Ndërlidhjet

Liqeni i Peruçacit, varrezë masive?


Kërkimet në bregun e Liqenit të Peruçacit.
Kërkimet në bregun e Liqenit të Peruçacit.
Rënia e nivelit të ujit për 18 metra në Liqenin e Peruçacit ka krijuar mundësinë për fillimin e kërkimeve për viktimat e luftërave në Bosnjë dhe Kosovë, mbetjet mortore të të cilave dyshohet të jenë në këtë lokacion.

Velko Odalloviq, drejtues i Grupit Punues të Serbisë për Personat e Pagjetur, tha se hulumtimet kanë filluar me kërkesën e delegacionit të Prishtinës dhe atij të Bosnjë e Hercegovinës.

Odalloviq deklaroi se gjatë ditës së djeshme janë bërë kërkime në gjatësi prej 8 kilometrash rrugë ujore si dhe në terrenin tokësor.

“Me punën që kanë bërë ekspertët, është gjetur një numër i mbetjeve mortore. Ato tash duhet të vërtetohen nëse janë mbetje mortore të njerëzve. Do të thotë, kur patologët dhe njerëzit që duhet të japin mendimin profesional, e vërtetojnë këtë, të njëjtit do t’i marrin mostrat për ADN dhe do të kryejnë vërtetimin”, sqaroi Odalloviq.

Ai tha se gjatë kërkimeve janë gjetur edhe disa pjesë të kamionit frigorifer, në të cilin, vite më parë, janë gjendur mbetje mortore të shqiptarëve të Kosovës.

Sipas tij, kërkimet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme dhe, varësisht nga nevojat, edhe më gjatë.

Në lokacionin ku po bëhen kërkimet, të pranishme janë edhe delegacionet e grupeve punuese për të pagjeturit nga Kosova, Bosnjë e Hercegovina, si dhe Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur.

Odalloviq tha se prania e tyre është në cilësinë e vëzhguesve.

“Të gjitha këto delegacione janë në cilësinë e vëzhguesve, sepse ky monitorim është princip i punës. Kudo që gjejmë diçka që mund të ndërlidhet me konfliktet në ish-Jugosllavi, në territorin e Serbisë ne i ftojmë përfaqësuesit e palëve të interesuara dhe bashkërisht e bëjmë hulumtimin e terrenit”, deklaroi Odalloviq.

Në anën tjetër, familjarët e personave të pagjetur të Kosovës shpresojnë se kërkimet në Liqenin e Peruçacit do të sjellin rezultate. Lidhur me këtë çështje, Haki Kasumi, drejtues i Këshillit të Asociacioneve të Familjarëve të Personave të Pagjetur të Kosovës, tha:

“Na mban shpresa se do të zvogëlohet numri i njerëzve, të cilët presin me dhimbje dhe me ankth, tash e 11 vjet, informacionin për më të dashurit e tyre. Shpresojmë se fati i këtij informacioni (për Liqenin e Peruçacit) të mos jetë i njëjtë me atë të informacionit për vend-varrezën afër Rashkës në Rudnicë, ku u dha informacioni nga burimet serbe dhe tash çështja po ngec”.

“Megjithatë, neve na mbetet të shpresojmë dhe të presim se vërtet do të ketë rezultate në këto përpjekje që po bëhen”,
u shpreh Kasumi.

Ai tha se familjarët e personave të pagjetur shpresojnë se hulumtimet për gjetjen e më të dashurve të tyre do të vazhdojnë edhe në lokacione të tjera të dyshuara. Sipas tij, pritjet janë që institucionet e Kosovës, zyrtarët e Beogradit, si dhe bashkësia ndërkombëtare të bëjnë më shumë në këtë drejtim.

“Ne, në njëfarë mënyre, jemi ngopur me premtime dhe me fjalët që premtojnë shumë. Neve na interesojnë vetëm rezultatet. Rezultatet po mungojnë”.

“Nga qershori i vitit 2005, çështja dhe procesi i hulumtimit dhe gjetjes së njerëzve, që janë të evidencuar si të pagjetur, janë në ngecje. Numri, për fat të keq, është ende i madh. Kalon shifrën mbi 1 mijë e 800. Ky numër vërtet është shqetësues. Ndërsa, rezultatet janë minimale”,
tha Kasumi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG