Ndërlidhjet

A është i mjaftueshëm buxheti në QKU?


Buxheti për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për vitin 2010 është rreth 20 milionë euro, që do të thotë se është më i ulët sesa vitin e kaluar.

Kështu thotë drejtori i QKUK-së, Ali Sadria. Sipas tij, menaxhimi i kësaj qendre me një buxhet të tillë, do të jetë shumë i vështirë, duke marrë parasysh problemet dhe vështirësitë, nëpër të cilat ka kaluar shëndetësia, në përgjithësi, vitin e kaluar.

“Buxheti total i vitit 2010, është rreth 20 milionë. Gjendja në QKUK është e rëndë. Do ta kem shumë vështirë ta menaxhoj me një buxhet kaq të ulët”
, thotë Sadriu.

Ai shton se edhe donacionet e huaja janë në rënie krahasuar me vitet paraprake, kur si vend në tranzicion, ka pasur më shumë ndihma.

Qendra Klinike Universitare dhe shëndetësia në Kosovë, në përgjithësi, nuk ka avancime, edhe pse është një prej sektorëve më të ndjeshëm që realisht është dashur të përjetojë një avancim më të shpejtë.

Mirëpo, sipas zotit Sadriu, kjo nuk ka ndodhur.

“QKUK-ja ka 25 klinika, me 2760 punëtorë; trajtohen rastet e veçanta, mungojnë aparaturat, hapësirat etj.”, shpjegon Sadriu.

Sipas zotit Sadriu, është folur shumë herë dhe është premtuar zyrtarisht se do të ketë rritje të pagave të punëtorëve shëndetësorë.

Nga pamundësia për t’u përmirësuar kushtet e punës dhe të ardhurat financiare për stafin mjekësor në QKUK, gjatë vitit 2009 e kanë lëshuar punën 8 mjekë specialistë dhe 47 infermiere, që, siç thotë Sadriu, janë shifra alarmante.

“Qendra Klinike Universitare ka 526 mjekë, prej tyre 380 mjekë janë specialistë e subspecialistë dhe marrin pagë 300 euro. Kjo është diçka që nuk krahasohet”,
shprehet Sadriu.

Në anën tjetër, Nehat Baftiu, drejtor i anesteziologjisë, thotë se është i pakënaqur me shumë segmente në klinikën ku ai punon.

Buxheti edhe më i ulët se vitin e kaluar, shprehet se e revolton, duke mos parë ndonjë perspektivë për shëndetësinë Kosovare.

“Më brengos buxheti shumë i ulët për shëndetësi, në veçanti për QKUK-në dhe nuk shoh ndonjë perspektivë në këtë vend, sa i përket trajtimit të pacientëve. Si është e mundur që buxheti të jetë edhe më i ulët se vitin e kaluar?”

“Një Qendër Klinike Universitare me mbi 2,200 shtretër, ta ketë buxhetin 9 milionë euro, derisa kolegët në Maqedoni ta kenë buxhetin 119 milionë euro?
!”, shprehet Baftiu.

Zoti Baftiu thotë se në klinikën e anesteziologjisë, që ai e drejton, mungojnë rreth 50 për qind e barnave nga lista esenciale, duke shtuar se barnat esenciale nuk duhet të mungojnë as një për qind.

“Na kanë munguar barnat nga lista esenciale dhe kanë munguar rreth 50 për qind të barnave nga lista esenciale. Por, në sallë të operacionit nuk guxon të mungojë as një për qind e barnave, sepse kushton me një jetë njeriu
”, thotë Baftiu.

Ndërkaq, Asllan Bajrami, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë, thotë se shëndetësia në përgjithësi, e sidomos QKUK-ja, në veçanti, ka pasur përherë probleme me mjetet e pakta buxhetore,

Ndërsa, sivjet, me një buxhet edhe më të vogël, sipas tij, do të jetë shumë e vështirë.

“Buxheti është edhe më i vogël, që do të thotë se kushtet për punë do të jenë më të këqija, e ofrimi i shërbimeve shëndetësore më i ulët. Do të ketë probleme edhe me material furnizues”.

“Ndonëse është evidentuar më herët një menaxhim jo i mirë i mjeteve, presim që sivjet të ketë menaxhim më të mirë, edhe pse me më pak para, do të jetë e vështirë”,
thekson Bajrami.

Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se edhe pse Ministria e Shëndetësisë sivjet ka një buxhet më të ulët se vitin e kaluar, ndihmat nga donatorët e huaj nuk do të mungojnë.

Sipas Hotit, këtë vit pritet të investohen më shumë se 10 milionë euro.

“Buxheti 2010 do të ketë një shkurtim në kategorinë e investimeve kapitale, por Ministria e Shëndetësisë do të bëjë kompensimin në këtë kategori përmes ndihmës së donatorëve. Gjatë vitit 2010 pritet të investojnë rreth 10 milionë euro për shëndetësinë kosovare”,
shpjegon Hoti.
XS
SM
MD
LG