Që nga dalja e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni qeveritar, Partia Demokratike e Kosovës ka ngritur zërin, duke kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme, për shkak se, siç thuhet, Qeveria nuk mund të funksionojë e përgjysmuar.
Por, dilemat për këtë i heqin njohësit e së drejtës kushtetuese, që thonë se juridikisht, Qeveria mund ta vazhdojë jetën deri pas zgjedhjeve, çfarëdo qofshin ato.
Një nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami, nga PDK-ja, thotë se edhe pse pa 6 ministra, Qeveria duhet të qëndrojë në detyrë deri sa të zgjedhet ekzekutivi i ardhshëm.
“Pa marrë parasysh se si do të rrjedhin gjërat rreth shpërndarjes së Parlamentit, Qeveria duhet të funksionojë qoftë si qeveri në mandat të plotë kushtetues, qoftë si qeveri në dorëheqje, derisa pas zgjedhjeve në procedura kushtetuese të mandatohet dhe zgjedhet kryeministri i ri”.
“Kjo është një praktikë e rregullt parlamentare, sepse nuk lejon kurrfarë vakuumi ligjor dhe institucional për shkak se në vendet demokratike shteti asnjë moment nuk duhet të ngelë pa ekzekutiv. Pa marrë parasysh krizën institucionale që ndodhet Kosova, Qeveria duhet të vazhdojë të funksionojë, sepse pushimi i punës së saj do të paraqesë defekt serioz në funksionimin e shtetit tonë”, thotë Bajrami.
Megjithatë, projektet e rëndësishme, si bisedimet me Serbinë apo miratimi i ligjeve e strategjive vitale, duket se do të shtyhen. Qeveria tashmë e përbërë vetëm nga PDK-ja dhe minoritetet nuk dëshiron që të shtyjë përpara ato që i cilëson procese të rëndësishme për vendin.
“Pa dyshim, projektet me interes vital dhe projektet strategjike kërkojnë një qeveri stabile, me legjitimitet të plotë, siç është rasti me Qeverinë aktuale, për shkak të përgjysmimit të saj, por punët e përgjithshme, punët rutinore dhe punët e drejtimit operativ dhe të shtetit, duhet t’i zhvillojë Qeveria”.
“Kjo për shkak të sfidave që e presin Kosovën, si procesi i bisedimeve, ai i afirmimit ndërkombëtar të Kosovës dhe gjendja në veri. Është më se e domosdoshme që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbahen sa më shpejt, në mënyrë që të legjitimohen organet dhe të konsolidohen plotësisht”, thekson Bajrami.
Një qëndrim i tillë shihet me skepticizëm nga deputetë të opozitës. Njohësi i çështjeve juridike, deputeti i Aleancës Kosova e Re, Riza Smaka, thotë se nuk ka nevojë që të ndërpritet asnjë proces i rëndësishëm.
Sipas Smakajt, deklaratat se nuk mund të funksionojë qeveria me kapacitete të përgjysmuara, më shumë kanë konotacione politike.
“Pikërisht këtë e thonë ata për të krijuar klimë politike më të volitshme që t’i shkaktojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Këtë e bëjnë për të dramatizuar, për ta krijuar një klimë se medoemos duhet t’i mbajnë ato, sa më parë që është e mundur, etj.”.
“Ne po flasim për rrjedhat normale që do të duhej të ishin, që shteti duhet ta ketë një stabilitet kushtetues, juridik edhe politik në harmoni me rendin juridik”, thotë Smaka.
Ai, madje, thotë se nuk duhet evituar as bisedimet me Serbinë, nëse kërkohet që të fillojnë para zgjedhjeve të parakohshme, apo të jashtëzakonshme.
“Mendoj se do të kisha votuar kurdoherë, që proceset politike të vazhdojnë, sepse kjo që ka ndodhur, tekefundit ka ndodhur edhe në shtetet që kanë tradita 1000 vjeçare, dhe për gjitha këto ka zgjidhje kushtetuese e juridike”.
“Nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. Prandaj edhe bisedimet me Serbinë, unë nuk do t’i kisha shtyrë, unë do t’i kisha vënë në agjendë dhe dinamikë, meqë ne e kemi Qeverinë e Kuvendin që kanë legjitimitet e legalitet”, shprehet Smaka.
Zgjedhjet e parakohshme janë caktuar nga ushtruesi i detyrës së presidentit të mbahen më 13 shkurt. Por, braktisja e koalicionit nga ana e LDK-së, ka ngjallur debatin, nëse zgjedhjet duhet mbajtur këtë vit, për të evituar thellimin e krizës institucionale.
Ende nuk ka konsensus të subjekteve politike në lidhje me këtë çështje.