Ndërlidhjet

Paqartësi për manastiret serbe


Manastiri i Deçanit
Manastiri i Deçanit

Misioni i NATO-s në Kosovë shprehet i vendosur që të vazhdojë procesin e bartjes së kompetencave për ruajtjen e disa monumenteve fetare e kulturore serbe te Policia e Kosovës. Sipas përfaqësuesve të KFOR-it, vendimet për këtë proces, merren në konsultim të ngushtë me të gjithë faktorët relevantë duke përfshirë udhëheqësit e manastireve. Këta të fundit thonë se qëndrimi i tyre kundërshtues ndaj procesit të bartjes së kompetencave te Policia e Kosovës, nuk është marrë parasysh.


Institucionet fetare serbe në Kosovë ndihen të neglizhuara nga procesi vendimmarrës i bartjes së kompetencave për ruajtjen e monumenteve fetare e kulturore serbe nga KFOR-i te Policia e Kosovës.

Përfaqësues të monumenteve ortodokse serbe thonë se qysh në fund të vitit të kaluar ia kanë bërë të qartë misionit të NATO-s në Kosovë se nuk ekzistojnë, siç thuhet, kushtet e nevojshme, që do të mundësonin transferimin e kompetencave nga KFOR-i te Policia e Kosovës.

Kreu i Manastirit të Deçanit, Ati Sava Janjiq, theksoi nevojën për praninë e trupave të KFOR-it në objektet e tetë manastireve serbe për një periudhë më të gjatë kohore, ngase, sipas, tij nuk ekziston një besueshmëri e plotë te Policia e Kosovës.

“Konsiderojmë se është më së miri që manastiret t’i sigurojë KFOR-i dhe jo Policia e Kosovës, sepse ende nuk është vendosur një besueshmëri e plotë te Policia e Kosovës, edhe pse përpiqemi të kemi raporte korrekte”.


“Por, përfundimisht kemi nevojë për prani ndërkombëtare edhe për një periudhë kohore, sepse kjo çështje ende është herët të zgjidhet në nivelin lokal
”, shprehet Janjiq.

Në mars të këtij viti, KFOR-i kishte bartur kompetencat kryesore për ruajtjen e Monumentit të Gazimestanit te Policia e Kosovës, për shkak të, siç thuhet, përmirësimit të situatës së sigurisë në vend.

Në fillim të muajit të shkuar NATO-ja vendosi që të nisë procesi i transferimit të përgjegjësisë për ruajtjen e manastireve të Graçanicës, Budisavcit, Goriocit dhe Zoçishtit te Policia e Kosovës në mënyrë graduale-proces që ka marrë një zhvillim më të definuar në Graçanicë.

Graçanicë

Në bisedimet me palët përgjegjëse thuhet se ka qenë dhe do të vazhdojnë të jenë të përfshirë edhe përfaqësues të institucioneve fetare serbe.

Zëdhënësi i KFOR-it, Michael Koetting, shpjegon:

“Ka pasur shumë negociata ndërmjet peshkopit Teodosije dhe komandantit të KFOR-it, jo një herë, por disa herë. Pra, ata kanë qenë të informuar për çdo hap”.

Megjithatë, as në KFOR e as në Policinë e Kosovës nuk është precizuar ndonjë afat kohor se kur do të kryhet transferimi i kompetencave dhe se sa do të jetë kohëzgjatja e qëndrimit të trupave të KFOR-it në këto monumente.

Duke folur për Manastirin e Graçanicës, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë se Policia e Kosovës është e gatshme të marrë përsipër rolin për ruajtjen e këtij monumenti fetar, por nuk është në dijeni se a do të vazhdojë mbikëqyrja në këtë dhe manastiret e tjera nga ana e KFOR-it.

“E tëra varet nga bashkëpunimi, koordinimi dhe vendosja e përbashkët me KFOR-in
”, thotë Kelani.

KFOR-i ende nuk ka marrë ndonjë sinjal nga Brukseli se kur mund të nisë bartja e kompetencave te Policia e Kosovës për Patrikanën e Pejës, Manastirin e Deçanit, atë të Deviçit dhe Kryeengjëjve.

Janjiq kundërshton edhe procesin në zhvillim të bartjes së kompetencave për katër manastiret e tjera dhe thotë se të tetat kanë rëndësi të njëjtë kulturore dhe nevojë për një mbrojtje më të sofistikuar.

“Të tetë manastiret që ruhen nga KFOR-i janë të rëndësishme për ne. Manastiri i Deçanit është sulmuar dy herë, pavarësisht faktit se ruhet nga KFOR-i”.

“Ky manastir dihet fare mirë se kishte një rol të rëndësishëm humanitar edhe gjatë kohës së luftës. Kështu që, si për popullatën lokale shqiptare, ashtu edhe atë serbe është më së miri që ai të ruhet nga forcat e KFOR-it”,
thekson Janjiq.

Kritika në drejtim të KFOR-it lidhur me transferimin e kompetencave për ruajtjen e manastireve serbe te Policia e Kosovës adresoi, ditë më parë, edhe peshkopi Teodosje, duke thënë se vendimet për këtë proces janë marrë në mënyrë të njëanshme nga ana e KFOR-it.

Lexoni edhe këto:Mbikëqyrja e objekteve të shenjta
Policia e Kosovës ruan Manastirin e Graçanicës

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG