Ndërlidhjet

Jeremiq: 55 vende afër të njohin Kosovën


Parlamenti i Serbisë
Parlamenti i Serbisë

Opozita në Parlamentin e Serbisë e ka cilësuar disfatë të plotë vendimin e GJND-së për Kosovën.



Parlamenti i Serbisë është duke debatuar për mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe për hapat e ardhshëm të Beogradit për, siç thuhet, mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial.

Qeveria e Serbisë i ka dorëzuar Parlamentit propozimin e masave, në të cilat thuhet se GJND-ja nuk ka legalizuar shkëputjen e bazuar mbi baza etnike të Kosovës dhe se nuk është përgjigjur në pyetjen thelbësore për legjitimitetin e së drejtës së shqiptarëve të Kosovës për secesion.

Me këtë rast është kërkuar që Parlamenti të autorizojë Qeverinë serbe që t'i shfrytëzojë të gjitha mjetet diplomatike dhe politike për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë.

Në kuadër të debatit, ministri i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiq, fillimisht tha:

Vuk Jeremiq
“Aktivitetet e Serbisë deri në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do të jenë të orientuara në pengimin e njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës”,
ka thënë Jeremiq, për të shtuar se 55 vende janë shumë afër njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe se qeveria është duke bërë përpjekje që ky numër sa më shumë të zvogëlohet.

Detyrë e organeve shtetërore do të jetë që të sigurojë shumicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për rezolutën e Serbisë, e cila do të hapë rrugë për gjetjen e zgjidhjes së kompromisit dhe pas së cilës do të bëhet e qartë se GJND-ja nuk u dha të drejtën për shkëputje shqiptarëve”, ka thënë Vuk Jeremiq.

Shefi i grupit të Partisë Liberale Demokratike, Çedomir Jovanoviq, gjatë debatit ka ftuar qeverinë që të definojë politikë të re shtetërore ndaj Kosovës dhe ka sinjalizuar se partia e tij nuk do t'i mbështesë aktivitetet e propozuara të Qeverisë.

Ai ka thënë se nuk është obligim i Qeverisë që të mbrojë atë që është humbur përgjithmonë që në vitin 1999 dhe se “përgjithmonë ka humbur e drejta e Serbisë që të drejtojë jetën në Kosovë”.

Por, ka thënë Jovanoviq, kjo nuk do të thotë se Serbia ka humbur të drejtën që të kujdeset për manastiret dhe pronën e vet në Kosovë, për të konkluduar:

“Nuk do të arrijmë askund nëse disfatat do t’i minimizojmë për t’iu shmangur ballafaqimit me shkaqet”.

Partia Demokratike e Serbisë e Vojislav Koshtunicës gjithashtu ka thënë se nuk do të japë mbështetje për propozimin e qeverisë, sepse konsideron se me të do të vazhdohej politika qeveritare ndaj Kosovës që ka përjetuar “disfatë të plotë“ para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Përfaqësuesi i kësaj partie, Sllobodan Samarxhiq, ka thënë se propozimi i Qeverisë që Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara t’i paraqitet rezolutë për Kosovë, paraqet “aksion vetëvrasës”.

Ai ka pyetur se çfarë do të ndodhte nëse Asambleja e Përgjithshme refuzon qëndrimet e Serbisë në këtë rezolutë dhe është përgjigjur vetë duke thënë se kjo do të ishte edhe një disfatë tjetër politike.

Samarxhiq ka kërkuar që të paditen të gjitha ato shtete që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në njërën nga pauzat e takimit të Parlamentit, presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, u ka deklaruar gazetarëve se Serbia do të vazhdojë betejën për Kosovën, por nuk do të heqë dorë nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, sepse kjo është "politika e vetme, së cilës qytetarët i kanë dhënë legjitimitetin e plotë".

Presidenti Tadiq gjithashtu ka vënë në pah se situata në të cilën është gjendur Serbia pas GJND-së, nuk duhet të bëhet pretekst për zgjedhje të reja.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG