Ndërlidhjet

A po ndikon kriza në njohje?


Kriza institucionale në Kosovë, sipas analistëve, dëmton vendin në rrafshin ndërkombëtar dhe humb shansin e rritjes së njohjeve të reja. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme, që po udhëhiqet nga zëvendësministrja Vlora Çitaku, premton se nuk do të lejojë boshllëqe.


Prishja e koalicionit qeverisës PDK-LDK (Partia Demokratike e Kosovës – Lidhja Demokratike e Kosovës) dhe funksionimi i Qeverisë me gjysmë kapaciteti, sipas analistëve, dëmton Kosovën në rrafshin ndërkombëtar, në kohën kur po kërkohet forcimi i legjitimitetit të shtetit më të ri.

Ministria e Punëve të Jashtme ka qenë në fokus të kritikave, edhe para largimit të ministrit të LDK-së, Skënder Hyseni. Por, situata aktuale, sipas drejtorit të Klubit për Politikë të Jashtme, Ylli Hoxha, do ta komplikojë edhe më tej situatën.
Qeveria e Kosovës po e shpërdor mundësinë enorme që ka krijuar në aspektin diplomatik mendimi i GJND-së për Kosovën...


“Fatkeqësisht, Kosova po e bën atë që e kemi paralajmëruar. Qeveria e Kosovës po e shpërdor mundësinë enorme që ka krijuar në aspektin diplomatik mendimi i GJND-së për Kosovën dhe fatkeqësisht po e shpërdorim mundësinë për të kapitalizuar me këtë mendim”
, vlerëson Hoxha.

Vlora Çitaku, zëvendësministre e Punëve të Jashtme, ka marrë përsipër udhëheqjen e Ministrisë. Ajo sapo është kthyer nga Sllovakia, në një takim të kryediplomatëve të Ballkanit Perëndimor dhe të të ashtuquajturit "Forumi Vishegradit".

Çitaku premton se nuk do të ketë boshllëk në Ministri, por pranon se situata nuk mund të jetë e njëjtë tani kur është bosh vendi i ministrit.

“Situata nuk është e njëjtë si në kohën kur Ministria e Punëve të Jashtme ka pasur ministrin në krye të saj dhe, gjithsesi, se disa gjëra diktohen edhe nga niveli i përfaqësimit. Megjithatë, ne po bëjmë gjithë çka është e mundur që të mos krijojmë vakuum në kuadër të MPJ-së për shkak se kemi një varg procesesh të rëndësishme para nesh”
, thotë Çitaku.

Dhjetë ditë më parë, LDK-ja u tërhoq nga koalicioni qeverisës. Kryeministri Thaçi ende nuk i ka zëvendësuar vendet e lëna bosh nga ministrat e LDK-së, në pritje të zgjedhjeve eventuale të jashtëzakonshme, ndërkohë që ato të parakohshmet janë caktuar të mbahen më 13 shkurt.

Analistët thonë se me qeveri të përgjysmuar shumë procese mbesin në gjysmë. Por, sa i përket njohjeve të reja, Ylli Hoxha konsideron se nuk do të ketë ndonjë ndryshim.

“Në fakt t’i kesh vetëm 2 njohje pas vendimit të GJDN-së është mëkat dhe tregon se kjo Qeveri e ka marrë me joseriozitetin më të madh procesin e njohjeve, procesin e arritjes së legjitimitetit tonë ndërkombëtar”.

“Në aspekt të rezultateve të njohjeve, kriza nuk do të ndikojë shumë, sepse rezultatet ishin zero dhe ato do të vazhdojnë të mbesin zero në mungesë të punës të Qeverisë”,
shprehet Hoxha.

Që nga publikimi i mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më 22 korrik, i cili ishte në favor të Kosovës dhe tha se pavarësia nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare, Kosova u njoh vetëm nga dy shtete - Hondurasi dhe Kiribati. Pritjet ishin se do të kishte dhjetëra njohje të reja.

Vlora Çitaku, ndryshe nga ministri Hyseni, që pak para largimit paralajmëroi një valë njohjesh, nuk jep premtime. Për të aktualisht është e rëndësishme që të kryejë obligimet e lëna në gjysmë.
Vlora Çitaku


“Ne do të mundohemi që të kryejmë punët që kanë mbetur peng, të mos krijojmë boshllëk. Nuk është situatë e njëjtë sikur Kosova të ketë ministër, por unë me përgjegjësi do të mundohem t’i kryej obligimet e shumta që janë para kësaj ministrie
”, thekson Çitaku.


Sidoqoftë, kriza aktuale, sipas Ylli Hoxhës do të ketë ndikim shumë negativ në procesin e bisedimeve të paralajmëruara mes Kosovës e Serbisë.

“Reperkusionet e cungimit të legjitimitetit ndërkombëtar shihen brenda procesit të dialogut që është paralajmëruar dhe mund të rezultojnë jo këndshëm për shoqërinë kosovare”,
nënvizon Hoxha.

Diplomacia kosovare është kritikuar shpesh se nuk është aktive sa duhet në aktivitetet lobuese, ndërkohë që ajo serbe ka arritur të pengojë shumë njohje, madje edhe pas mendimit të GJND-së.

Deri më tash Kosovën e kanë njohur 71 vende, në kuadër të të cilave janë shtetet më të fuqishëm si SHBA-të dhe 22 vendet e BE-së.

Pesë vendet anëtare të BE-së, nuk e kane ndërruar qëndrimin karshi statusit të Kosovës, duke lënë hapësirë të thuhet se kjo do të paraqesë pengesë për integrimet evropiane të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG