Ndërlidhjet

Pengesat para FSK-së


FSK
FSK

Zyrtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, edhe pse nuk deklarojnë saktësisht kohën se kur kjo forcë do të operacionalizohet tërësisht, thonë se janë në rrugë të drejtë për kompletimin e saj.

Sipas tyre, objektiv strategjik i FSK-së, është që të formohet një forcë e përgatitur dhe e pajisur me mjete dhe armatim të njëjtë me vendet anëtare të NATO-s.

Enver Dugolli, zyrtar për marrëdhënie me publikun në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, thotë:
Objektiv strategjik i FSK-së ka qenë dhe është që të kemi një forcë të përgatitur dhe pajisur me mjete dhe armatim të standardizuar me vendet tjera anëtare të NATO-s, prandaj jemi duke rrugëtuar suksesshëm drejt këtij objektivi.


“Objektiv strategjik i FSK-së ka qenë dhe është që të kemi një forcë të përgatitur dhe pajisur me mjete dhe armatim të standardizuar me vendet tjera anëtare të NATO-s, prandaj jemi duke rrugëtuar suksesshëm drejt këtij objektivi”.

“Në këtë fazë kemi armatim aq sa është bërë planifikimi. I gjithë ky kontingjent i armatimit është blerë me mjete nga buxheti i Kosovës duke ndjekur të gjitha procedurat ligjore. Forca e Sigurisë e Kosovës ka pranuar donacione të tjera të shumta në pajisje të tjera nga shtete të shumta mike, por jo armatim. Për këtë pjesë të pajisjeve(armatimin) është planifikuar që të bëhet nga buxheti i Kosovës”.


Aktualisht, FSK-ja ka mbi 2000 pjesëtarë aktivë, të cilët kryejnë detyrat dhe funksionet e tyre në përputhshmëri të plotë me misionin dhe vizionin që ka kjo forcë.

Sipas Planit të Ahtisarit, mbi të cilin rrjedhimisht është mbështetur dhe Ligji për FSK-në, Forca e Sigurisë së Kosovës është e paraparë të ketë 2500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë.

FSK

Sipas zëdhënësit Dugolli, operacionalizimi i tërësishëm FSK-së do të bëhet ashtu siç është paraparë edhe me mbështetje të NATO-s.

“Operacionalizimi dhe kompletimi i plotë i FSK-së do të ndodhë ashtu siç është paraparë me planin zhvillimor për këtë fazë. Dihet se NATO-ja dhe KFOR-i janë mbështetësit kryesorë për këtë fazë të zhvillimit të FSK-së, prandaj të gjitha përgatitjet dhe të arriturat janë një punë dhe kontribut i përbashkët”,
shprehet Dugolli.


Zyrtarët e FSK-së pohojnë se aktualisht kjo forcë ka disa njësi të gatshme për aksione dhe detyra reale.

Disa nga njësitë janë duke kryer operacione, siç janë njësitë e çminimit, kërkim-shpëtimit, mbrojtjes kimiko-atomiko-biologjike etj.

Dugolli shton se kjo forcë deri në operacionalizimin e saj para vetes ka disa sfida, e ndër to përmend operacionalizimin e tërësishëm të kësaj force.

Nga ana tjetër, ekspertë të çështjeve të sigurisë dhe atyre ushtarake, operacionalizimin e kësaj force e shohin si shumë të vonuar.

Eksperti Ramadan Qehaja konsideron se kjo vonesë po ndodh për shkak të mosmenaxhimi të duhur dhe nepotizmit.

“Problemet më të mëdha janë te menaxhimi i kësaj force, sepse nuk ka pasur ndonjë aktivitet të përshpejtuar që kjo forcë të jetë e formësuar në mënyrën e përshpejtuar”.
Ngecje është që edhe faktori ndërkombëtar nuk ka qenë në gjendje që këtë forcë ta formësojë sa më shpejt.


“Menaxhimi ka qenë asisoj që gjërat kanë shkuar ngadalë. Ka pasur dobësi të brendshme, ka pasur nepotizëm. Ngecje është që edhe faktori ndërkombëtar nuk ka qenë në gjendje që këtë forcë ta formësojë sa më shpejt”,
vlerëson Qehaj.

Një mangësi tjetër në funksionimi e duhur të kësaj force, sipas ekspertit Qehaja, është se ajo nuk do të ketë armatimin e duhur që duhet ta ketë një forcë dhe se, siç shprehet ai, jo të gjithë pjesëtarët e kësaj force do të jenë të pajisur me armë.

“Çdo pjesëtar i FSK-së në fillim duhet të jetë i armatosur, kjo nuk ka ndodhur. Mandej numri i armëve, të cilat kanë arritur, është i pamjaftueshëm - thuhet se numri i tyre është diku rrethe 400, ndërsa deri tash kemi 1900 - 2000 veta që janë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, prandaj edhe këtu është një ngecje”
, nënvizon Qehaja.

Forca e Sigurisë së Kosovës është e armatosur lehtë dhe nuk do të ketë armë të rënda, siç janë tanket, artileria e rëndë apo kapacitete sulmuese ajrore, ky është një nga përkufizimet e obligimeve të FSK-së, që del nga Ligji për këtë forcë.

Sido që të jetë, zyrtarët e lartë të NATO-së kanë vlerësuar të arriturat e deritashme rreth hapave të parë drejt operacionalizimit të FSK-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG