Dalja nga recesioni e disa shteteve perëndimore dhe trendi pozitiv që tashmë po vërehet në ekonominë botërore, kanë sjellë efekte pozitive edhe në Kosovë, thonë njohës të çështjeve ekonomike. Sipas tyre, kjo vërehet në rritjen e dërgesave nga kosovarët që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës.
Sipas statistikave preliminare të Bankës Qendrore të Kosovës, në pesë muajt e parë të këtij viti vërehet një rritje e remitencave prej 1.6 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Besnik Kada, zëdhënës në BQK-jep më shumë hollësi:
Sa i përket shteteve prej nga vijnë remitencat, rezulton se Gjermania dhe Zvicra janë dy shtetet kryesore, ku vlerësohet se edhe është e përqendruar pjesa më e madhe e emigrantëve kosovarë.
“Remitencat, përfshirë periudhën janar-maj 2010 kapin shifrën prej 186 milionë eurosh, krahasuar me 183 milionë euro sa ishin në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ose rritje vjetore prej 1.6 për qind. Sa i përket shteteve prej nga vijnë remitencat, rezulton se Gjermania dhe Zvicra janë dy shtetet kryesore, ku vlerësohet se edhe është e përqendruar pjesa më e madhe e emigrantëve kosovarë”.
Kada thotë se vetëm nga Gjermania dhe Zvicra, vijnë rreth gjysma e vlerës së përgjithshme të remitencave, ndërsa rreth 80 për qind e tyre vijnë përmes kanaleve zyrtare, përmes bankave komerciale dhe agjencive për transferin e mjeteve.
Por, njohës të çështjeve ekonomike thonë se shuma e dërgesave nga diaspora mund të jetë edhe më e lartë, pasi jo gjithmonë kosovarët mjetet e tyre i dërgojnë përmes sistemit bankar.
Pavarësisht kësaj, eksperti Ibrahim Rexhepi, thotë se rritja e remitencave në Kosovë, ndikon drejtpërdrejt në stabilizimin ekonomik të vendit, por është edhe refleksion i gjendjes stabile në shtetin, ku është përqendruar migracioni kosovar.
Ai, ndërkaq, thekson se stabilizimi i dërgesave nga diaspora, tregon se kosovarët nuk i kanë humbur vendet e punës në shtetet që vjetëve të fundit ishin kapluar nga kriza financiare.
...ka gjasa që në muajt në vijim, më konkretisht gjatë muajve të verës, remitencat të jenë shumë më të larta...
“Duhet pasur parasysh faktin se rënia e remitencave në vitin e kaluar nuk ka qenë aq shqetësuese, meqenëse tash po shihet se ato janë stabilizuar dhe ka gjasa që në muajt në vijim, apo më konkretisht gjatë muajve të verës remitencat të jenë shumë më të larta, pasi ardhja e njerëzve nga diaspora është shumë më e madhe”, thekson Rexhepi.
Sipas Rexhepit, shuma e dërgesave nga diaspora mund të llogaritet më e lartë se të dhënat nga zyrat, pasi, sipas tij, ka forma të ndryshme të dërgesave. Në kontekst të mënyrës së dërgimit të remitencave, rreth 80 për qind të tyre vijnë përmes kanaleve zyrtare (bankat komerciale dhe agjencitë për transferin e mjeteve).
Ndërsa, që nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2009 diaspora kosovare, sipas statistikave të Bankës Qendrore të Kosovës, ka dërguar në Kosovë 2 miliardë e 798 milionë euro.
Ndryshe, vitin e kaluar dërgesat nga jashtë kishin rënë për 30 milionë euro, krahasuar me vitin 2008, kur remitencat kanë pasur vlerën e 535.4 milionë eurosh. Megjithatë, njohës të çështjeve ekonomike thonë se rezultate nuk janë edhe shumë të kënaqshme, pasi në këtë drejtim ka munguar interesimi i investitorëve të huaj.
Në anën tjetër, ekspertët që po analizojnë situatën aktuale ekonomike në botë thonë se efektet e krizës globale financiare po vërehen edhe në Kosovë, pavarësisht faktit që disa shtete perëndimore tashmë kanë dalë nga recesioni dhe se tani ka trend pozitiv në ekonominë botërore.