Ndërlidhjet

Dialogu civil Kosovë-Serbi


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Problemet në vënien e dialogut politik mes Prishtinës e Beogradit zyrtar nuk duhet të ndikojnë në komunikimin dhe forcimin e “dialogut shoqëror” ndërmjet popujve në Kosovë e Serbi, u tha, ndër të tjera, në një debat në Prishtinë, ku morën pjesë intelektualë nga Kosova e shteti serb. Ata thanë se qëllim i fundit i një dialogu të tillë duhet të jetë pajtimi ndërmjet të dy popujve.


Një grup intelektualësh nga Kosova e Serbia diskutuan gjatë një debati në Prishtinë për mënyrat e zhvillimit dhe forcimit të një të ashtuquajturi “dialogu shoqëror” në mes të popujve të të dy vendeve, jashtë kontekstit politik.

Pavarësisht ekzistimit të gatishmërisë në Prishtinë e Beograd për zhvillimin e bisedimeve që kanë të bëjnë me çështjet e hapura ndërmjet të dyja vendeve, Borka Joviçoviq, intelektuale nga Beogradi, tha se çështjet, për të cilat duhet të bisedojnë qytetarët e Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të cilësohen si teknike, siç quhen nga klasat politike të të dyja vendeve.

“Jetët tona janë jetë të vërteta, e nuk janë kurrfarë çështjesh teknike. Buka është ushqim, art dhe teatër, ndërsa për politikanët janë çështje teknike. Këto nuk janë çështje teknike, ne jemi këtu, të gjallë dhe kjo është realitet”
, tha Joviçoviq.

Prishtina dhe Beogradi, edhe pse janë shprehur të gatshme për të nisur bisedimet për zgjidhjen e çështjeve të hapura në mes të dy vendeve, vazhdojnë të këmbëngulin në vijat e veta të kuqe duke e vështirësuar arritjen e kompromiseve për këto çështje.

Edhe pse ende nuk është caktuar koha, formati e temat e bisedimeve, në bisedimet e paralajmëruara dialogu shoqëror ndërmjet popujve të Kosovës e Serbisë, sipas ambasadorit italian në Kosovë, njëherësh përfaqësues special i Bashkimit Evropian për veriun e Kosovës, Michael Giffoni, mund të sjellë një dimension të ri në bisedimet e paralajmëruara ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

“Ky ndryshim i mentalitetit politik mund të sjellë rezultate të menjëhershme dhe konkrete në dialogun që do të nisë; në nivelin politik do të mund ta bazohej në konceptin e dimensionit të brendshëm politik, i cili do të mund të ishte tërësisht i ri”, u shpreh Giffoni.

Kryeredaktori i së përditshmes kosovare, Koha Ditore, Agron Bajrami, tha se qëllimi i fundit i dialogut ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij të Serbisë duhet të jetë pajtimi.

“Nuk duhet të mbështetemi në politikën, duhet të mbështetemi në idenë që dialogu komunikimi, njohja e njëri-tjetrit, pranimi i njëri-tjetrit dhe përballja me të kaluarën, posaçërisht, dhe përpjekja për të ardhmen, po ashtu, janë e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt asaj që do ta quaja jo vetëm dialog, por edhe pajtim”
, theksoi Bajrami.

Dragolub Todoroviq, avokat nga Serbia, i cili ka mbrojtur disa nga rreth 2000 shqiptarët, të cilët gjendeshin në burgjet serbe pas vitit 1999 dhe familjet e të viktimave të luftës në Kosovë, tha se janë disa parakushte për krijimin e një dialogu të mirëfilltë ndërmjet popujve në Serbi e Kosovë.

Todoroviq tha se nuk mund të ketë dialog, e as pajtim historik ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve pa i zgjidhur çështjet që ndërlidhen me krimet e luftës.

“Bëhet fjalë për krime të tmerrshme, të cilat nuk mund të krahasohen as me krimet në Kroaci, e as me ato në Bosnjë. Ajo çfarë kanë bërë institucionet shtetërore serbe në Kosovë, është e jashtëzakonshme. Këto krime, varrezat masive në Danub, Batajnicë e Peruçac nuk bën të mbyllen për shkak të dialogut dhe për shkak të bisedimeve për çështje teknike”,
u shpreh Tofdoroviq.

Pengesat politike në zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet dy vendeve, sipas drejtores së Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile, Venera Hajrullahu, po shndërrohen në pengesa për integrimin evropian për të dy palët.

“Realiteti që shohim është se në procesin e integrimit evropian, Kosova dhe Serbia mbajnë peng njëra-tjetrën. Asnjëri vend, jo vetëm se nuk do të bëhet anëtar i BE-së, pa e njohur njëri-tjetrin dhe pa i normalizuar marrëdhëniet ndërshtetërore, por edhe vetë procesi i integrimit do të pësojë dhe do të ngadalësohet”,
tha Hajrullahu.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG