Ndërlidhjet

Ficxherald: KFOR-i zbaton 12 44-shin


Admirali Mark Ficxherald në një nga vizitat e tij bërë FSK-së
Admirali Mark Ficxherald në një nga vizitat e tij bërë FSK-së

Përfaqësues të NATO-s thanë se trupat e KFOR-it do të vazhdojnë të zbatojnë Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pavarësisht mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ata theksuan se do të vazhdojnë ta mbështesin Forcën e Sigurisë së Kosovës deri në arritjen e kapaciteteve të plota operacionale, të cilat, siç thuhet, do t’ia mundësojnë kësaj force të marrë pjesë në misione humanitare në botë.


Misioni i NATO-s në Kosovë do të vazhdojë punën e vet në kuadër të Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, thanë përfaqësues të këtij misioni.

Ata theksuan se pavarësisht mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, baza e misionit të KFOR-it do të mbetet dokumenti i Këshillit të Sigurimit.

Ndonëse autoritetet kosovare vlerësuan se vlefshmëria e 12 44-shit ka kaluar pas procesit në GJND, komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Mark Ficxherald, tha se zbatimi i këtij dokumenti do të mbetet udhëzim në fuqi për trupat e NATO-s në Kosovë deri në ndonjë vendim tjetër.

Fitcxherald nuk deshi të komentojë zhvillimet eventuale në mbledhjen e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ngase ato, sipas tij, janë çështje politike.

“Udhëzimi ynë mbetet zbatimi i 12 44-shit. Misioni do të kalojë në cilëndo fazë që do të shfaqet. Nuk mund t’ua lexoj mendjen shteteve anëtare dhe është e drejtë e tyre, por puna jonë do të vazhdojë ashtu siç jemi urdhëruar”
, u shpreh Fitzxherald pas një vizite që i bëri Njësitit për deminim të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në fshatin Harilaç, në afërsi të Prishtinës.

Puna e deritashme e këtij njësiti dhe vendimi për t’ia kaluar Policisë së Kosovës përgjegjësinë për mbrojtjen e një pjese të manastireve ortodokse serbe, sipas tij, dëshmojnë ekzistimin e një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë.

Admirali Fitcxherald tha se misioni i NATO-s në Kosovë do të vazhdojë ta mbështesë FSK-në derisa kjo forcë të arrijë kapacitetet e plota operacionale.

Markus Bentler
Përfundimi i kësaj faze duket të jetë dhe kusht për pjesëmarrjen e trupave të FSK-së në misione humanitare jashtë vendit. Komandanti i KFOR-it, Markus Bentler, sqaroi:

“Mendoj se është pjesë e aftësisë së plotë operacionale, që Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë e gatshme të kontribuojë në misione ndërkombëtare në të gjithë botën”.

“E kemi parë këtë tashmë në Shqipëri. Ai ishte hapi i parë dhe gjatë procesit të ngritjes (së FSK-së) ne jemi bërë gati për t’iu transferuar dhe për t’i aftësuar për pjesëmarrje në misione të tilla, por natyrisht se u takon institucioneve në Kosovë që ta marrin këtë vendim”
.


Kapacitetet fillestare operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë përqendruar në mënjanimin e mjeteve shpërthyese, zjarrfikje, operim me materie të rrezikshme dhe kërkim-shpëtim, me përkrahje nga kapacitetet e logjistikës, ato medicinale dhe të sigurisë.

Sylejman Selimi

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, kohë më parë, kishin thënë se deri në vitin 2012 FSK-ja do të mund të jetë plotësisht operacionale.

Komandanti i FSK-së, Sylejman Selimi, tha se kjo forcë ka dëshmuar aftësinë e saj së fundi edhe gjatë asistencës që u ofroi trupave të ushtrisë së Shqipërisë gjatë vërshimeve që kapluan vendin në fillim të këtij viti.


“Jemi duke demonstruar në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës në terren. Kemi shërbyer bashkë me ekipet për kërkim-shpëtim, bashkë me ekipet e deminimit dhe kemi pasur rastin dhe mundësinë që këtë ta dëshmojmë jo vetëm jashtë, por edhe në vendet si Shqipëria”,
theksoi Selimi.

Lexoni edhe këto:
Mbikëqyrja e objekteve të shenjta
Shkodër: Vazhdon evakuimi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG