Ndërlidhjet

Bie numri i viktimave të trafikimit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Çështja e trafikimit të qenieve njerëzore vazhdon të jetë një nga problemet, me të cilat po përballen institucionet e Kosovës.

Në kuadër të aktiviteteve të fushatës “Vepro me përgjegjësi”, përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë mbajtur një konference për media, me ç'rast kanë thënë se Kosova, pos që është një vend ku ndodh trafikimi me qenie njerëzore, ajo shpeshherë shfrytëzohet edhe si vend transit.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelili, i cili njëherësh është edhe Koordinator Nacional kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, ka thënë se për luftimin e kësaj dukurie nevojitet një angazhim i madh, veç tjerash edhe ndihma nga ana e qytetarëve të vendit.

Zëvendësministri Xhelili ka nënvizuar se viteve të fundit, megjithatë, vërehet një rënie e trafikimit të njerëzve në Kosovë.

“Parametrat matës tregojnë se shteti ynë është duke arritur rezultate të mira në luftë kundër trafikimit me qenie njerëzore. Numri i viktimave është duke u zvogëluar dukshëm, duke llogaritur shifrat e pasluftës e deri më tani”, ka thënë Xhelili.

Koordinatori nacional kundër trafikimit të qenieve njerëzore, Fatmir Xhelili, ka deklaruar se institucione e Kosovës, janë duke i rritur kapacitetet dhe duke trajnuar policinë kufitare, në mënyrë që sa më lehtë të identifikohen trafikuesit dhe viktimat.

“Në Kosovë mund të kalojë edhe ndonjë viktimë e trafikimit; si çdo shtet tjetër, edhe në shtetet e Evropës ka viktima të trafikimit me qenie njerëzore, por ne jemi duke i përmbyllur dhe mbyllur hapësirat për ta shfrytëzuar Kosovën si vend transit”, ka theksuar Xhelili.

Sipas statistikave që ka Policia e Kosovës, prej vitit 2001 deri në vitin 2009 numërohen 572 viktima. Kapiten Arben Paçarizi, ushtrues detyre i drejtorit për Kundër-trafikim në Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se vetëm gjatë vitit 2010 janë trafikuar 23 viktima.

“Janë 572 viktima të identifikuara në Kosovë për periudhën kohore 2001 -2009, ndërsa gjatë këtij viti janë të identifikuar 23 viktima, kurse prej tyre 13 janë kosovare, 6 janë shqiptare të Shqipërisë, 1 moldave, 2 serbe dhe 1 polake - kjo është për periudhën gjatë vitit 2010”, ka sqaruar Paçarizi.

Edhe statistikat që posedojnë organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen dhe parandalimin e trafikimit të njerëzve tregojnë se numri i viktimave është i ngjashëm me ato të institucioneve.

Hamijete Dedolli nga Qendra për mbrojtjen e viktimës dhe parandalimin e trafikimin me qenie njerëzore, është shprehur:

“Statistikat, të cilat janë dhënë, janë të njëjta me ato, që ne i kemi. Madje, në vitin e fundit ne e kemi një numër më të vogël sesa atë që e ka dhënë Qeveria. Kjo për vetë faktin që ne punojmë për rehabilitimin dhe integrimin e viktimave dhe se të gjitha ato nuk janë referuar për rehabilitim, sepse të gjitha viktimat që janë identifikuar nuk kanë pranuar të rehabilitohen dhe të integrohen”.

Basri Kastrati, anëtar i Grupit ndërministror kundër trafikimit të njerëzve nga Ministria e Drejtësisë, ka deklaruar se krahas procesit të reformimit në sistemin e drejtësisë, edhe rastet që kanë të bëjnë me trafikimin e njerëzve kanë filluar të zgjidhen.

“Gjashtë raste janë të zgjidhura për këtë vit. Kjo do të thotë që shihet se gjyqësori, pas reformimit, ka filluar të japë rezultate konkrete. Asnjë viktimë nuk na ka mbetur në rrugë për shkak të kujdesit”, ka thënë Kastrati.

Sipas parametrave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, shkaqet më të shpeshta që i shtyjnë njerëzit për t’u marrë me aktivitete të tilla kriminale janë kushte e vështira socio-ekonomike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG