Ndërlidhjet

Shtohen gjasat e ndërkombëtarizimit të sportit


Mendimi pozitiv i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, ka shtuar shpresat se edhe sportet kosovare do të depërtojnë në arenat dhe mekanizmat ndërkombëtarë, gjë që, deri më tash, nuk është arritur në të shumtën e rasteve, për shkak barierave politike.

Kështu vlerësojnë zyrtarët kompetentë për zhvillimin e sportit në Qeverinë e Kosovës, si dhe udhëheqësit e federatave të ndryshme të sporteve në Kosovë.

Ibër Alaj, drejtor i Departamentit të Sportit në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, thotë se pengesë kryesore që federatat e sporteve kosovare të antarësohen në federatat ndërkombëtare përkatëse, ka qenë mosantarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Në situatën e re që po ndodh, pas GJND-së, e cila i ka dhënë një mbështetje shumë të madhe Kosovës për pavarësinë e saj, mendojmë se edhe sporti do të jetë i pavarur. Edhe sporti ka qenë deri më tash pjesë e politikës, ndërsa tash është momenti i fundit që të ndahet politika prej sportit dhe sporti të jetë në arenën ndërkombëtare”.

“Do të thotë, ne jemi përpjekur që t’i përgatisim federatat tona që të jenë konform statuteve dhe rregulloreve të federatave ndërkombëtare”,
thotë Alaj.

Në anën tjetër, federatat e sporteve në Kosovë tashmë janë duke bërë përgatitje për të shfrytëzuar, siç thonë ato, momentin e volitshëm. Një gjë të tillë është duke e bërë edhe Federata e Hendbollit të Kosovës, e cila tashmë është e pranuar në Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit, por me të drejta të kufizuara.

Sektretari i përgjithëshëm i kësaj federate, Izet Gjinovci, thekson:

“Dihet se në muajin shtator, në Kopenhagë të Danimarkës do të mbahet kongresi i dhjetë i rregullt i Federatës Evropiane, në të cilën ne prap e kemi kërkesën për anëtarësim të plotë”.

“Në kongresin e kaluar të rregullt, para dy vjetësh, në Vjenë, anëtarët e Kuvendit të Kongresit e autorizuan Komitetin ekzekutiv të kësaj federate që në një lëvizje më të vogël që do të ketë në lidhje me gjendjen në Kosovë, do të thotë, me ndonjë zhvillim të nivelit, të pranohet automatikisht Kosova në Federatën Evropiane”,
thotë Gjinovci.

Ndërkaq, edhe drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës janë mjaft optimistë sa i përket pranimit të kësaj federate në federatat evropiane dhe botërore të futbollit.

Agim Ademi, nënkryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, vlerëson se procesi i pranimit të saj në UEFA dhe FIFA, ka filluar.

Pjesa jonë për pranimin tashmë ka filluar. Pranimi ynë do të bëhet parcialisht, ashtu siç kemi filluar - prej njohjes së certifikatës së lojtarëve si dhe të ndeshjeve miqësore. Gradualisht do të shkojmë, sepse tani i kemi favorizuar dhe faktorizuar klubet, por klubet duhet të jenë ato, të cilat duhet t’i plotësojnë kriteret”.

“Ne vetë e kemi pjesën tonë tani, sepse unë mendoj që sa i përket futbollit, nga ana e FIFA-s edhe UEFA-s, ata janë para nesh dhe janë të gatshëm. Kur ne të jemi të gatshëm që t’i kemi dhe t’i plotësojmë ato kritere, atëherë do të jemi brenda, në gjirin e tyre”, thotë Ademi.

Edhe Shkëlzen Doli, drejtues i Federatës së Tenisit të Kosovës, beson se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në mënyrë indirekte, do të ndikojë edhe në përparimin e kësaj federate drejt anëtarësimit në mekanizmat gjegjës ndërkombëtarë të këtij sporti.

“Po besoj se këtyre ditëve dhe pas vendimit të GJND-së, kanë filluar të vijojnë punët edhe më mirë. Tash ne kemi hyrë në planprogramin e zhvillimit të tenisit, ashtu siç e kanë kaluar të gjitha shtetet, të cilat nuk e kanë tenisin shumë të zhvilluar”,
thotë Doli.

Sidoqoftë, zyrtarët e institucioneve qeveritare për zhvillimin e sporteve në Kosovë kanë theksuar nevojën për ngritjen e cilësisë së sporteve, investimeve në to, përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese, si dhe krijimin e mëtutjeshëm të saj, si kushte për kyçjen e sporteve të Kosovës në garat ndërkombëtare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG