Ndërlidhjet

Mungesë kushtesh


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Klinika infektive në Qendrën Klinike Universitare, frekuentohet nga një numër i konsiderueshëm i pacientëve në ditë, thonë zyrtarë shëndetësorë. Por, sipas pacientëve, kushtet që mbretërojnë aty nuk janë edhe aq të lakmueshme.

Halim Kastrati, pacient, thotë se në përgjithësi në klinikat e QKUK-së nuk ka shërbim cilësor.

“Nuk ke kurrfarë shërbimi, më tepër shkojmë në këto private se nuk ka asgjë aty”
, shprehet Kastrati.

Në anën tjetër, Shemsedin Dreshaj, drejtor i Klinikës infektive, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo klinikë ka kapacitet të mjaftueshëm për t'i hospitalizuar të gjithë pacientët që kërkojnë ndihmë, si dhe t’u ofrojë falas barna nga lista esenciale.

“Klinika infektive ka një numër të konsiderueshëm të pacientëve; kjo klinikë është pak më e favorizuar dhe kryesisht jemi të furnizuar me barna. Pacientët, të cilët hospitalizohen, shumicën e barnave i kanë gratis, sepse ua ofron klinika. Të gjithë pacientët që kërkojnë ndihmë, ndalen dhe trajtohen në këtë klinikë”
, thotë Dreshaj.

Ndërkaq, Shqipe Sfarça, zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se varësisht nga kërkesat e klinikave, bëhet furnizimi i barnave nga lista esenciale, por buxheti që kjo ministri posedon, sipas Sfarçës, shpeshherë i limiton kërkesat.

“Në bazë të kërkesave të tyre mujore, bëhet furnizimi me barna dhe normalisht në bazë të buxhetit. Asnjë klinikë nuk është e favorizuar, por duket se Klinika infektive duket se ka një disiplinë në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues”
, shpjegon Sfarça.

Edhe Shpend Fazliu, zëdhënës në Qendrën Klinike Universitare, pohon se sa i përket listës esenciale të barnave, ky institucion gjatë tërë vitit është ballafaquar me mungesa që janë të domosdoshme për punë.

“Presim që furnizimi të përmirësohet dhe kemi premtime nga Ministria e Shëndetësisë që do të furnizohet edhe më mirë QKUK-ja në përgjithësi”
, pohon Fazliu.

Klinika infektive tashmë ka hapur edhe tri reparte të reja, duke përfshirë edhe atë të mjekimit intensiv. Sipas Dreshajt, tashmë kjo klinikë disponon edhe 40 shtretër shtesë, ku do të mund të hospitalizohen pacientët.

Lexoni edhe këtë: Ku shërohen kosovarët?
XS
SM
MD
LG