Ndërlidhjet

Pa zbutje të papunësisë dhe varfërisë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Gjendja ekonomike në Kosovë nuk është duke rezultuar me parametra premtues për një zhvillim, i cili do ta zbuste gjendjen e rëndë sociale, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike dhe sociale në vend.

Ata thonë se niveli i zhvillimit ekonomik është jopremtues për uljen e shkallës së lartë të papunësisë dhe të varfërisë.

Muhamet Sadiku, ekspert për çështje të ekonomisë nga Instituti “Riinvest”, thotë se Kosova vazhdon të mbetet vend me zhvillim të ulët ekonomik.
Sipas tij, ekzistojnë vlerësime se Kosova gjatë këtij viti do të ketë rritje ekonomike deri në 5 për qind.

Por, siç thotë Sadiku, kjo rritje do të jetë e pamjaftueshme për ta zbutur problemin e papunësisë dhe varfërisë, duke pasur parasysh se për çdo vit në tregun e punës hyjnë deri në 30 mijë të rinj, ndërkohë që niveli i rritjes ekonomike premton mundësinë e punësimit të rreth 6 mijë të papunësuarve.

Muhamet Sadiku

“Sado rritje minimale ekonomike që të ketë Kosova, kjo rritje nuk po shndërrohet në punësim më të madh. Përderisa të ndodhë kështu, atëherë Kosova me të vërtetë do të përballet me sfida të mëdha sociale”.

“Kosova ka nevojë për rritje ekonomike, e cila prodhon punësim dhe përderisa kjo nuk ndodh, agonia sociale në Kosovë do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme dhe kjo do të bëhet një pengesë e madhe në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane
”, vlerëson Sadiku.


Ndryshe, kohë më parë Komisioni Evropian, në raportin e tij kishte potencuar se numri i të papunësuarve në Kosovë, në fillimin e këtij viti, është shtuar.

Në anën tjetër, sociologu Fadil Maloku thotë se në kuadër të shifrave të papunësisë në përgjithësi, është evidente edhe ngritja e numrit të të rinjve që kanë kryer kualifikime përkatëse dhe nuk gjejnë punë.

Fadil Maloku

Një gjë e tillë, sipas Malokut, duhet të paraqesë shqetësim për Qeverinë e Kosovës.

“Në qoftë se ekspertët ose Qeveria aktuale nuk ndërmerr diçka në drejtim të krijimit të parakushteve për hapjen e vendeve të reja të punës, ose të ndërmarrë hapin për një perspektivë të re për këto kontingjente të reja, që për çdo vit hyjnë në treg të punës 25 mijë deri 30 mijë njerëz të rinj, që janë potencë për të zhvilluar vendin, kujtoj se nuk jemi duke shkuar në drejtimin e duhur".

"Pakënaqësinë sociale do ta sjellë pikërisht ky trend negativ dhe kjo pakujdesi”,
thotë Maloku.


Ndërsa, moszhvillimi ekonomik dhe pamundësia për të ulur nivelin e lartë të papunësisë, sipas Sadikut, kanë ndikuar në vazhdimësi në ngritjen e shkallës së varfërisë në Kosovë.

“Duke ditur se rreth 50 për qind e popullatës së Kosovë jetojnë në zonën e varfërisë, kjo me të vërtetë tregon se Kosova, për momentin, është duke u përballur me një kohezion tejet të brishtë social”.


“Besoj se kjo tregon që, edhe në të ardhmen, institucionet e Kosovës, Qeveria e Kosovës, suksesin e vet kryesisht duhet ta masin me atë se brenda një viti në Kosovë, sa veta mund të gjejnë punë”,
thekson Sadiku.

Por, sociologu Maloku, thotë se niveli i lartë i papunësisë dhe i varfërisë janë gjeneratorë të pashmangshëm të pakënaqësive sociale, të cilët rrezikojnë të shpërthejnë.

Një shpërthim eventual i këtyre pakënaqësive, sipas tij, bart në vete mjaft rreziqe.

“Pakënaqësia sociale do të sjellë edhe pakënaqësi të tjera, në sferat tjera dhe në trendët tjerë zhvillimorë të Kosovës, ku është shënuar përparim. Pikërisht, në sferën politike, kujtoj që është duke u zhvilluar një debat publik për rehabilitimin e trendëve politikë”.

“Por, por trendët ekonomikë dhe social, nëse vazhdojnë sikurse deri më tash, unë kujtoj se, nëse flasim në mënyrë hipotetike, në mënyrë zinxhirore, të gjitha investimet që i ka bërë bashkësia ndërkombëtare gjatë 10 vjetëve të fundit, do të viheshin në pikëpyetje”,
përfundon sociologu Maloku.
XS
SM
MD
LG