të pakontrollueshme.
“Ne do të kemi mjaft forca, rreth 5000, dhe tri batalione të përgatitura mirë jashtë vendit në mënyrë që do të mund të reagojmë ndaj çfarëdo sfide të sigurisë që do ta kemi në këtë shtet. Nuk pres trazira të shkallës së lartë siç i kemi parë në vitin 2004. Ne kemi shansin dhe mundësinë për t’u përqendruar në ato pika në vend për situatën e sigurisë të së cilave jemi të shqetësuar”, tha komandanti gjerman, Byhler.
Veriu i Kosovës, edhe pas përfundimit të fazës së ardhshme të reduktimit, pritet të jetë fokusi i angazhimit të KFOR-it. Byhler tha se misioni që ai drejton do të vazhdojë të ketë dy kampe në këtë pjesë të Kosovës.
“Në rajonin verior-në rajonin e ‘battle’ grup-it të veriut do të kemi dy kampe. Me dëshirë të kryetarit të komunës së Mitrovicës, zoti Kastrati, ne do të heqim dorë nga kampi ‘Belvedere’ dhe do ta mbajmë kampin ‘Novosellë’. Po ashtu, ne do ta mbajmë kampin krejt në veri-atë në Leposaviq”, tha Byhler.
Pjesa veriore e Kosovës pritet të jetë po ashtu një ndër temat kryesore që thuhet se do të figurojë në agjendën e bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit. I pyetur për mundësinë e tensionimit të situatës së sigurisë në Kosovë në kohën kur pritet të zhvillohen këto bisedime, Byhler u shpreh:
“Jo natyrisht se jo. As për shkak të zhvillimeve në vend, as për shkak të zhvillimeve politike, e as për shkak të dialogut. Mendoj se do të ndodhë e kundërta. Dialogu do t’i kontribuonte, sigurisht, uljes së tensioneve. Ky është qëllimi i dialogut”.
Në vitin 1999 trupat e KFOR-it numëronin diku 50 mijë ushtarë nga vendet anëtare dhe jo anëtare të NATO-s.
Në vitin 2002, numri i pjesëtarëve të KFOR-it u reduktua në 39 mijë, për të vazhduar në fazën e dytë të reduktimit në qershor të 2003-ës në 26 mijë, ndërsa në fund të po atij viti në Kosovë mbetën 17.500 ushtarë.
Aktualisht, në Kosovë veprojnë rreth 10 mijë trupa të KFOR-it.
Lexoni edhe këtë: Sfidat e Kosovës, 11 vjet pas