Ndërlidhjet

Dëmet e buxhetit nga kontratat e barnave


Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë shprehin shqetësimin se kontratat e nënshkruara më herët ndërmjet kësaj ministrie me kompanitë farmaceutike private, e kanë dëmtuar rëndë buxhetin e Kosovës.

Këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Ilir Tolaj, thotë se ministria, deri më tani, ka paguar barnat me një çmim tepër të lartë, krahasuar me vlerën reale të tyre.

Si rrjedhojë e, siç i quan ai, keqpërdorimeve, tashmë është formuar një komision i veçantë në kuadër të ministrisë.

“Shumica e çmimeve, me të cilat Ministria e Shëndetësisë furnizohet, janë më të larta sesa çmimet referente - më të lartat në Evropë. Raporti i prezantuar i komisionit ka treguar që 16 barna, që janë analizuar për një furnizim 6-mujor, kanë kaluar diferencën prej 300 mijë eurosh. Ne furnizohemi me këto barna 300 mijë euro më shtrenjtë, sesa që furnizohet cilido institucion në Evropë”, thotë Tolaj.

Sipas tij, analiza nga komisioni i ri ka treguar se furnizimi me barna dhe material shpenzues vjen nga prodhues jo të verifikuar.

“Pavarësisht deklarimeve që do të furnizohemi me prodhime të verifikuara, ne furnizohemi me barna të paverifikuara dhe ato vijnë nga Kina dhe pjesë të Azisë”.

“Ministria duhet të ketë kontrata për furnizim që të mbrojë interesin e ministrisë, e jo interesin e furnizuesve dhe ndërmjetësve, që deri më tash kanë operuar lirshëm në këtë sektor”,
thotë Tolaj.

Ai shton se një numër i caktuar i barnave, që gjenden në depo, janë para afatit të skadimit. Ky furnizim, thotë Tolaj, është bërë “me qëllim të interesit të dikujt e jo të mbrojtjes së institucionit”.

Në anën tjetër, Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), thotë se autoritetet shëndetësore duhet të sigurojnë, para së gjithash, furnizim me barna cilësore e çmime të arsyeshme, si dhe me kualitet të përcaktuar nga OBSH-ja.

“Ministria e Shëndetësisë duhet të themelojë një mekanizëm të mirëfilltë të furnizimit, me qëllim që barnat të jenë me çmime të arsyeshme dhe kualitet të përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, shprehet ai.

Sidoqoftë, sipas Tolajt, me kompanitë farmaceutike tashmë janë ndërprerë kontratat e furnizimit me barna.

Bashkëpunimi ka mbetur i paprekur deri në fund të vitit vetëm me disa nga këto kompani, në mënyrë që të mos ndihet mungesa e të paktën barnave esenciale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG