Zgjedhjet lokale të 30 majit, të organizuara nga Beogradi, të cilat janë paralajmëruar të mbahen edhe në komunën e Novobërdës do t’i vënë në udhëkryq banorët serbë të kësaj komune, vlerësojnë zyrtarët e institucioneve komunale të kësaj komune, të dala nga zgjedhjet e organizuara nga institucionet e Kosovës.
Ngjashëm shprehen edhe disa banorë serbë të kësaj komune, të cilët kanë mendime të ndara lidhur me çështjen se a duhet të dilet në votime më 30 maj.
Bajrush Imeri, kryetar aktual i Novobërdës, thotë se institucionet e kësaj komune nuk kanë kompetenca që t’i pengojnë zgjedhjet serbe dhe se dalja në këto zgjedhje ose jo, e qytetarëve serbë, do të varet tërësisht nga vullneti i tyre.
“Asnjëherë nuk jemi marrë me këto struktura. Unë gjithmonë i kam injoruar, me një fakt, duke investuar, duke përkrahur, duke mirëpritur qytetarë nga komuniteti serb, duke iu dëshmuar që ne jemi ata që përpiqemi për ta dhe askush tjetër në këtë komunë”.
“Prandaj, unë nuk e di se çfarë do të ndodhë të dielën, por sigurisht që qytetarët është mirë të mendojnë se çfarë po bëjnë dhe mos t’i përkrahin ata, të cilët nuk janë duke bërë qe dy vite asgjë për ta”.
“Nuk kanë asnjë arsye, sepse ne nuk iu kemi dhënë asnjë arsye për të përkrahur dikë tjetër. Por, kjo do të mbetet në vullnetin e tyre”, thotë Imeri.
Ndryshe, komuna e Novobërdës karakterizohet edhe me faktin se pozita edhe opozita në kuvendin komunal, janë të përbëra nga koalicionet e partive shqiptare me ato serbe, pjesëmarrëse në zgjedhjet e organizuara nga institucionet e Prishtinës.
Radovan Deniq, nënkryetar i komunës për bashkësitë etnike, thotë se komuna është duke bërë përpjekje për përmirësimin e jetesës për të gjithë banorët e kësaj komune.
Por, edhe Deniq shpreh mendimin se dalja ose jo e serbëve në zgjedhjet e 30 majit, mbetet në vullnetin e banorëve.
“Unë mendoj se zgjedhjet janë e drejtë qytetare dhe nuk janë obliguese. Ligji nuk i obligon. Ata që mendojnë se duhet të dalin në ato zgjedhje, do të dalin, ndërkaq ata që nuk mendojnë ashtu, nuk do të dalin”.
“Kjo do të jetë ngjashëm me atë që ka ndodhur në zgjedhjet më 15 nëntor dhe 30 dhjetor për balotazh, ku kemi garuar unë dhe kryetari i tashëm”, shprehet Deniq.
Ndryshe, në zgjedhjet lokale të 30 majit, të organizuara nga Beogradi, në Novobërdë janë duke garuar katër subjekte politike, Partia Përparimtare Serbe, Partia Demokratike, Partia Socialiste e Serbisë dhe Partia Demokratike e Serbisë.
Në anën tjetër, misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ka paralajmëruar se zgjedhjet serbe të 30 majit nuk i konsideron si legale.
Milorad Stanojeviq, i cili kryeson listën zgjedhore të Partisë Përparimtare Serbe, thotë se misioni i EULEX-it ka bërë deklarata, sipas tij, kontradiktore.
“EULEX-i po bie në kundërshtim, sepse në periudhën e kaluar ne kemi pasur zgjedhje edhe në Shtërpcë, Graçanicë, Leposaviq e kështu me radhë dhe unë nuk di se ka pasur deklarata të tilla”.
“Mendoj se kjo po përngjan në dy binarë. Duke pasur parasysh që rezoluta 12 44 ende është në fuqi, mendoj se këto zgjedhje në kuptimin e legalitetit dhe legjitimitetit, janë plotësisht në rregull”, thotë Stanojeviq.
Ai shton se në zgjedhjet e 30 majit do të hyjë për të fituar mundësinë që të ndikojë në përmirësimin e jetesës së të gjithë qytetarëve të Novobërdës, pavarësisht përkatësisë etnike të tyre.
Por, qytetarët serbë të komunës së Novobërdës, kanë mendime të ndryshme lidhur me zgjedhjet.
Ivica Stojkoviq nga fshati Zebinjë thotë se nuk ka dalë në zgjedhjet lokale të organizuara nga institucionet kosovare, por do të dalë në zgjedhjet e organizuara nga Beogradi.
“Do të dal në zgjedhje më 30 maj. Nuk di për të tjerët, por unë kam vendosur të dal dhe të shoh se mos do të ketë ndonjë ndryshim për një jetë dhe kushte më të mira”, shprehet Stojkoviq.
Por, ndryshe mendon Goran Simijonoviq, nga fshati Prekoc, i cili thotë se nuk do të dalë në zgjedhje.
“Nuk do të dal në zgjedhje, sepse jam i dëshpëruar me kryetarët që kanë qenë deri më tash. Asgjë nga ato që kanë premtuar, nuk i kanë realizuar. Ata më tepër merren me çështjet politike, sesa që merren me gjërat reale”.
“Ata është dashur të dalin në teren dhe ta shohin realitetin. Atyre nuk iu intereson se si jetojnë qytetarët. Qytetarët s’duhet të dalin në zgjedhje dhe t’ju tregojnë se mund të vendosin vetë dhe jo të bëjnë ashtu siç ju thonë ata”, thekson Simijonoviq.
Ndërkaq, Zhika Kostiq, nga fshati Zebinjë, thotë se do të dalë në zgjedhje, ndonëse nuk pret ndryshime të mëdha në jetesën e qytetarëve.
Kostiq pret që në të ardhmen qytetarët të bëjnë krahasime në mes institucioneve të dala nga zgjedhjet e organizuara nga Prishtina dhe të atyre nga Beogradi.
“Është periudhë e shkurtër, disa muajsh, në mes të dy palë zgjedhjeve. Do të shohim se cilat institucione do të jenë më shumë në shërbim të qytetarëve. Me siguri se qytetarët në të ardhmen do të orientohen drejt atyre që do ta ndihmojnë popullin më shumë”, përfundon Kostiq.
Lexoni edhe këtë: Novobërda - rast i humbur për serbët