Ndërlidhjet

Pavarësia e (pa)mbikëqyrur


Paqeruajtës i KFOR-it
Paqeruajtës i KFOR-it

Qartësimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se pavarësia është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ka shtyrë liderët kosovarë të thonë se pavarësisë së mbikëqyrur po i vjen fundi.

Ka qenë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ai i cili ka hedhur i pari këtë ide.

Zëvendësi i tij, Ramë Manaj, thotë se me zhvillimet e fundit po dëshmohet se Kosova po përmbush të gjitha kushtet dhe obligimet për të qenë shtet normal dhe pa mbikëqyrje ndërkombëtare.

“Në bazë të ecjeve të proceseve pozitive në Kosovë, zhvillimeve pozitive të Kosovës, gradualisht çështja e pranisë ndërkombëtare në kuptim të monitorimit ose të mbikëqyrjes, shkon kah fundi. Është proces i natyrshëm, i qartë, i mirëpritur dhe që dëshmon definitivisht pjekurinë e institucioneve demokratike të vendit”, thotë Manaj.

Mirëpo, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, konsideron se deklaratat e dhëna nga zyrtaret e Qeverisë së Kosovës për fundin e pavarësisë së mbikëqyrur janë të gabueshme.

Ai mendon se Kosova dhe institucionet e saj kanë ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim.

"Pavarësia e mbikëqyrur e ka logjikën që Zyra Civile Ndërkombëtare veçmas, por edhe EULEX-i dhe KFOR-i, t’i realizojnë obligimet që kanë të bëjnë me jetësimin e Pakos së Ahtisarit dhe ta bëjnë vlerësimin se a ka bërë Kosova gjithë atë që është dashur të bëjë në bazë të Propozimit Ahtisari".

"Kur t’i kem parasysh të gjitha këto, mendoj se është tepër herët, por edhe gabueshëm që të trajtohet tema e përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur, sepse ka shumë punë për t'u bërë”,
thotë Shala.

Sipas nënkryetarit të AAK-së, disa nga çështjet që institucionet e Kosovës duhet t’i përmbushin deri të vlerësimi i pavarësisë pa mbikëqyrje, janë: përforcimi i sundimit të ligjit në tërë vendin dhe shtrirja e autoritetit në veri.

"Ekziston një ndërlidhje midis procesit të zbatimit të Pakos së Ahtisarit apo të konkludimit të pavarësisë së mbikëqyrur dhe përmbushjes së kritereve për të hyrë në procesin e integrimeve euro-atlantike".

"Ne kemi shumë për të berë në bazë të raportit të Komisionit Evropian, në bazë të raporteve të Departamentit të Shtetit dhe të gjitha instancave relevante ndërkombëtare”,
thotë Shala.

Megjithatë, zëvendëskryeministri Ramë Manaj thotë se respektimi i ligjeve dhe shumë procese në drejtim të fuqizimit të shtetit të Kosovës, janë duke ndodhur.

“Asnjë proces nuk mund të përfundojë me një punë njëditore ose njëmujore. Në të gjitha vendet në tranzicion, ndërtimi ië institucioneve, procesi i demokratizimit dhe zhvillimit, janë procese”, thotë Manaj.

Pavarësia e mbikëqyrur për Kosovën ka rezultuar nga bisedimet e Vjenës dhe nga Pakoja e Ahtisarit. Për këto dokumente ndërkombëtare janë disa rregulla se si mund të ndryshohen.

Analistët politikë thonë se institucionet e Kosovës duhet t’i plotësojnë standardet e veta, duke filluar nga sundimi i ligjit dhe plotësimi i standardeve për integrim.

Analisti Ramush Tahiri thotë se institucionet janë duke punuar, por rezultati i tyre, sipas tij, nuk është dhe aq i dukshëm.

“Rezultatet janë të vogla dhe në këtë bazë nuk mjafton vetëm deklarimi, as i kryeministrit, as i kujtdo tjetër, që dëshiron të jetë i pavarur. Por, për hir të popullit dhe ardhmërisë së Kosovës, duhet t’i plotësojë kushtet për të qenë i pavarur dhe duhet të shfrytëzohen të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë që i kemi këtu”, thotë Tahiri.

Sipas tij, Kosova, me pavarësinë e mbikëqyrur nuk mund të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtarë.

“Edhe kryeministri, edhe të tjerët duhet të dinë se ka rregulla, të cilat i kanë nënshkruar vetë ose kanë kaluar përmes Parlamentit. Kur të kalojë ajo fazë, mund të mendojnë seriozisht që të jenë të pavarur në të gjithë sektorët. Pra, Pakoja e Ahtisarit nuk guxon të hapet para afatit 3-vjeçar”, deklaron Tahiri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG