Kosova rrezikon që gjatë këtij viti të ballafaqohet me sfida të ndryshme në aspektin ekonomik dhe social, për shkak të rënies se remitencave dhe investimeve nga jashtë, thonë njohës të çështjeve ekonomike.
Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se rënia e këtyre dy burimeve, është dëshmi se Kosova, në aspektin social, është duke u zhytur në krizë, ndërkaq pasojat e gjithë këtyre implikimeve, thekson ai, shumë shpejt do të vërehen.
“Besoj që viti 2010, do të jetë një vit i sfidave për Kosovën, qoftë në aspektin ekonomik, qoftë në aspektin social. Në këtë drejtim duhet të punohet për parandalimin e efekteve të mundshme negative, si pasojë e krizës globale ekonomike”.
“Dhe, kur gjithë kësaj i shtohet edhe fakti i implikimit të krizës në Greqi, atëherë vërtet nuk është morale që të jemi aq të qetë dhe të mendojmë se Kosova nuk do të preket nga efektet negative të kësaj krize duale”, thotë Gërxhaliu.
Edhe në një raport të Bankës Botërore, thuhet se rritja ekonomike e viteve të shkuara ishte e fokusuar në burime të jashtme, përkatësisht nga donatorët dhe remitencat, burime këto që sipas raportit, nuk do të jenë në gjendje të sjellin një rritje të qëndrueshme ekonomike në të ardhmen.
Profesori në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin e Prishtinës, Artan Nimani, pohon se rënia e dërgesave nga jashtë, si dhe investimeve të huaja, do të ndikojë drejtpërdrejt si në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, ashtu edhe në standardin jetësor të qytetarëve.
Ai, madje, thekson se tashmë kanë filluar të vërehen efektet e para të rënies se këtyre burimeve.
“Mendoj se është e padrejtë të thuhet se nuk ndikojnë donacionet nga jashtë në zhvillimin ekonomik, apo siç pretendohet se kriza nuk e ka prekur vendin tonë, sepse këto gjëra shihen përditë”.
“Por, tendencat duhet të orientohen, siç është orientuar edhe vetë raporti i Bankës Botërore, që të ketë investime publike dhe të sigurohen sa më shumë mjete që të kompensohen ato të hyra, që kanë ardhur dikur nga faktori ndërkombëtar dhe nga remitencat, si dhe të zëvendësohen me investime publike në vendin tonë”, shprehet Nimani.
Ndryshe, sipas shifrave zyrtare, në vitin 2009, dërgesat nga jashtë kanë rënë mbi 8 për qind, ndërsa investimet e huaja, kanë shënuar rënie deri në 30 për qind.
Lidhur me këtë, Safet Gërxhaliu pohon se është momenti i fundit, që autoritetet kompetente të mendojnë më tepër për zhvillimin ekonomik.
“Është koha kur sektori privat duhet të përkrahet më tepër, është koha kur duhet të eliminohen të gjitha këto dukuri negative, të cilat janë cekur qoftë në raport, qoftë nga ekspertë të ndryshëm, sepse kritika është nënë e të mësuarit; nuk është armiqësi”.
“Prandaj, sa më herët ta kuptojmë këtë kritikë, do të thotë se e kemi identifikuar problemin dhe do të ballafaqohemi me këtë problem, e jo të mos ballafaqohemi me të, por të merremi me komentime të kritikave, të cilat me siguri kanë bazë argumentuese”, vlerëson Gërxhaliu.
Ndërsa, Artan Nimani thotë se institucionet kosovare duhet të krijojnë një ambient më miqësor për investitorët e huaj, në mënyrë që Kosova të mos ballafaqohet me krizë.
“Nuk mund të thuhet se në Kosovë po krijojmë një ambient të sigurt për investime, kur paratë tona i dërgojmë jashtë të investojmë. Prandaj, unë kam rezerva të jashtëzakonshme në këtë fushë”.
“Nuk është mesazh i mirë për investitorët e huaj potencial edhe në këtë krizë, që t’i thuhet eja investo në Kosovë, por ne paratë tona të Trustit, AKM-së, të rezervave, po i dërgojmë jashtë vendit, sepse janë më të sigurta”, thotë Nimani.
Në anën tjetër, sipas Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, që nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2009, diaspora kosovare ka dërguar 2 miliardë e 798 milionë euro.
Të dhënat e kësaj banke tregojnë se që nga viti 2004 deri në vitin 2008, vazhdimisht ka pasur trend të rritjes se dërgesave nga jashtë.
Në vitin 2004, remitencat kanë pasur vlerën 357 milionë euro, kurse në vitin 2008 kanë arritur në 535.4 milionë euro, përderisa në vitin 2009, dërgesat kanë rënë në 505.2 milionë euro.