Të dhënat preliminare të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, tregojnë se dërgesat e emigrantëve për tre muajt e parë të vitit 2010, kanë shënuar një rritje të lehtë prej rreth 2 për qind, krahasuar më periudhën e njëjtë të vitit 2009.
Sokol Havolli, ekonomist i lartë në këtë bankë, thotë se në tremujorin e parë të vitit 2009, dërgesat e emigrantëve kanë qenë 101.2 milionë euro, ndërsa prej muajit janar deri në muajin mars, në Kosovë kanë arritur rreth 103 milionë euro.
“Këto dërgesa dominojnë nga Gjermania, Zvicra, Italia, Austrisë si dhe vendet skandinave. Mirëpo, dominimin më të lartë e kanë Gjermania pastaj Zvicra”, thotë Havolli
Havolli shton se afër 25 për qind e popullatës, ose mbi 500 mijë emigrantë kosovarë jetojnë në vende të ndryshme të Evropës.
Të ardhurat e tyre gjatë një viti, sipas tij, tejkalojnë shumën prej 4 miliardë eurosh, prej të cilave 28 për qind i mbajnë në banka, kursime për vete, ndërsa 12 për qind i dërgojnë në formë të remitencave për përkrahje familjarëve të tyre në Kosovë.
Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, shprehin drojën se remitencat në muajt e ardhshëm mund të zvogëlohen.
Berat Rukiqi, sekretar në Odën Ekonomike të Kosovës, madje thotë se ulja e remitencave viteve të kaluara, por edhe gjatë këtij viti, duhet të trajtohet si problem, pasi ulja e tyre, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me uljen e konsumit të qytetarëve kosovarë.
“Unë jam skeptik se do të kemi vazhdimësi të rritjes së remitencave. Mirëpo, unë besoj fuqimisht se kjo çështje nuk duhet të jetë shqetësuese, nëse punohet pozitivisht në përkrahje të plotë të zhvillimit të sektorit privat”.
“Nëse ndodh e kundërta, atëherë çdo rënie e remitencave do të ndikojë shumë negativisht në zhvillimet ekonomike në Kosovë”, vlerëson Rukiqi.
Por, ekonomisti i lartë në Bankën Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli, thotë se në bazë të dhënave preliminare, pritet që të vazhdojë ky trend i rritjes.
“Me të drejtë ekziston ky skepticizëm në lidhje me trendin e dërgesave të emigrantëve për vitin 2010, për shkak të gjendjes së tregut të punës në vendet e zhvilluara, sidomos të Bashkimit Evropian”.
“Mirëpo, siç e thashë edhe më herët, të dhënat preliminare tregojnë për një rritje për 2 për qind. Kështu që presim që të vazhdojë edhe në muajt në vijim të vitit 2010, sidomos duke pasur parasysh se disa indikatorë kanë treguar për përmirësime të lehta në tregun e Bashkimit Evropian”, sqaron Havolli.
Berat Rukiqi, shpreh një shqetësim tjetër. Ai edhe pse vlerëson se emigrantët janë potencial i jashtëzakonshëm për Kosovë, dërgesat nga jashtë nuk i konsideron si bartës të zhvillimit ekonomik.
Autoritetet kompetente, shprehet Rukiqi, nuk duhet të bazohen më në remitenca, por duhet të gjenden mënyra për përkrahje të sektorit privat.
“Në fillim kemi pasur fazën e donacioneve që kanë shërbyer si imputo shtesë, pastaj remitancat me vite të tëra kanë qenë si impuls kryesor në rritjen ekonomike të vendit”.
“Mirëpo, tani shihet se duke u zvogëluar nevojat emergjente të Kosovës, duke kaluar në fazën e zhvillimit, ne nuk mund të bazohemi për rritje ekonomike të qëndrueshme në donacione dhe remitenca. Por, duhet të bazohemi këtu në një strategji të qartë se si të ecim drejt zhvillimit”, thekson Rukiqi.
Ndryshe, që nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2009 diaspora kosovare, sipas statistikave të Bankës Qendrore të Kosovës, ka dërguar në Kosovë 2 miliardë e 798 milionë euro. Të dhënat e kësaj banke tregojnë se që nga viti 2004 deri në vitin 2008, ka pasur një trend të rritjes së dërgesave nga jashtë.
Ndërsa, në vitin e kaluar remitencat kanë rënë për 30 milionë euro, krahasuar me vitin 2008, kur remitencat kanë pasur vlerën e 535.4 milionë euro.