Pavarësisht deklarimeve të faktorit vendor e ndërkombëtar se nuk do të njihen rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të Serbisë, të mbajtura në Kosovë, ky proces pritet të zhvillohet këtë të diel në dy komuna në vend.
Përveç komunës së Novobërdës, qytetarët serbë thuhet se do të mund ta hedhin votën e tyre në 26 qendra votimi në pjesën veriore të Kosovës, ku Prishtina zyrtare vazhdon të ketë telashe për ta shtrirë autoritetin shtetëror.
Megjithatë, mekanizmat kosovarë e ndërkombëtarë të sigurisë nuk kanë përgatitur plane speciale operative lidhur me mbajtjen nën kontroll të situatës së sigurisë gjatë ecurisë së procesit elektoral serb.
Zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, mohon që Policia e Kosovës të ketë përgatitur ndonjë plan të veçantë lidhur me këtë ngjarje.
“E diela do të kuptohet si një ditë e rregullt e punës, me orar të rregullt të punës të zyrtarëve të policisë. Nuk ka asnjë operacion të veçantë që lidhet drejtpërdrejt me zgjedhjet”.
“Por, sigurisht që masat e sigurisë do të përqendrohen kryesisht në orarin kur është paralajmëruar të mbahet protesta në qendër të qytetit, në jug të Mitrovicës, por edhe disa ngjarje të tjera, të cilat zgjojnë interes të publikut”, thotë Hoti.
Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit thuhet se do të mbikëqyrë gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës. Zëdhënësi i EULEX-it, Hans Kristian Klasing, thotë se misioni evropian nuk mund t’i komentojë planet eventuale operative për procese të caktuara.
“Në çdo rast, kur bëhet fjalë për sigurinë, Policia e Kosovës është përgjegjëse në rend të parë. Natyrisht, ne do ta mbikëqyrim situatën, mirëpo nuk mund të komentojmë asnjë përgatitje, e asnjë plan që mund të ndërlidhej me këtë”, thekson Klasing.
Në gjendje gatishmërie, por pa plan të caktuar veprimi dhe pa shtuar praninë e pjesëtarëve të vet në veri, duket se do të jetë edhe misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë.
Zëdhënësi i KFOR-it, Mihael Këting, shpjegon:
“Ne ritheksojmë përkushtimin tonë për të penguar çfarëdo dhune apo trazire sociale. Në kuadër të mandatit tonë, ne do t’i ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të mbajtur një ambient të qetë e të sigurt dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes nesër”.
Një tjetër skenar si reagim ndaj zhvillimit të zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës, e kanë përgatitur përfaqësues të tri organizatave të dala nga lufta, të cilat të dielën pritet të protestojnë në jug të Mitrovicës për ruajtjen e sovranitetit të Kosovës.
Një organizatë tjetër joqeveritare në Prishtinë, Klubi për Politikë të Jashtme, shpreh shqetësimin e vet lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Anëtari i kësaj organizate, Yll Hoxha, thotë se përmes këtyre zgjedhjeve po betonohet ndarja, siç shprehet ai, reale e Kosovës.
“Këto do ta betonojnë për më tutje një gjendje të ndarjes reale që ekziston në Kosovë dhe rreziku është që me këtë ndarje reale, Kosova po futet në një proces, i cili dita-ditës po paralajmërohet shumë më shumë, e ai është bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto nënkuptojnë padyshim bisedime edhe për statusin e veriut të Kosovës”, thekson Hoxha.
Gjendja në veri të Mitrovicës dhe ndikimi i Beogradit zyrtar mbi atë pjesë të vendit, kishte nxitur Qeverinë e Kosovës dhe Zyrën Civile Ndërkombëtare në Kosovë të hartojë një strategji për ta kthyer veriun nën autoritetin shtetëror të Kosovës.
Mirëpo, distancimi i EULEX-it, KFOR-it dhe Bashkimit Evropian nga dokumenti në fjalë, sipas Hoxhës, ka ndikuar në, siç e quan ai, vdekjen e kësaj strategjie.
Lexoni edhe këto: Zgjedhjet serbe në Novobërdë
EULEX-i kundër hyrjeve të paautorizuara në Kosovë