Ndërlidhjet

Barna me afat të skaduar


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Në Kosovë, barna me afat të skaduar mund të gjesh si në institucionet publike, po ashtu edhe në ato private, thonë zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë.
Zef Komoni, kryeinspektor shëndetësor në këtë ministri, thotë se çdoherë gjatë inspektimit të institucioneve të shëndetësisë, është hasur në barna me afat të skaduar.

"Ne kontrollojmë institucionet publike dhe private, prezencën e barnave nëse kanë afat apo nuk kanë afat. Thënë të vërtetën, inspektorati shëndetësor është formuar më 1 qertshor, 2006, dhe nuk ka ekzistuar asnjë institucion shëndetësor që nuk ka pasur barna pa afat. Por, me kohë, gjithnjë e më pak gjenden barna me afat të skaduar. Megjithatë, nuk mund të them se gjendja është e shkëlqyeshme
“, thotë Komoni.

Në anën tjetër, Jeton Shala, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPM), thotë se për institucionet publike shëndetësore, hyrja e barnave autorizohet me leje të ministrisë, kurse për ato private, një leje e tillë nuk është e nevojshme.

Por, sipas zotit Shala, tregu i zi me barna në Kosovë është gjithmonë prezent.

"Inspektorati farmaceutik, që ka qenë pjesë e AKPM-së, tash është nën ombrellën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe është përgjegjës për kontrollimin e barnave që hyjnë në Kosovë. Tregu i zi ekziston sikurse edhe në çdo vend të rajonit, por ne do të mundohemi ta luftojmë atë“, shprehet Shala.

Pacientët janë ata që pësojnë nga barnat me afat të skaduar. Për këtë çështje flet Nora Gashi, qytetare, e cila bën thirrje për një kontroll më të rreptë të autoriteteve mbi barnat me afat të skaduar, që qarkullojnë në vend.

"Ka treg të zi. Kjo shihet dhe nga vetë fakti që në barnatore gjen barna pa banderola. Unë mendoj se nuk ka kontroll të duhur, duke ditur se çfarë rreziku paraqesin medikamentet“, thotë ajo.

Haki Ejupi, monitorues i sistemit farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se importi i barnave është i rregulluar me ligj dhe secili produkt që hyn në Kosovë, duhet të ketë licencë importi, paraprakisht duke i plotësuar kërkesat.

"Secila kompani qarkulluese farmaceutike e barnave duhet t’i nënshtrohet marrjes së licencës së produkteve që importon në Kosovë. Përpos licencës, duhet edhe banderola, në mënyrë që të vërtetohet se produkti ka kaluar në procedurat ligjore për t’u vendosur në treg“, deklaron Ejupi.

Sipas tij, në Kosovë janë 76 importues apo autorizues të prodhimeve evropiane farmaceutike, mirëpo, shton ai, kontrabandimi me barna është një fenomen tjetër, me të cilin përballet shoqëria kosovare.

"Kontrabanda është në një shkallë të madhe në Kosovë, por ne mundohemi ta luftojmë me të gjitha infrastrukturat ligjore që posedojmë“, thekson Ejupi.

Ai shton se barnat që nuk posedojnë banderolë, cilësohen si barna të kontrabanduara. Ejupi thotë se Ministria e Shëndetësisë, gjatë secilit inspektim që bën, ndërmerr masat e parapara me ligj ose konfiskon produktin e dyshimtë.

Sipas Ligjit për Produkte Medicinale, që është miratuar në vitin 2003 nga Kuvendi i Kosovës, Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale ka të drejtë të ndërmarrë masa ndëshkuese, të cilat do të caktohen nga gjykatat kompetente të Kosovës ndaj atyre që fusin në treg barna me afat të skaduar apo prejardhje të dyshimtë.

Lexoni edhe këto:
Dëmet e buxhetit nga kontratat e barnave
Furnizimi me barna - dyshime për keqpërdorim

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG