Ndërlidhjet

Pasojat e ksenofobisë


Pjesëmarrësit në debat.
Pjesëmarrësit në debat.
Analistë, filozofë, historianë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Beogradi dhe Prishtina theksuan nevojën e arritjes së pajtimit dhe procesit të lirimit nga, siç thuhet, ksenofobia, nacionalizimi dhe racizmi në mes të popujve të të dyja vendeve.

Në një konferencë për media, ata vlerësuan se një proces i tillë vështirësohet nga trashëgimia dhe e kaluara e përbashkët e Kosovës dhe e Serbisë, por theksuan se bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve të të dyja vendeve duhet të nxitet edhe nga institucionet shtetërore.

Historiania serbe, Latinka Peroviq, tha se në të ardhmen mund të ndodhë evolucioni i raporteve ndërmjet popullit serb dhe atij shqiptar, porse ai duhet të ndihmohet nga mekanizma të shumtë, përfshirë shtetet dhe shoqëritë e të dyja vendeve.

“Unë besoj në këtë evolucion, por mendoj se ai nuk do të vijë vetvetiu. Duhet të jetë strategji e vetëdijshme dhe për këtë duhet të ekzistojnë organizata, instrumente dhe gjithçka që siguron që një proces i tillë të përkrahet”, tha Peroviq.

Grupi i intelektualëve serbë qëndroi dy ditë në Prishtinë në kuadër të një projekti që ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit midis shoqërive të Kosovës e Serbisë, pavarësisht pengesave aktuale në marrëdhëniet politike.

Takimet që nisën në Prishtinë, thuhet se do të vazhdojnë në Beograd me vizitën e një delegacioni kosovar, që është parashikuar të realizohet në muajin dhjetor.

Përfaqësuesit e delegacionit beogradas i krahasuan takimet e tilla me “një pikë ujë në det” apo “dialog i jetës së pavlerë” për shkak të, siç thuhet, rëndësisë së madhe për zhvillimin e mëtejmë të kontakteve të tilla edhe në nivele të tjera.

Filozofi dhe analisti serb, Branimir Stojanoviq, tha se duhet të bëhet shembja e tabuve ekzistuese ndërmjet popullit të Serbisë dhe atij të Kosovës, duke rishkruar historinë, e cila, sipas tij, është një histori primitive dhe regresive, e ndikuar nga aparati shtetëror.

Stojanoviq theksoi se me kalimin e kohës, kjo mund të bëhet përmes, siç i quajti ai, proceseve të padukshme në art dhe fushave të tjera të bashkëpunimit.

“Ky është një proces që zhvillohet krejtësisht i anashkaluar nga shoqëria, mediat dhe çfarëdo analize. Por, pas 20 vjetësh, kur të shkruhet historia e arteve në Kosovë, thjesht, ajo do të mund të shkruhet vetëm nga unë, disa kolegë nga Beogradi dhe ndonjë artist ndërkombëtar. Kjo është ajo, për të cilën unë po ju flas. Këto janë struktura themelore”, u shpreh Stojanoviq.

Krahas dialogut shoqëror që thuhet se ka nisur me takimet e elitave shoqërore të Kosovës e Serbisë, Prishtina e Beogradi pritet që në javët dhe muajt e ardhshëm të nisin bisedimet për çështje të hapura ndërmjet vetes.

Luan Shllaku, nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur, vlerësoi se ndërmjetësimi i këtyre bisedimeve nga faktori ndërkombëtar nuk mund të sjellë rezultate të duhura lidhur me problemet ndërmjet dy vendeve, që, sipas tij, theksohen me gjendjen aktuale në veri të Kosovës.

“Ne kemi krizën më elementare të komunikimit në pjesën veriore të vendit. Në këtë kontekst, mendoj se vetëm negociatat, që do ta kenë dikë të tretë me karotë e shkop mbi kokë, i cili do të provojë të arrijë një rezultat të momentit, nuk janë të mjaftueshme për të nxitur një bashkëpunim të shëndoshë në mes të dy shteteve”, vlerësoi Shllaku.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko, tha se serbët në jug të Kosovës kanë mundur t’i shmangen instrumentalizimit të tyre nga Beogradi, gjë që, sipas saj, nuk ka ndodhur me serbët që jetojnë në veri të lumit Ibër.

Këta të fundit, por edhe shqiptarët në Serbi, sipas saj, duhet të integrohen në jetën institucionale të të dyja vendeve.

“Të gjitha mesazhet nga e gjithë bota tregojnë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që serbët në veri ta kuptojnë sa më shpejt këtë fakt dhe ta kthejnë veten kah kryeqyteti – Prishtina, duke i parë interesat e tyre dhe të ardhmen e ndërtimit në këtë kontekst. E njëjta gjë vlen për shqiptarët në Serbinë jugore”, tha Bisekro.

Lexoni edhe këtë:
Dialogu civil Kosovë-Serbi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG