Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, pas Manastrit të Graçanicës, po përgatiten t’i transferojnë përgjegjësitë te Policia e Kosovës për ruajtjen edhe të tri monumenteve tjera fetare, Gorioçit, Budisavcit dhe Zoçishtit.
Ende nuk dihet se kur Policia e Kosovës do të fillojë të ruajë Manastirin e Deçanit dhe Patrikanën e Pejës, që vlerësohen si ndër më të rëndësishmet nga Kisha Ortodokse Serbe.
Ndërkohë, vendimi i KFOR-it, që policia ta ruajë Manastirin e Graçanicës ka ngjallur reagime të ashpra të Kishës Ortodokse Serbe, e cila përmes përfaqësuesve të saj thotë se një vendim i tillë do ta cenojë sigurinë e objekteve të shenjta në Kosovë.
Peshkopi Teodosie përmes një komunikate për media, thotë se, as kisha dhe as populli serb, nuk i beson Policisë së Kosovës. Ai sqaron se vendimi i KFOR-it është marrë pa pajtimin e Kishës Ortodokse Serbe.
Teodosije thekson se me këtë vendim dërgohet, siç thotë ai, porosi shumë negative, para së gjithash për popullin serb, “dekurajohet kthimi dhe i vihet vulë spastrimit etknik të popullit serb”.
Por, kjo nuk do ta ndalojë KFOR-in që t’i transferojë përgjegjësitë për tri monumentet tjera të mbetura.
Këshilli Veri-Atlantik ka vendosur që t’i largojë trupat nga këto katër manastire
“Këshilli Veri-Atlantik ka vendosur që t’i largojë trupat nga këto katër manastire. Ky vendim është marrë në korrik dhe ne do ta bëjmë këtë me Manastirin e parë në Graçanicë”, tha zëdhënësi i KFOR-it, Majkëll Koting.
Sipas Planit të Ahtisarit, në periudhën kalimtare KFOR-i ruan manastiret kryesore dhe monumentet memoriale. Policia e Kosovës tashmë ka marrë përsipër ruajtjen e Monumentit të Gazimestanit dhe të Graçanicës.
Ndërkohë, ende nuk është vendosur se kur do të barten përgjegjësitë për Mnastirin e Deçanit, Patrikanën e Pejës, Manastirin e Akrangjelit të Shenjtë dhe të Deviçit.
Ministri i Kulturës, Lutfi Haziri, dikasteri i të cilit është përgjegjës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore e fetare, vlerëson lart kalimin e përgjegjësive nga KFOR-i te Policia e Kosovës.
“Në radhë të parë, hapi i madh pozitiv për Kosovën është që të largohen ushtarët nga tempujt fetarë, manastiret dhe objektet e trashëgimisë kulturore dhe kalojnë tek organet e shtetit, te policia. Dhe, në shumicën e rasteve, monumentet e tilla dhe tempujt e tillë ruhen nga organet e shtetit, jo vetëm në Kosovë, por gjithkund tjetër”, thotë Haziri.
Trazirat e vitit 2004 kanë bërë që ruajtja e objekteve religjioze ortodokse të rregullohet edhe me akte ligjore, ndërkohë që për një siguri të tillë nuk kanë nevojë kishat katolike apo xhamitë.
Ministri Haziri shpjegon:
“Kosova e ka pasur një moment të rëndë në vitin 2004, dëmtimi i pjesërishëm i monumenteve dhe kishave ortodokse serbe ka bërë që kjo pasiguri të shtohet, në vecanti të partnerët tanë, por edhe te komuniteti”.
“Buxhetit të Kosovës i ka kushtuar shumë restaurimi dhe renovimi i objekteve të Kishës Ortodokse Serbe dhe natyrisht ne nuk guxojmë në asnjë situatë të sillemi ndryshe, pos garancive kushtetuese që ofrohen”, thekson Haziri.
Në anën tjetër, Zyra Civile Ndërkombëtare ka vlerësuar se Policia e Kosovës tashmë është e aftë për të ruajtur monumentet e trashëgimisë kulturore e fetare.
Ne, si ICO, ndajmë besimin me KFOR-in se Policia e Kosovës është e aftë që ta ndërmarrë këtë detyrë të re.
“Ne, si ICO, ndajmë besimin me KFOR-in se Policia e Kosovës është e aftë që ta ndërmarrë këtë detyrë të re. Është detyrë e rëndësishme për policinë”, deklaron zëdhënësi i ICO-së, Kai Muller Berner.
Ndryshe, insittucionet e Kosovës nuk kanë kontakte direkte me Kishën Ortodokse Serbe. Edhe gjatë renovimit të kishave të dëmtuara gjatë vitit 2004, qenë paraqitur probleme për shkak të moskomunikimit.
Aktualisht, ambasadori grek në Kosovë, po vepron si lehtësues i bisedimeve mes dy palëve.