Ndërlidhjet

Reduktimi i KFOR-it, shenjë e stabilitetit


Paqeruajtës të KFOR-it
Paqeruajtës të KFOR-it
Përfaqësuesit e lartë të NATO-s kanë deklaruar në Bruksel se pavarësisht incidenteve të fundit në veri të Kosovës, situata e përgjithshme e sigurisë në vend është duke u përmirësuar.

Kjo, sipas tyre, bën që aleatët të jenë ende të interesuar për reduktim shtesë të pranisë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë.

Mundësinë e shkurtimit të trupave të KFOR-it e mirëpresin edhe zyrtarët e institucioneve të Kosovës dhe ekspertët e çështjeve ushtarake dhe atyre të sigurisë. Ata thonë se ky reduktim nuk do të paraqiste rrezik për paqen dhe stabilitetin e Kosovës.

Bajram Rexhepi
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, thotë se autoritetet e rendit janë të gatshme për t’i marrë të gjitha përgjegjësitë, të cilat deri më tash i kanë takuar KFOR-it.

“Këto janë vlerësimet e NATO-s, ata kanë vlerësuar drejt. Çdo ditë, Policia e Kosovës po tregohet më e gatshme për të marrë shumë obligime, të cilat në të kaluarën i ka kryer KFOR-i. Po ashtu, në të ardhmen, FSK-ja (Forca e Sigurisë e Kosovës) do të bëhet ushtri e Kosovës”, shprehet Rexhepi.

Pikëpamje të ngjashme ka dhe eksperti i çështjeve ushtarake dhe atyre të sigurisë, Naim Maloku. Sipas tij, reduktimi duhet të ndodhë për faktin se shumë pjesëtarë të KFOR-it janë liruar nga shumë përgjegjësi që i kanë pasur para pak vitesh.

“Ka shumë vite që KFOR-i është liruar nga angazhimet dhe kompetencat e një policie në Kosovë. Nuk ka më punkte të KFOR-it. KFOR-i është liruar nga shumë përgjegjësi që kanë qenë praktikisht detyra të policisë dhe tani ka mbetur vetëm sigurimi i tërësisë territoriale të Kosovës”, thotë Maloku.

Naim Maloku
Ai, mundësinë e zvogëlimit të trupave të KFOR-it e arsyeton edhe me faktin se, siç shprehet, i tërë rajoni po hyn nën ombrellën e sigurisë së NATO-s.

“Krejt rajoni po hyn nën një ombrellë të një sigurie kolektive që, praktikisht, pashmangshëm çdo deri te zvogëlimi i trupave jo vetëm të KFOR-it, por edhe të forcave ushtarake të rajonit”, deklaron Maloku.

Por, ministri i Brendshëm, Rexhepi, thotë se për shkak të situatës në veri të Mitrovicës, është me rendësi që, megjithatë, të mbetet një prezencë e KFOR-it atje.

“Është me rëndësi që të jetë një prezencë e trupave të KFOR-it, për arsye se ata kanë mundësi që në rast nevoje ta rrisnin numrin kurdo. Më tepër duhet të jenë prezentë në pjesën veriore dhe në kufi me Serbinë. Ndërsa, në pjesë të tjera të Kosovës, prezenca e tyre është e mirëseardhur, por jo e domosdoshme”, thotë Rexhepi.

Aktualisht, në Kosovë llogaritet se ka rreth 10 mijë trupa të KFOR-it. Shefi i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka thënë se para çdo vendimi për reduktim të trupave të NATO-s, kjo e fundit do të presë analizat e autoriteteve ushtarake, që do të analizojnë edhe situatën politike, por edhe atë të sigurisë në terren.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG