Ndërlidhjet

(S’)ka rrjet ballkanik të trafikimit me njerëz


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Në muajin “Kundër trafikimit me qenie njerëzore” - i shpallur si i tillë nga Qeveria e Kosovës, përfaqësues të institucioneve dhe ata të shoqërisë civile kanë mbajtur një debat me studentët e Universitetit të Prishtinës për dukuritë e trafikimit me qenie njerëzore. Ata kanë thënë se kanë mundur të vërehen rezultate pozitive në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë dhe kanë hedhur poshtë idenë e shtrirjes së një “rrjeti ballkanik” të trafikimit në Kosovë.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se në bashkëpunim me vendet e rajonit dhe me përmirësimin e kapaciteteve të brendshme, kanë arritur të reduktojnë numrin e viktimave të trafikimit në Kosovë në nëntë vitet e kaluara.

Për dallim nga periudha e pasluftës ku, për shkak të, siç thuhet, mungesës së mekanizmave për sundimin e ligjit, ka ekzistuar një numër i lartë i viktimave të trafikimit, në këtë vit janë identifikuar 28 viktima.

Koordinatori Nacional kundër trafikimit të qenieve njerëzore, njëherësh zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelili, ka thënë se deri më tani Kosova nuk është përmendur si vend origjine për trafikimin me qenie njerëzore nga shtetet e Bashkimit Evropian.

Mund t’ju them se nga numri i viktimave të pasluftës, që kanë qenë diku mbi 170 viktima, në dy vitet e fundit numri ka rënë në 29 viktima. Në këtë tetë mujor kemi identifikuar 28 viktima”.

“Zyrtarisht, prej asnjë shteti të Evropës neve nuk na ka ardhur ndonjë kërkesë apo nuk na janë drejtuar që kanë identifikuar viktima të trafikimit të shtetit tonë në shtetin e tyre, për t’i kthyer ata në vendin tonë - gjegjësisht në vendin e origjinës”
, është shprehur Xhelili.

Megjithatë, sipas shifrave të Policisë së Kosovës, numri më i madh i viktimave të trafikimit në vend, të identifikuara nga viti 2001 deri më 2010 ka origjinë moldave, pastaj radhiten kosovaret, rumunet, shqiptaret dhe të tjera.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit për Kundër-trafikim në Policinë e Kosovës, Arben Paçarizi, ka thënë se me hyrjen e Rumanisë dhe Bullgarisë në Bashkimin Evropian, janë komplikuar hetimet lidhur me grupet kriminale që trafikojnë njerëz.

Sidoqoftë, Paçarizi ka theksuar se nuk mund të flitet për një “rrjet ballkanik” të trafikimit me qenie njerëzore.

“Ne kemi filluar një bashkëpunim më të mirë në aspektin ndërkombëtar; edhe ngritja, edhe avancimi nga sektorë hetues në drejtori na ka lehtësuar dhe na lejon që tash të kemi kontakte”.

“Kryesisht kemi kontakte të mira me shtetet e rajonit, përveç me Serbinë për shkaqe të ditura - do të thotë gjithçka shkon përmes EULEX-it. Pra, lirisht mund të them se nuk ka ndonjë grup të madh të organizuar, por janë grupe në nivele lokale, të cilat veprojnë në këto shtete”,
ka thënë Paçarizi.

Në mesin e krimeve të organizuara, si trafikimi me narkotikë e substanca narkotike, korrupsioni dhe të tjera, trafikimi me qenie njerëzore vlerësohet të jetë një nga krimet më fitimprurëse për kryesit e kësaj veprimtarie.

Paçarizi bën të ditur se gjatë këtij viti Policia e Kosovës ka arritur të arrestojë shtatë grupe që merren me trafikimin me qenie njerëzore.

“Vetëm brenda këtij viti, në Kosovë janë arrestuar shtatë grupe - do të thotë grupe që kanë pasur bashkëpunim pak me Shqipërinë, me vendet e tjera - Maqedoninë, por jo nivel i grupeve të mëdha kriminale”,
ka sqaruar Paçarizi.

Prania e dukurisë së trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë thuhet se, ndër të tjera, shkaktohet nga gjendja aktuale ekonomike e karakterizuar nga një shkallë e lartë e papunësisë dhe varfërisë krahasuar me vendet e tjera në botë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG